2014-12-29 13:51:58

Atë Lombardi: 2014-ta e Papës Françesku, nën shenjën e takimit


2014-ta ishte një tjetër vit shumë i ngarkuar me veprimtari të të gjitha natyrave për Papën Françesku: të shumta, ngjarjet e rëndësishme, por çka lë më shumë gjurmë në zemra janë, ndoshta, pamjet e përditshme të Papës ndërmjet njerëzve, përqafimet me ta, posaçërisht me fëmijët e të sëmurët. Për bilancin e këtij viti të papnisë, duke nisur nga pesë shtegtimet ndërkombëtare: Toka Shenjtë, Koreja, Shqipëria, Strasburgu e Turqia, të dëgjojmë drejtorin e Sallës vatikanase të Shtypit, atë Federiko Lombardi, në mikrofonin e Radio Vatikanit.. RealAudioMP3 :
Shtegtimet ndërkombëtare
Përgjigje: - Ka shumë gjëra për t’u thënë. Dëshiroj të kujtoj, sidomos, se është gjë e bukur që edhe Papa Françesku mundi të shtegtojë në Tokën Shenjte, si paraardhësit e tij, sepse kjo është si të rikthehesh tek rrënjët e fesë sonë, tek rrënjët e krishterimit, në viset e historisë së shëlbimit. E kjo ka një forcë simbolike e shpirtërore tejet të madhe. Kujtoj çastet kur Papa, i prekur thellë, ishte në brigjet e Jordanit, në viset e Pagëzimit, e natyrisht, pastaj, tek Varri i Shenjtë e kështu me radhë. Janë gjëra themelore per fenë tonë e është e drejtë që Papa të rikthehet në këto vende, për të na e kujtuar prej nga vijmë, për të na sjellë në mendje misterin e takimit të Krishtit me njerëzimin. Por nuk duhen harruar edhe shumnë aspekte të tjera të këtyre shtegtimeve. Dëshiroj të kujtoj aspektin e ekumenizmit: si takimi në Jeruzalem, ashtu edhe takimi i mëpasëm, në Kostandinopojë, me Patrikun Bartolomeu, flet vetë e tregon sa e thellë është kjo miqësi, kjo lidhje personale, që ka krjuar Papa Françesku me Patrikun e parë të ortodoksisë. Ashtu si tregon se kjo është shenjë shprese për udhën tonë të ardhshme ekumenike.
Shumë i rëndësishëm, kufiri i Azisë: Papa sivjet shtegtoi në Kore e, pas pak javësh, do të shkojë drejt Sri Lankës e Filipineve. Paraardhësi i tij nuk mundi të shkonte në Azi. Këto shtegtime të mëdha të Papës Françesku flasin qartë për vëmendjen e Kishës drejt kësaj pjese mbizotëruese të njerëzimit të sotëm e të nesërm, edhe në këndvështrimin demografik, të pranisë njerëzore tronditëse nga ana e përmasave të edhe e gjallërisë së saj e, për Kishën, terren i pakufishëm për ugjillëzimin, për kumtimin e Ungjillit në situata kulturore, shoqërore e politike shumë të ndryshme, shpesh tejet të vështira. Prej këndej, mund të themi se është një nga frontet e Kishës së kohës sonë. E Papa Françesku na e tregoi këtë me shtegtimet e tij entuziazmuese. Për të mos u harruar, edhe përmasa evropiane: kujtojmë shtegtimin e shkurtër në Shqipëri, domethënës edhe ky, ngaqë tregon se Papa dëshiron të niset nga periferitë, për të arritur në zemër të kontinentit. E më pas Ati i Shenjtë shkoi edhe në Strasburg: shtegtim shumë i shkurtër, por themelor, sepse i krijoi Françeskut rastin të fliste për Evropën, për vendet evropiane e për kontinentin; një fjalim i gjatë, i hollësishëm, që preku të gjitha perspektivat e që pritej shumë. E tani mbetet pikë referimi për fjalime të tjera, që mund t’u drejtojë popujve të veçantë ose për situata të ndryshme, që kanë të bëjnë me kontinentin tonë. Një hollësi e veçantë, që dua të vë në pah për këto shtegtime, është përmasa e martirizimit: si në Kore, ku historia e Kishës u karakterizua nga martirizimi, ashtu në Shqipëri, ku martirizimi, në kohë jo shumë të largëta, nën komunizëm, qe tejet i fortë, e edhe në Lindjen e Mesme, ku martirizimi është realitet aktual për shumë probleme, që dalin në ato vise, Papa takohet me këtë realitet e kujton aktualitetin e kësaj përmase në jetën e Kishës së të gjitha kohëve, e edhe të kohës sonë.

