2014-12-29 15:34:55

Papa Françesku: gjurmët e shpërdorimeve mbi të miturit janë si dënesë me zë të lartë


Papa Françesku i shkroi një kartolinë urimi për Krishtlindje Roberto Piazza-s, stilist i njohur argjentinas, që pati guximin t’i denonconte shpërdorimet seksuale pësuar që kur ishte fëmijë e, më pas, u angazhua në ndihmë të fëmijëve, viktima të pedofilisë, duke i dhënë zemër ta vijojë këtë detyrë.
“Këto ditë, shkruan në spanjisht Papa në kartolinën, datuar 17 dhjetor e botuar nga vetë Piazza në profilin e tij Twitter, u mblodh në këtë shtëpi të Shën Martës komisioni për mbrojtjen e të miturve, që e themelova në fillim të këtij viti. Puna kryesore është parandalimi i shpërdorimeve seksuale mbi të miturit. Po punohet mirë. Gjurma që lënë shpërdorimet seksuale mbi viktimat, janë si dënesë e fortë, me zë të lartë. Ju përgëzoj për punën që bëni në këtë fushë”.
Jorge Mario Bergoglio i përgjigjet, me këtë kartolinë, urimeve të vetë Piazza-s: “Dje mora kartolinën tënde të 28 nëntorit të kaluar, së bashku me Rruzaren, librin e cd-në. Shumë faleminderit! Zoti ju shpërbleftë për delikatesën tuaj. Rruzarja është shumë e bukur. Do ta lexoj librin e do ta shikoj cd-në”.
Letra përfundon, si zakonisht, me një kërkesë: “Mos harroni të luteni për mua”.







All the contents on this site are copyrighted ©.