2014-12-28 10:05:54

Katolikët, në Perandorinë otomane në shekullin XVIII-XIX: Kolegja Saveriane e Etërve Jezuitë


Emisionin e sotëm të ciklit, mbështetur mbi studimin: “Katolikët në Perandorinë otomane në shekullin XVIII”, fryt i pendës së historianit jezuit atë Gjon (Giovanni) Sale, botuar në revistën e mirënjohur të jezuitëve italianë “Civiltà Cattolica”, numri 3921, muaji nëntor 2013, ia kushtojmë “Kolegjës Saveriane të Etërve Jezuitë”

Ndërmjet veprave të misionarëve jezuitë në Shqipëri, në kohët për të cilat flasim, nuk mund të mos kujtojmë rolin themelor që luajti Kolegja saveriane për zhvillimin e kulturës në Shqipëri.
Kolegja i hapi dyert e veta më 17 tetor 1877. Atë ditë në ndërtesën e shkollës u mblodhën shumë qytetarë shkodranë, prindër të nxënësve të parë dhe dashamirë të kulturës. Atë Zef Lombardini u paraqiti institucionin e ri, themelues i të cilit ishte atë Luigi Mazza. Stema e Kolegjit paraqiste shqiponjën kombëtare. Në anë të saj shkruhej programi i shkollës: “Për Zot! Për Atme! E përparim!”.
Shumë shpejt kjo shkollë do të bëhej vatër arsimi e kulture jo vetëm për popullsinë katolike, por edhe për atë islame e ortodokse. Këtë e vërtetojnë statistikat: deri në vitin 1927, pra gjatë 50 vjetëve, në këtë Kolegjë u shkolluan 2.691 nxënës, prej të cilëve, 2.433 katolikë, 99 ortodoksë e 159 myslimanë.
Në fillim shkolla pati profil tregtar (për vetë natyrën e qytetit, që tregtonte me shumë vise të Ballkanit), pastaj, më 1926, u kthye në gjimnaz klasik, me programe, plane, tekste e metoda didaktike moderne e të qëndrueshme. Këtu u krijua për herë të parë në historinë e shkollës shqiptare, qendra muzeale. Pastaj u ngritën edhe ambjentet e përshtatshme sportive, biblioteka, ambjentet muzikore, salla e teatrit e observatori. Motua e shkollës ishte: “Punë, dije, korrektësi!”
Kolegja Saveriane, që u mbështet mbi përvojën moderne evropiane të kohës, formonte nxënës seriozë, të disiplinuar, të aftë për të vazhduar të gjitha universitetet e Evropës. I kushtonte vëmendje të posaçme mësimit të gjuhëve të huaja, por pa lënë mbas dore edhe përvetësimin e gjuhës amtare. Një nga nxënësit e saj të ndritur, Faik Konica do të shkruante: “Me këto e të tjera, kjo shkollë mbahet në një shkallë të lartë, e gjithë ata që kanë pá shkollat e Francës e të mbarë Evropës, munden me dishmue se ajo e Shkodrës âsht e zoja për shumë punë, me u vû më një me to”.
Në këtë shkollë dhanë mësim profesorë e mësues të nderuar si Atë Jak Jungu, Atë Anton Xanoni, Dom Ndre Mjedja, Atë Pjetër Meshkalla, Atë Mark Harapi, Hoxha Musa Effendi Boriqi (orientalist i njohur, mësues i gjuhës turke), albanologu i madh, Atë Zef Valentini, profesor Injac Zamputi etj. Mësuesët që dhanë mësim në klasat e kësaj shkolle nuk ishin mësimdhënës të thjeshtë, por, së pari, dijetarë të njohur. Ata hartuan dhe botuan edhe tekstet e para shkollore, si “Elementa gramatikore të shqipes” dhe “Fjalori i vogël italisht” nga Atë Jungu (1881); “Këndime për shkollat e para të Shypnís”(1906); “Shkurtorja e historís së moçme”; “Dheshkroja e Shqypnís”e “Gramatika e shypes” (1909) nga atë Anton Xanoni e sa e sa të tjera. Mjafton të themi se gjer më 1928 nga shtypshkronja jezuite qenë botuar rreth 412 libra, të përgatitur nga vetë mësuesët e Kolegjës.
Shumë është sulmuar nga kalemxhinjtë e komunizmit shkolla e jezuitëve. Është quajtur obskurantiste, antikombëtare, me horizont të kufizuar për shkak të parimeve fetare nga të cilat udhëhiqej. Është e pamundur, e panevojshme dhe e pa arsyeshme t’u përgjigjemi sulmeve të penave të verbuara nga idetë e një diktature që ishte armike e kulturës së lirë e të vërtetë. Koha do t’ia japë të drejtën atij që e meriton! E ne po mjaftohemi të kujtojmë se nga bankat e Kolegjës Saveriane dolën disa nga figurat më të shquara të kulturës kombëtare të të gjitha kohërave, që nga Dom Ndre Mjedja, te Luigj Gurakuqi, te Konica e te Martin Camaj!
E mjaftohemi të theksojmë se kjo shkollë i fali kombit Martirët e fesë Atë Gjon Faustin, Atë Daniel Dajani e Mark Çunin, të cilët vazhdojnë t’i japin popullit shqiptar mësimin e besimit në vlerat më të shenjta, që e bëjnë njeriun njeri.







All the contents on this site are copyrighted ©.