Më 31 dhjetor kalendari kujton shën Silvestrin Papë
Shën Silvestri është shenjt shumë i njohur. Emri i tij është bërë tashmë sinonim i
festës së fundit të Vitit, jo sepse ishte njeri gazmor, ashtu si është festa e ndërrimit
të viteve, që i mbush njerëzit me shpresa të reja për një kohë të re, por thjeshtë
sepse vdiq më 31 dhjetor të vitit 335 dhe nisi menjëherë të nderohej si shenjti i
Romës. Me emrin e tij lidhen ngjarje të rëndësishme për Qytetin e Amshuar e për krishterimin.
Silvestri qe papë në kohën e Perandorit Kostandin, që u njohu të krishterëve lirinë
e kultit. Gjatë papnisë së tij, reformoi kalendarin dhe përdori për herë të parë shprehjen
e përgjithshme “ditët e javës”, në sa para tij i kushtoheshin perëndive pagane. Është
Papa që në vitin 325 thirri Koncilin I ekumenik të Nikesë, gjatë punimeve të të cilit
u miratua ‘Besojma’ e cila, duke iu kundërvënë doktrinës së Arit, ripohon hyjninë
e Jezu Krishtit: “Hyj i vërtetë prej Hyjit të vërtetë, i lindur e jo i krijuar, me
të njëjtën natyrë me Atin”. Papa Silvestri nuk pati kurrfarë mundësie të ishte
i pranishëm në diskutime: vendimet që u morën, iu komunikuan me respekt e solemnitet.
Po ai mbeti keq, pse, jo për faj të tij, nuk mundi të jepte mendimin për një vendim
kaq të rëndësishëm në historinë e krishterimit, që do t’i bënte ballë shekujve.
I
pafat edhe historikisht ky papë, pa faj edhe këtë herë: për disa shekuj me radhë u
besua si i vërtetë një dokument, i quajtur ‘donacioni kostandinian”, me të cilin perandori
i dhuronte Silvestrit e pasardhësve të tij, qytetin e Romës dhe disa provinca të tjera
italiane. Ky dokument, vërtetësia e të cilit dyshohej në shekullin X, në shekullin
XVI do të konsiderohej i rremë.
Një vit pas vdekjes, Papës Silvestri iu kushtua
festa e 31 dhjetorit, ndërsa në Kishën lindore përkujtohet më 2 janar. Është Papa
i parë që u lartua në nderimet e elterit, pa qenë martirizuar. U varros në katakombet
e Prishilës në rrugën romake Salaria, por pjesa më e madhe relikeve të tij ruhen në
Kishën romake kushtuar Shenjtit.