2014-12-29 14:49:44

Françesku të rinjve të Taizé-së: hapni shtigje lirie


Që sot e deri më 2 janar, Praga do ta mikpresë Takimin e 37-të të të rinjve të Taizé-së, etapë e “Shtegtimit të besimit mbi tokë”, në të cilin priten rreth 30 mijë të rinj nga Lindja dhe Perëndimi i Evropës. Pothuajse 2 mijë, vullnetarët e angazhuar në organizimin e kësaj ngjarjeje, ndërsa famullitë e familjet janë tashmë gati për t’i përbujtur pjesëmarrësit: ortodoksë, katolikë e protestantë. Grupi më i madh është ai i italianëve, pas të cilit, i polakëve dhe i ukrainasve.
Këtyre të rinjve u drejtohet Papa, duke i porositur që gjatë takimit 2015 në Pragë, të kërkojnë në lutje e në dialogun reciprok mundësinë “për të qenë kripë e tokës”, që është edhe tema e takimit. Françesku i inkurajon fuqimisht për këtë kërkim. Në të, nënvizon, do të gjeni besimin mahnitës, që vë Krishti në shpirtin tuaj, e më pas porosit: “Mos u trembni nga kufizimet tuaja e nga varfëritë tuaja. Me Shpirtin e Tij, që banon në ne, vetë Krishti ju bën kripë e tokës. Ai vjen për t’i dhënë botës shijen e vërtetë, përmes zbulimit të bukurisë së bashkimit me Hyjin e ndërmjet vëllezërve e motrave”.
Pastaj, duke kujtuar 25-vjetorin e rikthimit të demokracisë në Republikën çeke, Papa u drejton të rinjve thirrjen: “Mos i harroni, në lutjen tuaj, martirët, si dhe ata, që e dëshmuan fenë e tyre. Këta burra e gra vullnetmira përmes dhurimit të vetvetes, e nganjëherë me çmimin e vuajtjeve të rënda, krijuan mundësitë që vendi i tyre të ecte përsëri në udhën e lirisë”.
Pastaj ftesa drejtuar të rinjve: “Edhe ju jeni të ftuar të hapni shtigje të reja të lirisë, duke dhuruar vetveten me gatishmërinë e Marisë së Nazarettit, kur priti në kraharor jetën e Birit të Hyjit. E kjo jetë duhet të zhvillohet edhe në shpirtin tuaj”.
Papa beson në fantazinë e në frymën krijuese të të rinjve, beson se përmes këtyre “shtegtarëve të fesë” gëzimi i Ungjillit do të kumtohet e do të dëgjohet në vendet prej nga vijnë e ku do të rikthehen. Kështu do ta çojnë Jezusin në çdo udhë, në çdo shesh, në çdo skaj të tokës (Evangelii Gaudium” n.106). Në përfundim të mesazhit papnor, bekimi apostolik nga thellësia e zemrës për të rinjtë pjesëmarrës, vëllezërit e Taizé-së, barinjtë dhe të gjithë njerëzit, që i mikpresin në Pragë e në rrethina.







All the contents on this site are copyrighted ©.