2014-12-30 14:05:11

Vëllait Alois, epror i Bashkësisë së Taizé-së: Të kërkojmë arsyet që i japin shpresë Evropës


‘Jini kripë e botës që ka nevojë të gjejë përsëri shijen e Zotit”. Ky është urimi që Papa Françesku u drejtoi mijëra të rinjve e të rejave, ndër ta edhe një numër të të rinjve shqiptarë, që takohen deri më 2 janarin e ardhshëm në Pragë për lutjen tradicionale të fund vitit organizuar nga Bashkësia e Taizè-së.
“Shtegtimi i besimit në tokë, është një udhëtim – pohoi Papa në mesazhin e tij – për t’u jetuar në uratë e dialog të anasjelltë. Përmes Shpirtit të vet, që banon në ju, Krishti ju fal këtë dhuratë të të qenurit kripë e tokës, sepse do që t’i jepni përsëri botës shijen e saj të vërtetë përmes zbulimit të bukurisë së bashkësisë e bashkimit me Zotin ndërmjet vëllezërve”.
E kujtojmë se nuk është hera e parë që të rinjtë mblidhen në Pragë: u mblodhën edhe një herë tjetër, në një çast tepër domethënës për Evropën: menjëherë pas rënies së Murit të Berlinit.
Pse u zgjodh përsëri Praga si vendtakimi? Përgjigjen ia kërkuam Vëllait Alois, epror i Bashkësisë së Taizé-së:

Përgjigje: - Po, ishim këtu në vitin 1990, një vit pas revolucionit në Çekosllovaki. Tani gjendja ka ndryshuar shumë. Duhet të kërkojmë arsyet që i japin shpresë Evropës së sotme, që u japin shpresë edhe të rinjve, për të pasur besim në Hyjin, duke jetuar me këtë besim. Të krishterët e Republikës Çeke janë pakicë e, ndoshta, mund të shikojmë ç’do të thotë të jetosh si pakicë, por ama si kripë e tokës

Pyetje: - Praga, pastaj, është në zemër të Evropës, e ky takim ka për qëllim të nënvizojë pikërisht se jemi një familje e vetme…

Përgjigje: - Po, i jemi mirënjohës edhe popujve të Evropës qendrore e të Evropës lindore, ngaqë besuan se e pamundura mund të bëhej e mundur: rënia e Murit të Berlinit. Sot kërkojmë mënyrën për të vijuar ndërtimin e Evropës. Në këtë takim marrin pjesë shumë të rinj nga Ukraina, nga Bjellorusia e dhe nga Rusia e duam t’u shprehim solidaritetin tonë.

Pyetje: - Tema që zgjodhët për këtë vit?

Përgjigje: - Tema e takimit janë fjalët e Jezusit: “Ju jeni kripa e tokës”. Kjo do të thotë se nuk jemi të krishterë vetëm me statistika e numra, por me forcën e Ungjillit, të cilin mund ta jetojmë duke u angazhuar për paqen, për drejtësinë, secili në vendin ku jeton. Në Taizé nuk duam të krijojmë një lëvizje të organizuar, por të forcojmë vetëdijen se vërtet jemi të shpërndarë nëpër botë, por njëkohësisht ekziston një forcë paqeje e drejtësie mbi këtë dhe.

Pyetje: - Programi i takimit është shumë i pasur me lutje, reflektime, çaste shkëmbimi të përvojës në famullitë, që mikpresin të rinjtë…Pastaj, më 31 dhjetor, Mbrëmësorja e lutjes për paqen: çast shumë domethënës, posaçërisht këtë vit…

Përgjigje: - Po, sepse të gjithë vuajmë nga mungesa e paqes në Lindjen e Mesme e në Evropë. Do të jetë këtu edhe një grup libanez e do të lutemi me ata, të cilët me guxim të madh, strehuan një mori refugjatësh nga Siria dhe Iraku. Jemi të afërmit e tyre, pra, në këtë situatë.







All the contents on this site are copyrighted ©.