2014-12-31 10:30:37

Fides: 26 veprimtarë baritorë të vrarë në 214-tën, 17 janë priftërinj


Ishin 26, veprimtarët baritorë, nga të cilët, 17 meshtarë, vrarë gjatë vitit 2014: tre më shumë se vitin e kaluar. Të dhënat pasqyrohen në Raportin që agjencia Fides u kushton çdo vit anëtarëve të Kishës katolike, në shumicën e rasteve, viktima të dhunës së ushtruar gjatë shërbesës së tyre. Për të gjashtën herë, nënvizohet në Raport, numri më i madh i veprimtarëve baritorë të vrarë regjistrohet në kontinentin amerikan.
Ndoshta pikërisht për heroizimin e gjestit të tyre, shumë të madh, sepse “normal” e pa bujë, në këtë listë spikasin këta meshtarë, këta rregulltarë, këto rregulltare, këta laikë, që u panë sy më sy me virusin ebola, që qëndruan mbi kokën e njeriut të goditur, një hap larg fundit, për ta vënë më pas në lojë edhe jetën e vet.
Katër sivëllezërve, rregulltares dhe 13 veprimtarëve baritorë të Fatebenefratelli, vdekur në Sierra Leone e në Liberi, Raporti i Fides u kushton një paragraf më vete. Ebola e dhjetoi Urdhërin në këto vende aq, sa të kujton Motrat e Varfra të Bergamos, që sëmundja e tmerrshme i pati mbytur në vitin 1995 në Kongo, për të cilat në vitin 2013 nisi procesi i Shenjtërimit.
Prej 26 viktimave të regjistruara në Raport, vdiqën nga dora e njerëzve të dhunshëm, me synime të ndryshme, 17 priftërinj, një rregulltar, 6 rregulltare, një seminarist e një laik. Më se gjysma, 14 vetë, u mbytën në Amerikë – ndërmjet tyre, 12 priftërinj; 7 veprimtarët e tjerë, 2 priftërinj e 5 rregulltare, vdiqën në Afrikë; të tjerët, në Azi (1 prift, e një rregulltare), në Oqeani(1 prift, 1 laik) e në Evropë, ku humbi jetën 1 prift.
Raporti i Fides, duke i kujtuar këta njerëz, nuk e përdor fjalën “martirë” në kuptimin e saj të mirëfilltë, por në atë të dëshmitarit, e kjo ,për të mos hyrë në kompetencat e Kishës, që do ta vlerësojë, pastaj, secilën nga figurat e këtyre njerëzve, rënë duke i shërbyer Kishës e njeriut. E kjo, edhe pse shumica gjetën vdekjen gjatë përpjekjeve për rrëmbime ose vjedhje nga njerëz të zvetënuar, që ua morën jetën me egërsinë më të madhe. Fundi i tyre tregon më së miri se jetuan atje, ku ka varfëri të jashtëzakonshme ekonomike e kulturore, ku ka intolerancë e kriminalitet në shkallë të lartë.
Ndonjëri prej tyre u vra nga vetë njerëzit, që i ndihmonte; të tjerë ia hapën portën kujt kërkonte ndihmë e u sulmuan pikërisht prej tij; të tjerë akoma, e humbën jetën gjatë vjedhjeve, ndërsa mbetet i paqartë e ndoshta nuk do të zbulohet kurrë shkaku i disa sulmeve të përfunduara tragjikisht. Në çdo rast, sqarohet se asnjëri prej tyre nuk kreu veprime e gjeste të bujshme, por jetoi me durim, përvujtëri e angazhim të përditshëm, për ta dëshmuar Krishtin e Ungjillin në këto situata të ndërlikuara.
Raporti flet edhe për dënimin e atyre, që nxitën vrasjen e ipeshkvit ë Rioja (Argjentinë), imzot Enrique Angelelli, 38 vjet pas vrasjes të prelatit, fundi i të cilit qe maskuar pas një aksidenti rrugor. E u dënuan edhe dhe nxitësit e vrasjes së imzotit Luigi Locati, mëkëmbës apostolik i Isiolo, në Kenia, mbytur më 2013, ndërsa përfunduan në pranga përgjegjësit për vrasjen, më 2013, të atë Tomasit, rektor i Seminarit të Bangalores, në Indi.
Radhët e fundit janë plot me shpresë për fatin e veprimtarëve baritorë të rrëmbyer ose të zhdukur, nga të cilët nuk ka asnjë lajm prej kohe, siç janë tre meshtarët kongolezë Agostinianë të Të Ngjiturit të Zojës në Qiell, rrëmbyer në veri të Kivusë, në Republikën Demokratike të Kongos, në tetor 2012. Ose jezuiti italian, atë Paolo Dall’Oglio, rrëmbyer në Siri vitin e kaluar; ose, akoma, atë Alexis Prem Kumar, rrëmbyer më 2 qershorin e kaluar në Herat të Afganistanit. Listave të hartuara nga Agjencia Fides, u duhet shtuar – shënohet në fund të Raportit - edhe lista e gjatë e të tjerëve, nga të cilët ka shumë mundësi të mos kemi kurrë lajme, ose e atyre, që nuk u dihet as emri e që, në çdo skaj të planetit, vuajnë dhe e paguajnë me çmimin e jetës besimin e tyre në Jezu Krishtin.







All the contents on this site are copyrighted ©.