Dialogu ndërfetar
Pyetje: - Përsa i përket Turqisë, shumë i rëndësishëm ishte posaçërisht dialogu ndërfetar…

Përgjigje: - Po. Ndër përmasat e papnisë së këtij viti, ajo e dialogut ndërfetar ishte shumë e rëndësishme e, në Turqi, u aktualizua, për të vijuar, pastaj, edhe gjatë shtegtimit në Shqipëri e në raste të tjera. Më duket se Papa është shumë i vetëdijshëm edhe për situatën e Islamit në botën moderne e kërkon të gjejë udhë të reja për marrëdhënie konstruktive, edhe për dialog, përsa është e mundur, duke shmangur, natyrisht, shfrenimet e duke dënuar të gjitha teprimet në përdorimin e dhunshëm të fesë.

Shenjtërimi i Papëve
Pyetje: - Nuk mund t’i harrojmë ngjarjet e mëdha të Shenjtërimit të Gjon Palit II e të Gjonit XXIII, si dhe lumnimin e Palit VI….

Përgjigje: - Po, besoj se emëruesi i përbashkët i këtyre ngjarjeve të mëdha është Koncili II i Vatikanit, në qendër të jetës e të shërbesës së këtyre tre Papëve, sepse Gjoni XXIII e thirri, Pali VI e çoi në port, e përfundoi dhe nisi ta vërë në jetë, ndërsa Gjon Pali II ia kushtoi papninë e tij të pakufishme pikërisht zbatimit të Koncilit II të Vatikanit. Prej këndej, këto tri figura papësh, përveç vlerës së jashtëzakonshme të dëshmisë së tyre të krishterë e njerëzore, lidhen ngushtë me këtë ngjarje të madhe të përtëritjes së Kishës së kohëve tona, me dialogun e saj të kohës sonë, bërë nga një Kishë e rinuar sipas shpirtit të Koncilit II të Vatikanit. Prej këndej, më duket se këto dy ngjarje shenjtërimi e lumturimi, e radhisin edhe papninë e Françeskut në hullinë e paraardhësve, në kuadrin e madh të Koncilit II të Vatikanit e të aktualizimit të tij në kohët tona.

Sinodi për familjen
Pyetje: - E këtë vit u mbajt edhe Sinodi për familjen, që ngjalli debate të ndezura edhe në vetë botën katolike…

Përgjigje: - Po, unë besoj se kjo vepër e madhe – që më duket se mund ta quaj ndërmarrje e vërtetë baritore - e Sinodit kushtuar familjes, me këtë udhë të bërë në etapa të ndryshme, nga Koncistori i kardinajve, tek asambleja e jashtëzakonshme, tek ajo e zakonshme, që e presim ende, e tek aktivizimi i bashkësisë së Kishës, është një nga veprimtaritë kryesore baritore dhe kishtare, që u vu për udhë nga Papa Françesku. Ndoshta kryesorja, në kuptimin se prek me të vërtetë jetën e të gjithëve: jetën e besimtarëve, por edhe jetën e tërë njerëzve të kohës sonë, sepse fjala që i kushtohet familjes, ungjillëzimit dhe realitetit familjar, është diçka që ka të bëjë pikërisht me të mirën e të gjithëve, me qendrën e jetës së secilit, të burrave e grave të kohës sonë. Ndërrmarrje shumë të guximshme, sepse Papa vuri mbi tryzë për diskutim tema sa të vështira, aq edhe delikate, por edhe diçka, për të cilën ndjehej vërtet nevoja. Me të drejtë u kujtua edhe nga papët e tjerë të cilët, në fillim të papnive të tyre, e zgjodhën temën e familjes si temë pune për sinodet e temë tejet të rëndësishme për shërbesën e tyre baritore. Prej këndej, vërehet se është diçka tepër urgjente, pikërisht për të shkuar drejt e në zemër, në botën ku jetohet, në përpjekjen për të kumtuar Ungjillin e për të hapur një udhë të mirë në jetën shpirtërore e njerëzore të bashkëkohësve tanë. E ne i urojmë me gjithë zemër Papës Françesku t’i prijë Kishës drejt reflektimit mbi temat vërtet themelore që kanë të bëjnë me familjen, pa u marrë me tema, të cilat mund të jenë të rëndësishme, por me karakter anësor, ose që mund të ngjallin polemika, pa e vënë theksin mbi pikat themelore, sepse me rëndësi për të gjithë, të tematikës familjare e tematikës për ta jetuar krishterisht këtë përmasë kryesore të jetës.

