2014-12-30 11:56:26

Gjergj Fishta, 74 vjet pasi ndërroi jetë


Gjergj Fishta (23. 10. 1871- †30. 12. 1940) lindi në fshatin Fishtë të Zadrimës më 23 tetor 1871 në familjen e Ndokë Simon Ndocit dhe Prendës të Lazër Kaçit prej Kotrri. Në pagëzim u quajt Zekë. Ishte pagëzimi i parë. Në “të dytin”, kur vendosi t’ia kushtojë gjithë jetën Zotit në Urdhërin e Fretërve të vegjël, e ndërroi emrin me një tjetër, i cili do të bëhej i pamort për gjithë ata, që e duan Shipërinë: u quajt Atë Gjergj Fishta! RealAudioMP3 Të flasësh për Fishtën dhe veprën e tij, duhen shumë fjalë, shumë kohë, shumë mahnitje, shumë kureshtje, shumë gërmime, shumë dëshmi... Vetëm bibliografia e veprës së tij përfshin me qindra tituj, që shtohen çdo ditë...
Ndërmjet dy datave më të rëndësishme të jetës: lindjes e vdekjes, ai bëri aq, sa rrallë herë ka bërë kush për Shqipërinë. Në të gjitha drejtimet e mundshme: nga letërsia, tek diplomacia ndërkombëtare. Çudi si i doli jeta për të lënë pas një pasuri kaq të madhe, ai që s’kishte tjetër gjë pas shpirti veç zhgunit të vrashtë të Shën Françeskut. E që mbeti deri pa varr!
E tepërt, të radhisim këtu veprat, që e lartuan në majat e epikës e, sidomos, të satirës, jo vetëm shqiptare, atë që vendas e të huaj e quajtën “Homeri i fundit”.
Gjithsesi po i kujtojmë disa, në botimet e tij të para:
Lahuta e Malcíse – poemë epike (Zarë,1925)
Anzat e Parnasit - satirë (Sarajevë, 1907)
Pika voese, më vonë ribotuar si Vallja e Parrizit (Zarë, 1909)
Shqyptari i gjytetnuem - melodramë (1911)
Shqyptarja e gjytetnueme – melodramë(1912)
Vëllaznia apo Shën Françesku i Assisi-t (1912)
Hylli i Dritës - revistë (1913) themelues.
Juda Makabé - tragjedi (1914)
Gomari i Babatasit (Shkodër, 1923)
Mrizi i Zânavet (Shkodër, 1924)
Sh. Luigji Gonzaga, (Shkodër 1927)
Lahuta e Malcís – Botimi i plotë (1937)
Jerina ase mbretnesha e luleve (Shkodër, 1941)
Tashmë françeskanët i kanë botuar shumë nga veprat e Fishtës, duke nisur nga vepra poetike, për të vijuar me satirën, prozën e dramën. Derisa të plotësohet Opera Omnia! Por a shterohet ujët e oqeanit poetik të Gjergj Fishtës? Ka ende shumë për të gërmuar, për të shkruar, për të hulumtuar rreth Personalitetit të tij. Duke përfshirë, këtu, edhe këngët e Lahutës, kënduar nga rapsodë e edhe nga njerëz të thjeshtë, kur vepra e Fishtës ishte e ndaluar!
Cili nga shkrimtarët e letërsisë shqipe, (ndoshta edhe botërore) mund të krenohet se vepra e tij e ndaluar mbijetoi duke u përcjellë gojë më gojë si këngë popullore? Fenomen letrar për t’u studiuar, edhe ky. Si sa e sa të tjerë, lënë në harresë
Ashtu si po vijon të lihet ende në harresë rindërtimi i shtëpisë së tij atërore, në rrënim e sipër, ndonëse bamirës, kryesisht kosovarë e vëllezër myslimanë, he u lumtë! janë gati ta kthejnë në shtëpi muze, pa marrë parasysh pengesat që u dalin shi nga ata, të cilët duhet ta kishin ndërtuar kahmot! Një dhomë muze e meriton edhe në kuvendin françeskan, sepse veprat atje i krijoi. Atje e në Troshan. Ndonëse nuk ka pikë nevoje as për muze as për dhomë muze, sepse ai vetë, bashkë me Zanen e tij bjeshkatare:
“Ndertue ka ‘i pomendare,
Rrfe as mot mos m’e dërmue”.
Në përfundim të këtij përkujtimi tejet të shkurtër, nuk mund të harrojmë edhe se mendjet më të ndritura të kohës kërkuan për Fishtën epitetet më të zgjedhura, që të shprehnin admirimin e tyre, duke nisur nga Lasgushi, pena e madhe lirike e të cilit i dhuroi pendës gjeniale epike një titull të denjë: “Shkëmb i tokës dhe shkëmb i shpirtit shqiptar”.
Ndërsa Faik Konica e pikturon kështu portretin e Poetit Kombëtar:
“Fishta kishte gjallëri e shpirt sa të gjithë fretërit e kuvendit të tij marrë së bashku. Ndërsa kuvendi ishte zemra e shpirti i qytetit.
Fytyra e tij ishte pikturë e mendjes së Poetit.
Ai nuk e përshkroi Shqipërinë. E krijoi, ashtu si nuk ishte, si nuk kishte qenë , si nuk do të ishte, ashtu si e dëshironte ai vetë: të përkryer. Sepse e donte më fort se veten. Besonte në të!”.










All the contents on this site are copyrighted ©.