2015-01-01 10:49:44

Mesazhi i Papës Françesku për Ditën Botërore të Paqes: 1 janar 2015


Tema e Mesazhit të Papës Françesku për Ditën e 48-të Botërore të Paqes (1 janar 2015), është “Kurrë më skllevër, por vëllezër”. Të kujton Letrën e Shën Palit drejtuar Filemonit (Fm 1,15-16). Dokumenti, i paraprirë nga një hyrje kushtuar planit të Zotit për njerëzimin, mund të ndahet në dy pjesë: në të parën, Ati i Shenjtë ndalohet tek aspekte të ndryshme të skllavërisë, dje e sot, duke kujtuar shkaqet më të thella, ndërsa në pjesën e dytë, e nxit njerëzimin të gjejë rrugë të përbashkëta për ta zgjidhur problemin, që Françesku e quan “fenomen të neveritshëm”.

Hyrje:
Në radhë të parë, Papa i larton Zotit lutjen që të marrin fund luftërat, konfliktet, vuajtjet e shkaktuara nga dora e njeriut, nga epidemitë e nga fatkeqësitë natyrore. Më pas kujton se njeriu, qenie e arsyeshme, është i paracaktuar të realizohet “në rrethnat e lidhjeve ndërpersonale, të frymëzuara nga drejtësia e dashuria e krishterë”. Prej këndej, ftesa që të njihen e të respektohen dinjiteti, liria dhe pavarësia e njeriut, duke i vulosur marrëdhëniet ndërpersonale me respekt, drejtësi e dashuri. Vëllazëria, e rilindur nga shndërrimi në Krishtin, është lidhje themelore e jetës familjare dhe e shoqërisë. Ajo gjen shprehjen e vet në larminë e edhe në ndryshimin ndërmjet vëllezërve, të krijuar sipas shëmbëlltyrës e në përngjasim me Hyjin e, prej këndej, me të njëjtën natyrë e të njëjtin dinjitet. Por, kur mëkati e ndërpret këtë vëllazëri, atëherë duket kultura e skllavërimit, që i hap udhën mospranimit të tjetrit, keqtrajtimit, shkeljes së dinjitetit dhe të të drejtave themelore, institucionalizmit të pabarazive. Për këtë arsye bashkësia e krishterë duhet të jetë bashkësi e vëllezërve, origjina dhe gjendja e ndryshme shoqërore e të cilëve nuk e pakëson dinjitetin e as nuk i përjashton nga radhët e popullit të Hyjit, sepse të gjithë, bij në shpirt të Hyjit e vëllezër në Krishtin”.

Pjesa I
Në pjesën e parë Ati i Shenjtë përshkruan fytyrat dhe shkaqet e skllavërisë, duke vënë në dukje, posaçërisht, evolucionin pozitiv të ndërgjegjes së njerëzimit në rrjedhë kohe. Falë tij, skllavëria” “krim që e lëndon rëndë njerëzimin”, u shfuqizua formalisht në mbarë botën, ndërsa e drejta e çdo njeriu për të mos iu nënshtruar gjendjes së skllavit a të robit, u bë normë e detyrueshme. Megjithëkëtë, edhe sot e kësaj dite miliona njerëz detyrohen të jetojnë në kushte të ngjashme me ato të skllavërisë. E këtu Papa Françesku sjell një mori shembujsh dramatikë. Flet për viktima të punës-skllavëruese; emigrantë të privuar nga liria, të zhveshur nga pasuria, të shpërdoruar fizikisht, të burgosur në mënyrën më çnjerëzore, të kërcënuar nga punëdhënësit, që u sigurojnë lejën e qëndrimit, me kusht që të punojnë në të zezë; për skllevër seksualë, posaçërisht për gra, të detyruara të shiten rrugëve ose të martohen me zor; të mitur, viktima të tregtisë së organeve; të mobilizimit ushtarak, të lypësisë a të veprimtarive të paligjshme, si shitja e drogës, ose të birësimit të rremë ndërkombëtar; për të rrëmbyer e të mbajtur peng nga grupet terroriste”.
Por nëse fytyrat e skllavërisë janë të panumërta, jo më pak të shumta janë edhe shkaqet më të thella të saj: i pari është ontologjik e rrjedh nga mëkati, që e prish zemrën e njeriut, shpjegon Papa, e nxit të mos e shikojë tjetrin si njeri, por si send, si mjet, e jo si qëllim. Shkaqet e tjera janë varfëria, mungesa e arsimit dhe e edukimit, papunësia, rrjetet kriminale, që drejtojnë trafikun e njerëzve e që përdorin edhe teknologjitë informative për t‘i joshur të rinjtë e të miturit; konfliktet e armatosura. dhuna, kriminaliteti, terrorizmi.
Shkak tjetër i skllavërisë është korrupsioni, që përfshin deri forcat e rendit, pjesë përbërëse e shtetit, si dhe institucionet civile e ushtarake. Fenomene që vërehen, nënvizon Papa, kur në qendër të sistemit ekonomik është zoti para e jo njeriu.

