2014-12-30 13:41:56

Françesku: gënjeshtër të thuash se ka jetë të padenja për t’u jetuar


Është gënjeshtër e madhe të krijosh bindjen se ka edhe jetë të padenja për t’u jetuar: kështu shkruan Papa në mesazhin për Ditën Botërore të të Sëmurit, që do të kremtohet më 11 shkurt 2015, me temë: “Sapientia cordis. Isha sy për të verbrin e këmbë për të çalin”, shkëputur nga Libri i Jobit (Jb 29,15).

“Udhë e madhe shenjtërimi” ajo e njerëzve, të cilët rrijnë pranë të sëmurëve e kujdesen për ata, që kanë nevojë për asistencë të vazhdueshme. Papa Françesku, në mesazhin e tij me rastin e Ditës XXIII Botërore të të sëmurit (11 shkurt 2015), u drejtohet jo vetëm atyre, që mbartin peshën e rëndë të sëmundjes, por edhe profesionistëve e vullnetarëve që punojnë në fushën e shëndetësisë, të cilët kanë “sapientia cordis” – “dijen e zemrës”. Të kesh dijen e zemrës, shpjegon Papa Françesku, do të thotë t’i shërbesh vëllait.
Duke rikujtuar fjalët e Shën Jobit: “Isha sy për të verbrin, këmbë për të çalin”, Papa vë theksin mbi përmasën e shërbimit ndaj nevojtarëve të këtij njeriu të drejtë, që gëzon një farë autoriteti e zë vend nderi ndërmjet të urtëve të qytetit.
Sa e sa të krishterë, edhe sot, vijon Papa, e dëshmojnë, jo me fjalë, por me jetën e tyre të rrënjosur në fenë e vërtetë, se janë sy për të verbrin e këmbë për të çalin. Njerëz, që janë gjithnjë pranë të sëmurëve, të cilët kanë nevojë për asistencë të vazhdueshme: duhen larë, duhen veshur, duhen ushqyer. Ky shërbim, posaçërisht kur zgjat shumë, mund të bëhet edhe i lodhshëm e i rëndë. Nuk është punë e vështirë t’i shërbesh të sëmurit një ditë a dy. Por bëhet tejet i vështirë, kur shërbimi zgjat me muaj e me vite, deri në atë masë, sa i sëmuri nuk është më në gjendje as të falënderojë. E pra, pikërisht kjo është udhë e madhe shenjtërimi! Në këto çaste mund ta ndjesh në mënyrë të veçantë afërsinë e Zotit. Është shërbim ndaj njeriut, por edhe ndaj Kishës.







All the contents on this site are copyrighted ©.