2015-01-01 15:36:53

Françesku: Jezusin e takojmë në Kishë, e pamundur t’i ndajmë!


“Nuk mund të kuptohet Jezusi pa Nënën e Tij, Krishti nuk mund të ndahet nga Kisha”. Është një nga fragmentet më të forta të homelisë së Papës në Meshën, kremtuar në Shën Pjetër, për solemnitetin e së Shenjtnueshmes Mari, Nënë e Zotit dhe Ditën e 48-të Botërore të Paqes. Papa nënvizoi se, ashtu si Maria, Kisha është e thirrur të jetë Nënë për të gjithë e, më pas, bëri thirrje për të luftuar kundër çdo forme të skllavërisë.
Maria, Kisha, Paqja! Në meshën e parë të vitit 2015, Papa Françesku e përqendroi homelinë mbi këtë trinom, në një Bazilikë të mbushur përplot me besimtarë. Universaliteti i kremtimit spikati edhe përmes gjuhëve të shumta, me të cilat u shqiptuan lutjet: nga gjuha kineze, në atë tamil; nga polonishtja, në spanjisht. Iu lartuan Zotit lutje për dhuratën e paqes, për ata që janë të persekutuar nga shkaku i fesë, për respektimin e jetës e të dinjitetit njerëzor e akoma, për mbarë familjet e, posaçërisht, për nënat dhe etërit e krishterë, që Zoti t’i shndrisë në udhëheqjen e fëmijëve të tyre. E pikërisht një Nëne, Nënës së Jezusit, iu kushtua homelia e Françeskut, i cili që në fillim nënvizoi se asnjë krijesë tjetër, nuk e pa duke ndritur mbi të fytyrën e Hyjit, ashtu si e pa Maria, që i dha fytyrë njerëzore Fjalës së amshuar”.
Maria e Jezusi janë të pandarshëm
Ndërmjet Marisë e Jezusit, vuri në dukje Papa, ekziston një lidhje e ngushtë, si e çdo biri me nënën e vet. Krishti e Nëna e tij janë të pandarshëm. Maria, vijoi të pohojë Papa, është kaq e lidhur me Jezusin, sepse pati prej Tij dijen e zemrës, dijen e fesë, të ushqyer nga përvoja amtare e nga lidhja e thellë me të Birin.
“Virgjëra e Shenjtë është gruaja e fesë, që i bëri vend Zotit në zemrën e vet, në planet e veta: është besimtare, e aftë të shikojë në dhuratën e Birit, ardhjen e “përmbushjes së kohës (Gal 4,4), në të cilën Hyji, duke zgjedhur udhën e përvuajtur të jetës njerëzore, hyri personalisht në hullinë e historisë së shëlbimit. Prandaj nuk mund të kuptohet Jezusi pa Nënën e vet”.

Krishtin e takojmë në Kishë
“Njëlloj të pandashëm, vijoi Françesku, janë Krishti e Kisha, sepse, shtoi, duke folur lirisht, “Kisha e Maria shkojnë gjithnjë bashkë, e ky është misteri i gruas në bashkësinë kishtare. Prandaj, shtoi, nuk mund të kuptohet shëlbimi i kryer nga Jezusi, pa kuptuar edhe amësinë e Kishës”.
“Ta ndash Jezusin nga Kisha, do të ishte si të doje të bëje një dyzim absurd, siç pati shkruar i lumi Pali VI (cfr. Esort, ap. Evangelii nuntiandi,16). Nuk është e mundur ta duash Krishtin, e të mos e duash Kishën, ta dëgjosh Krishtin, por jo Kishën, t’i përkasësh Krishtit, por jashtë Kishës (ibid). Sepse është Kisha, familja e madhe e Hyjit, që na çon tek Krishti”.
“Feja jonë, vijoi Papa, nuk është doktrinë abstrakte, ose filozofi, por marrëdhënie jetike, e plotë, me një Vetje: me Jezu Krishtin, Birin e vetëm të Hyjit, që u bë njeri, vdiq e u ngjall për të na shpëtuar e jeton ndërmjet nesh”.
“Po ku mund ta takojmë?” E takojmë në Kishë, në Nënën tonë shenjte, Kishën hjerarkike. Është Kisha ajo, që na thotë sot; “Ja Qengji i Hyjit! Është Kisha, që e kumton; në Kishë Krishti vijon t’i kryejë gjestet e Tij të hirit, që janë Sakramentet. Kjo veprimtari e ky mision i Kishës shpreh amësinë e saj. Ajo është si nënë, që e ruan Jezusin me dashuri e ua jep të gjithëve me gëzim e bujari.
Françesku kujtoi se asnjë dukje e Krishtit, as më mistikja, nuk mund të shkëputet nga korpi e gjaku i Kishës, nga konkretësia historike e Korpit të Krishtit. E, nënvizoi akoma, pa Kishën, Jezu Krishti rëgjohet në ide, në moral, në ndjenjë”.
Pa Kishën, lidhja jonë me Krishtin do të ishte në mëshirën e imagjinatës sonë, interpretimeve tona, gjendjeve tona shpirtërore.
Jezu Krishti, shtoi, është bekim për çdo njeri e për mbarë njerëzimin. E pikërisht ky është misioni i popullit të Hyjit: ta rrezatojë mbi gjithë popujt bekimin e Hyjit të mishëruar në Jezu Krishtin. E Maria, e para dishepulle e përkryer e Jezusit, e para besimtare e përkryer, model i Kishës në shtegtim, është Ajo, që e hap udhën e amësisë së Kishës.
Kurrë më skllavëri, paqe në zemra
Françesku kujtoi, kështu, se dita e parë e vitit përkon me Ditën Botërore të Paqes, rast për të kërkuar paqe në zemra, në familje, në mbarë kombet. Këtë vit, posaçërisht, kur mesazhi për Ditën e Paqes është: “Kurrë më skllevër, por vëllezër”.
Të gjithë jemi të thirrur për të qenë të lirë, të gjithë, për të qenë bij e secili, sipas përgjegjësive të veta, për të luftuar kundër formave moderne të skllavërisë. Të gjithë popujt, kulturat e fetë, t’i bashkojmë forcat tona. Na priftë e na ndihmoftë Ai që, për të na bërë të gjithë vëllezër, u bë shërbëtori ynë.

Maria Nëna e Shenjtë e Hyjit
Shikojmë Marinë, kundrojmë Nënën e Shenjtë të Hyjit, përfundoi Papa, duke ia ngulur sytë shtatores së Marisë në skaj të elterit e duke kujtuar popullin guximtar të Efezit, që brohoriste përpara barinjve të tij, kur hynin në Kishë: “Nëna e Shenjtë e Hyjit”.
Thotë një histori, që nuk e di nëse është e vërtetë, se disa kishin shkopinj në dorë, ndoshta që ipeshkvjtë të kuptonin ç’do t’u ndodhte, po të mos kishin guximin ta shpallnin Nënën e Zotit. .... Ju ftoj të gjithëve, pa shkopinj, të ngriheni e për tri herë me radhë e ta përshëndesni, në këmbë, me këtë përshëndetje të Kishës së parë: “Nënë e Shenjtë e Hyjit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.