2014-12-31 13:59:34

Gëzuar Vitin e Ri ! T’ia besojmë Zotit çdo çast të jetës


Çdo vit sjell me vete gëzime e dhimbje, realizime e dështime, perspektiva e çështje që presin zgjidhje. Po sidoqoftë, ende pa e kapërcyer mirë kufirin ndërmjet dy viteve, sonte le t’ia lartojmë Zotit lutjen tonë të falënderimit e të mirënjohjes për të mirat që ka bërë për ne dhe për të gjitha çastet që kemi përjetuar gjatë këtij viti që po mbaron.
Po kështu, t’i lutemi Zotit që të na jap forcën të vijojmë udhën e jetës në Vitin e Ri, që po agon, të bindur se përmes planeve të mistershme të shtegtimit tonë tokësor, prej Zotit na vjen ngushëllimi, gëzimi, forca e paqja dhe çdo e mirë që mund të dëshirojë zemra jonë. Hyji është Atë që pret e don çdo njeri, secili prej nesh. Në Të e kemi pikënisjen e cakun e jetës.
Sonte, ndërsa në ora 24 të mesnatës, Viti 2014 ia le vendin Viti të Ri 2015 e njerëzit shtrijnë dorën e lartojnë gotat për t’i uruar njëri-tjetrit një Motmot të Ri të gëzuar e në qiell ndizen yjet e dritat e fishekzjarrëve, Papa, i lutët Zotit që Viti Ri të jetë Vit i Paqes, i mbrojtjes së dinjitetit të njeriut e të mjedisit, vit për të ndërtuar një qytetërim të ri mbështetur mbi mirëkuptimin dhe të vërtetën.
Pritja e Vitit t Ri në lutje drejtuar Hyjit nga Papa, tashmë prej shumë vitesh është bërë një traditë që nga Papa Gjoni XXIII e deri më sot. Kështu, në orën e kësaj mesnate, Papa do t’i jap lamtumirën një viti të ngarkuar me shqetësime, frikë, mosmarrëveshje e konflikte dhe situata të vështira në vise të ndryshme të botës me shpresën në Zotin e nxitjen drejtuar të gjithë njerëzve vullnet të mirë, të punohet e ndërtohet një rend i ri njerëzor në paqe e respekt të anasjelltë.
Orët e fundit, të jenë orë feste e gëzimi, vëllazërimi e miqësie, po edhe orë meditimi për të kaluarën e orë shprese për të ardhmen!
Ora e fundit e çdo viti sjell me vete një hir të posaçëm Hyjnor. Ky hir i Zotit kuptohem më mirë në mbrëmjen e 31 dhjetorit, që na bashkon sot ndër Kisha për të falënderuar Hyjin. Kjo orë e fundit i dhurohet besimtarëve e çdonjërit prej nesh si një çast faljeje e hiri. Duke marrë prej Zotit “hire e përmbi hire”, i afrohemi ditë pas dite, vit pas viti, orës sonë të fundit mbi tokë, që e di vetëm Ati Qiellor.
Të mbledhur sot tok, për të ndjerë veten në bashkim me Jezu Krishtin, në përfundim të këtij viti, akoma përplot me dritën e Krishtlindjes, drejtojmë vështrimin nga e ardhmja. Që prej mëse 2000 vjetësh e sodisim Zotin në lavdinë e Tij, “në atë lavdi që i Njëlinduri e marre prej Atit, plot me hir e me vërtetësi”.
Ja, pra, ky është themeli i shpresës sonë, ja pse besojmë në mënyrë të patundshme se qielli e toka do të mbarojnë, por s’do të mbarojnë kurrë fjalët e Tij Hyjnore e jetëdhënëse. Të shkojmë, pra, pas Krishtit. T’i kapërcejmë së bashku me të kufijtë e kalendarit, që ndajnë vitet, e së bashku të hyjmë në Vitin e Ri, që fillon këtë mesnatë.
Në këtë orë solemne, mbarë kombet e tokës, që kanë parë shpëtimin e Hyjit tonë, bashkojnë zërat në himnin e lavdërimit e të mirënjohjes. Jemi plot mirënjohje për kohën që Hyji na ka dhuruar, për kohën e kaluar që perëndon e largohet...shkojmë drejt kohës së re, të ndërgjegjshëm për forcën që na ka dhuruar Jezu Krishti në Shpirtin Shenjt Zot. Ta lavdërojmë, pra, e ta falënderojmë Zotin dhe t’i lutemi që të ndriçojë me dritën e Tij të amshuar të gjitha ditët e Vitit të Ri që po lind.
Dëgjues e shqiptarë të nderuar e të dashur, ju falënderojmë për vëmendjen tuaj, sot e çdo ditë, të këtij viti që po lëmë pas, e Zoti që kurorëzon këtë Vit me mirësi hyjnore, ju pasuroftë me dhanti e të mira qiellore gjatë Vitit të Ri.
T’i lutemi pra Zotit ta bëjë secilin nga ne, tharm të vërtetë shprese në mjediset e ndryshme, që të mund të ndërtohet për të gjithë një ardhmëri më e mirë. E ky është urimi jonë për të gjithë Natën e një Viti të ri, urim që ia besojmë ndërmjetësisë amtare të Marisë Virgjër, Nënës së Hyjit e Yllit të shpresës!.
E Urimi jonë për Vitin e Ri shndërrohet në lutje drejtuar Zotit, që t’i bëjë të frytshme përpjekjet e të gjithëve. T’ia besojmë, pra, Atij dëshirat e planet tona njerëzore. Atij t’ia lartojmë lavdet e lutjen plot besim:
Ty, o Atë i jetës,
Zanafillën pa fillesë,
E mira e pambaruar e drita e amshuar,
Me Birin e me Shpirtin Shenjt,
Nderim e lumturi, lavdi e mirënjohje,
Në shekujt pa mbarim. Amen!

Në Ty, o Atë i jetës shpresuam
e në Ty do ta mbështesim përsëri shpresën tonë.
Ti, në Krishtlindje i solle gëzimin botës,
duke rrezatuar mbi rrugën e njerëzve e të popujve dritën tënde,
të cilën s’ka forcë që mund ta shuajë.

Urojmë që çdo njeri vullnetmirë të provojë e shijojë dashurinë dhe paqen tënde Hyjnore, o Atë i ynë Qiellor. Amen!”
Gëzuar Vitin e Ri plot paqe e të mira!







All the contents on this site are copyrighted ©.