Pjesa e dytë: të mundet skllavëria me impenjimin e përbashkët dhe globalizimin e vëllazërisë
Trafiku i paligjshëm i emigrantëve dhe i morisë së fytyrave të skllavërisë, shpesh kryhet pa asnjë shqetësim, i ndjekur nga indiferenca e përgjithshme, shkruan Papa. Por ka edhe shembuj pozitivë, si puna e heshtur e shumë kongregatave fetare, posaçërisht femërore, që i kushtohen prej vitesh viktimave, duke i ndihmuar e duke u përpjekur me gjithë zemër të copëtojnë zinxhirët e padukshëm, që i mbajnë lidhur të shfrytëzuar e shfrytëzues me hallkat e frikësimit, të kërcënimeve, dhunës, konfiskimit të dokumenteve të identitetit. Me guxim, durim e ngulm, kongregatat fetare i ndihmojnë viktimat në tri mënyra: duke i strehuar, duke i rehabilituar psikologjikisht e duke i përfshirë rishtas në radhët e shoqërisë. Angazhimi i trifishtë, i nxit Papa duhet çuar përpara nga institucionet, për t’i parandaluar këto krime, për t’i mbrojtur viktimat e për të dënuar kriminelët. Sepse për ta zhdukur skllavërinë, duhet një aksion “i përbashkët e global”, nga ana e mbarë shoqërisë. Shtetet duhet të jenë vigjilente që ligjet e emigracionit, puna, bijësimi e zhvendosja e sipërmarrjeve, të kenë në qendër të vëmendjes respektin për njeriun. Duhen ligje të drejta, që mbrojnë të drejtat themelore të njeriut, është thirrja e Papës, njëherësh me mekanizmat efikase të kontrollit, që ia mbyllin çdo shteg korrupsionit të padënuar.
Papa u bën thirrje të gjithë aktorëve të shoqërisë: grave, që t’u njihet roli i tyre i veçantë shoqëror; ndërrmarrjeve, që t’u garantojnë punonjësve punë dinjitoze, paga të përshtatshme e zinxhirë furnizimi larg nga trafikët; organizatave ndërqeveritare, që të bashkëpunojnë për të luftuar rrjetet transkombëtare të kriminalitetit të organizuar, të cilat drejtojnë trafikun e njerëzve si dhe trafikun ilegal të emigrantëve; konsumatorëve, që të jenë të ndërgjegjshëm se të blesh është gjithnjë akt moral, përveçse ekonomik.
Duke kujtuar, më pas angazhimin e Selisë së Shenjtë kundër trafikut, Papa fton të globalizohet vëllazërimi, jo skllavëria, as indiferenca e, duke ecur në gjurmët e Shën Jozefina Bakhitës, që e jetoi dashurinë e krishterë për të afërmin, të dëshmohet vëllazëria me gjeste vëllazërore ndaj atyre, që mbahen ende të mbërthyer me zinxhirët e robërisë. Përballë trafikut të njerëzve ose prodhimeve të realizuara nga shfrytëzimi i tyre, të gjithë jemi të thirrur, pohon me forcë Papa: si ai që e mbyll një sy për shkak të indiferencës, çkujdesjes a shkaqeve ekonomike, ashtu edhe ai, që zgjedh angazhimin në shoqatat civile, të japim ndihmesën tonë, qoftë edhe me gjeste fare të vogla, siç është një përshëndetje e përzemërt ose një buzgaz, për atë që është viktimë e këtyre dramave.

Përfundim: Mos bashkëpunoni me të keqen! Në mbyllje të mesazhit, Papa u bën thirrje të fuqishme gjithë burrave e grave vullnetmira, të mos bëhen bashkëpunëtorë me këtë të keqe, të mos i mbyllin sytë përballë vuajtjeve të vëllezërve e motrave, edhe ata njerëz si ne, por pa liri, pa dinjitetet, sepse ua kanë rrëmbyer. Të mos veprojnë kështu, por të marrin guximin ta prekin trupin e munduar të Krishtit!
Jemi përballë një fenomeni botëror, që i kapërcen kompetencat e një bashkësie a të një kombi të vetëm, përfundon Papa, e edhe përballë globalizimit të indiferencës, që duhet luftuar me globalizimin e solidaritetit e të vëllazërisë, për t’u dhënë shpresa të reja viktimave të trafikut.







All the contents on this site are copyrighted ©.