2014-12-28 10:29:59

Shenjtorët e javës 28 dhjetor – 4 janar


E diel 28 dhjetor, Kisha katolike kremton festën e Familjes Shenjte festën e Familjes së Shenjtë të Jezusit, Marisë e Jozefit. Familja e krishterë, kur e jeton dashurinë si bashkim e shërbim, si dhuratë reciproke, si bashkëpunim me të gjithë, përmes kthimit të vazhdueshëm në rrugën e Zotit, e ndihmuar nga Hiri Hyjnor, reflekton në botë shkëlqimin e Krishtit dhe bukurinë e Trinisë Hyjnore
Gjithnjë më 28 dhjetor, kalendari kishtar përkujton edhe Fëmijët martirë të Pafajshëm, të mbytur nga Herodi, në përpjekjen për të zhdukur Krishtin Foshnje. Fëmijët e vrarë nga Herodi i japin dëshmi Krishtit jo me fjalë, por me gjak. Ata na kujtojnë se martirizimi është dhuratë e Zotit.
Të hënën më 29 dhjetor, kalendari kujton Shën Tomën Beketi. U lind në Londër nga një tregtar i pasur dhe u bë kancelar i mbretit të Anglisë Henriku II, pastaj këshilltar dhe i besuari i tij. Kancelari i shkëlqyeshëm i mbretit u zgjodh udhëheqës shpirtëror i të krishterëve të Anglisë, u shugurua meshtar e ipeshkëv, por mbreti, që e kishte pasur mik, u bë armiku i tij. Tomas Beket u martirizua në katedralen e Londrës, i vrarë me shpatë para altarit. Ndërroi jetë duke thënë: “E pranoj vdekjen për Krishtin dhe për Kishën”.
Të martën më 30 dhjetor, kalendari përkujton Shën Feliksin. Në errësirën e Nazaretit, Jezusi Foshnje zhvillohet e rritet, kalon etapat dhe rrethanat e gjendjes së përditshme të jetës, duke shenjtëruar të gjitha momentet e jetës njerëzore.
Të mërkurën më 31 dhjetor, përkujtohet Shën Silvestri. Jetoi në periudhën ndërmjet fundit të përndjekjes së të krishterëve dhe fillimit të paqes kostandiniane. U bë ipeshkëv i Romës në vitin 314 dhe e drejtoi Kishën për njëzet vjet. Nën papnimin e tij u kremtua Koncili Ekumenik i Nicesë në vitin 325, organizoi jetën e Kishës së Romës dhe mbështeti ndërtimin e bazilikave të para. Vdiq në vitin 335 dhe varrimi bë më 31 dhjetor.

Të enjten më 1 janar, ditën e parë të Vitit të Ri, përkujtohet Maria e Shejtnueshme, Mbretëresha e Paqes. Virgjëra Mari është nëna e çdo njeriu që lind në Hyjin dhe Nëna e Kishës. Bashkë me Kishën Lindore e nderojmë si “Përherë Virgjër, të shpallur solemnisht Nënë e shejtnueshme e Hyjit nga Koncili i Efesit, me qëllim që Krishti të njihej, në kuptimin e vërtetë e të mirëfilltë, Biri i Hyjit dhe Biri i Njeriut”.

Të premten më 2 janar, përkujtohen Shën Bazili i Cezaresë e Shën Gregori i Naxianxit. Shën Bazili u lind në vitin 330 në Cezarenë e Kapadokisë nga prindër të shenjtë. Mori një edukatë letrare të thellë dhe jetoi me virtyt. Vendosi të përqafonte jetën heremitike, por në vitin 370 u bë ipeshkëv i qytetit të vet. Theksoi pa u lodhur temën e dashurisë, sidomos si angazhim për vëllezërit në nevojë. Luftoi kundër arianëve dhe shkroi vepra të shkëlqyeshme, veçanërisht rregullat murgare, që ndiqen edhe sot e kësaj dite nga shumë murgjër lindorë. Vdiq i varfër, siç edhe jetoi, në vitin 379.
Ndër miqtë e parë e më të çmueshëm të Shën Bazilit gjejmë Shën Gregorin e Naxianxit. E nxisnin njëri-tjetrin për të ushtruar virtytin e për të zgjeruar dijen. Edhe Gregori u lind në vitin 330, por jetoi më gjatë se Bazili. U shugurua prift e pastaj ipeshkëv i Kostantinopojës, por, për shkak të ndasive që e pllakosën kishën e tij, u tërhoq në Naxianx, ku ndërroi jetë në vitin 390.

Të shtunën më 3 janar, përkujtohet Emri i Shenjtë i Jezusit. U nderua dhe lëvdua nga Kisha qysh në shekujt e parë, por vetëm në shekullin XIV u zhvillua kulti liturgjik i kësaj feste. Shën Shën Bernardini, me ndihmën e vëllezërve të vet, e përhapi shumë këtë devocion, që më në fund u bë festë liturgjike. Në vitin 1530 Papa Klementi VII e autorizoi urdhrin françeskan të recitonte Shërbesën e Emrit të Shenjtë të Jezusit. Gjon Pali II e vendosi edhe një herë këtë festë më 3 janar në Kalendarin Romak.

Të dielën e ardhshme më 4 janar, Kisha katolike do të kremtojë të Dielën e Dytë të Krishtlindjes. Gjithnjë më 4 janar, përkujtohet edhe Shën Anxhela e Folinjos, 1248-1309. Përjetoi disa herë çaste mistike dhe iu përkushtua veprimtarisë apostolike, sidomos ndihmës ndaj të gërbulurve. Pasi i vdiqën e bashkëshorti dhe fëmijët, u dha të varfërve gjithçka pati dhe hyri Urdhrin e Tretë Françeskan. Falë shkrimeve të saj të thella, është quajtur “mjeshtre e teologjisë.







All the contents on this site are copyrighted ©.