Drejtësia, paqja, të persekutuarit
Pyetje: - Mendojmë edhe për tema të tjera, të dashura nga Papa: për temën e paqes, të drejtësisë, të të varfërve, njerëzve të shfrytëzuar, skllavërisë, të krishterëve të persekutuar…

Përgjigje: - Papa, që në krye të papnisë, theksoi se donte t’i kujtonte të varfrit e periferitë, të gjithë njerëzit, që vuajnë, sepse kanë të drejtë për vëmendjen tonë, për solidaritetin tonë, për ndarjen e përbashkët të problemeve të tyre me ne. E këtë ne e shikojmë të preket vazhdimisht. Sivjet kemi situatën absolutisht dramatike në Lindjen e Mesme, me shumë njerëz, të krishterë e jo, që u detyruan të ikin, duke braktisur shtëpitë e tyre e duke pësuar vuajtje të jashtëzakonshme në jetën e tyre si refugjatë, ose njerëz, që jetojnë nën persekutime si viktima të dhunës së drejtpërdrejtë. E Papa nuk i harron kurrë në thirrjet, nuk i heq kurrë nga mendja, gjë që e tregon qartë Letra drejtuar të krishterëve të Lindjes së Mesme pikërisht dy ditë para Krishtlindjes. Por ka edhe tema të tjera të theksuara vazhdimisht, mbi të cilat përqendrohet vëmendja më e madhe e Kishës: po kujtojmë temat e Mesazhit të Papës për Ditën e Paqes së këtij viti, kundër skllavërive të reja, e edhe nismat e shumëfishuara pranë Akademisë së Shkencave e rregulltareve, kundër trafikut të njerëzve e kundër formave të tjera të shumta të dhunës e të skllavërisë së kohës sonë…Mund të them se Papa ka bërë pikërisht mobilizimin e Kishës, të njerëzve vullnetmirë, në këto fronte…

Reforma
Pyetje: -Cili është kuptimi i reformës që dëshiron Papa? Mendojmë edhe për fjalimin e rëndësishëm, mbajtur kohët e fundit para Kuries…

Përgjigje: - Papa ka vënë në lëvizje, që nga fillimi i papnisë, një projekt për reformimin e Kuries Romake. Por kjo duhet kuptuar mirë, sepse është vetëm një pjesë e planit për përtëritjen e Kishës, plan shumë më i gjerë, të cilin ai e formuloi në Nxitjen apostolike “Evangelii Gaudium”: ai i Kishës në dalje, i Kishës misionare, Kishës, që angazhohet e tëra në fushën e Ungjillëzimit, në shërbim të të cilit është edhe Kuria Romake, mjet për ta ndihmuar Kishën në misionin e saj. Reflektimi lidhur me këtë reformë me karakter edhe organizativ të Kuries, vijon sipas rregullave e sipas kohës së nevojshme për reflektim e këshillim që, natyrisht, është mjaft e gjatë. Por ajo, që më duket e rëndësishme për t’u theksuar, është se për Papën zemra e çdo reforme, është shpirtërore: reformat nisen nga zemra. Kujtojmë Jezusin, që thotë: “Sendet e mira e ato të këqija, vijnë nga zemra”, prandaj që aty duhet të nisesh për të rinuar e për të shëruar, kur ka ndonjë pengesë a vështirësi. Atëhere edhe fjalimet që mbajti para Krishtlindjes, si ai drejtuar Kuries, ashtu edhe Punonjësve të Vatikanit, fjalimi, që mbajti në përfundim të Sinodit, e thonë qartë si e drejton Kishën edhe me gjykim shpirtëror, për t’i shëruar në thellësi sjelljet tona, duke na bërë më besnikë ndaj Ungjillit; e me këtë, pastaj, mund ta ushtrojmë më mirë gjithë shërbimin tonë, gjithë veprimtarinë tonë të ungjillëzimit ose të shërbimit kishtar. Ja, pra, reforma është temë e përhershme e jetës së krishterë, temë e kthesës, e pendesës së të krishterit, e nuk duhet të jetë diçka e cekët, e sipërfaqshme, diçka thjesht organizative. Papa e ka thënë shumë herë se problemet nuk kanë të bëjnë kryesisht me prapavijën ose me organizimin, edhe në se këto mund të ndihmojnë, por kanë të bëjnë kryesisht me shpirtin, me thellësitë e zemrës njerëzore. Atëhere, këto fjalime të mëdha, sipas meje, vunë shumë mirë në dukje, në llojin e tyre, në mënyrën si u shtruan, kujdesin parësor të Papës për të shëruar në thellësi zemrën: të gjitha problemet ose pengesat, që mund të hasim, nganjëherë, jo vetëm me përmasë a karakter organizativ, kanë të bëjnë edhe me sjelljen, me aftësinë të dëgjuar, për të dialoguar, për të shërbyer, për të pastruar shpirtin. Ja, këto janë përmasat për të cilat e dëgjojmë të flasë çdo mëngjes edhe në homelitë e mbajtura në Shën Martë, në të cilat ai shpreh karakterin e tij plot madhështi shpirtërore, si prijës me frymën e traditës së ushtrimeve shpirtërore injaciane. Prej këndej, unë besoj se është shumë e rëndësishme të kuptohet kjo: se çdo reformë e vërtetë, që është problem i përhershëm në jetën e Kishës, duhet të gjejë pikënisjen e vet në thellësinë e zemrës, në përtëritjen e dritës së Ungjillit. Këtë na thotë Papa e na e kujton vazhdimisht.

