2014-12-30 11:56:41

“Ju kumtojmë lajmin e mirë”: Koha sipas Biblës


Në rubrikën radiofonike të së martës “Ju kumtojmë lajmin e mirë”, me priftin shqiptar dom Marjan Palokën, vijojmë reflektimin biblik, kësaj radhe, në pragun e fund vitit, ndalemi te domethënia që ka ‘koha’ sipas Shkrimit të Shenjtë. Bibla, pra, zbulim i Zotit trashendental, hapet e mbyllet me shënime për kohën: “Në fillim Zoti krijoi qiellin e tokën” (Zan 1,1), “Po, po vij shpejt” (Zb 22,20). Kështu Hyji nuk kuptohet aty në mënyrë abstrakte në thelbin e vet të amshuar si ndodh te Platoni apo te Aristoteli, por përmes ndërhyrjeve të veta në kohë e në tokë, që e bëjnë historinë e botës një histori të shenjtë. Për këtë arsye zbulimi biblik mund t’u përgjigjet pyetjeve, që ndërgjegjja njerëzore, e ndikuar nga zhvillimi, shtron rreth kohës, sepse edhe vetë ka një strukturë historike e një kalendar. Sipas Shkrimeve të Shenjta biblike, para që koha të niste, nuk ekzistonte asgjë përveç Hyjit; e pas mbarimit të kohës, njerëzit e zgjedhur dhe engjëjt do të ndajnë amshimin bashkë me Hyjin. Koha është vetëm një çast (Ps 90,4; 2Pt 3,8) me një fillim e një mbarim të paracaktuar (Zb 10,6). Hyji krijues i ka caktuar vetë ritmet, të cilave u bindet natyra: ndryshimet e ditës dhe të natës (Zan 1,5), lëvizja e trupave qiellorë që drejton njërën e tjetrën (1, 14), kthimi i stinëve (8,22). Fakti që këto cikle ndërrohen me intervale të rregullta, është një shenjë e rendit që Hyji ka vënë në krijimin e vet (khs Sir 43).
Të gjithë popujt i kanë cikle si bazë për matjen e kohës. Shën Agostini përgjigjet në pyetjen mbi kohën: “Nëse ndokush më kërkon, unë e di. Por nëse më duhet t’ia shpjegoj një tjetri që ma kërkon, atëherë nuk di”. Përvoja njerëzore e kohës lëviz ndërmjet sigurisë të të qenurit të një ngjarje e pasigurisë të së ardhmes që i ikën kontrollit njerëzor.
Pra koha e matur me kalendar, nuk është një gjë thjesht profane, besimi e shenjtëron, po të ndalemi te botëkuptimi i kohës në Bibël e ta dëgjojmë reflektimin e dom Marjan Palokës.......RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.