Kultura e takimit
Pyetje: - Në përfundim, cila nga fjalët e karakterizon më mirë këtë 2014-të të Papës Françesku?

Përgjigje: - Fjalët, që përdor Papa Françesku e që të prekin, janë të shumta, kështu mund të zgjedhim disa. Një, që besoj se me kohë do të kuptohet gjithnjë më mirë e do t’i kapet gjithnjë më shumë kuptimi vendimtar, është ajo e kulturës së takimit. E kjo do të thotë se Papa Françesku, në marrëdhëniet me të tjerët, sillet si njeri që i takon njerëzit e që vë thellësisht në lojë jetën e vet e edhe qenien e vet, njeri që e kërkon tjetrin, bashkëbiseduesin, duke vënë në lojë vetveten. E atëhere mud të takohesh thellësisht. E mund të fillojnë nisma e dialogë të rinj, edhe nga ata që ndoshta ishin bllokuar nga një lidhje më e sipërfaqshme ose më formale. Më vjen në mendje kjo edhe përsa i përket metodës së marrëdhënieve të Papës me personalitetet e mëdha. Kujtuam më parë takimin me Patrikun Bartolomeu: është takim personal. Miqësi e vërtetë, e kjo na lë të kuptojmë se dhe në ekumenizëm mund të bëhen hapa përpara, për të cilat takimi ndërmjet njerëzve mund të japë shtytjen e të ndihmojë për përparimin e përmast e nevojshme, por jo shteruese, të dialogut teologjik, të takimit të ideve, të studimeve historike. Duhet edhe takimi i njerëzve në fe e në vullnet, për ta bërë të përparojë, sipas dëshirës së Krishtit, ecjen drejt bashkimit të Kishës, E, në një farë kuptimi, një shenjë tjetër shprese kjo, është lindja e lidhjeve të reja ndërmjet SHBA-ve e Kubës, për të cilat dy liderët falënderuan Papën Françesku për Letrën që u dërgoi. E kjo do të thotë se edhe me liderët jo fetarë, por të popujve, Papa ka sjellje shumë personale, tejet tërheqëse; manifeston karizmën e tij, aftësinë për të hyrë në zemrën e tjetrit e për ta ftuar të bëjë hapa, të vihet për udhë për të mirën e njerëzimit. Ja, kjo më duket diçka shumë e çmuar, shumë e rëndësishme e karakteristike për Papën Françesku. Pas fjalës “kultura e takimit”, të cilën unë në fillim e pata nënvleftësuar, gjej sjelljen, që të çon tek tjetri, në shumë përmasa: në atë fetare, shpirtërore e kështu me radhë, por edhe në atë me karakter ekumenik ose politik, gjë që flet për një karakteristikë të rëndësishme të kësaj Papnie.







All the contents on this site are copyrighted ©.