2014-12-28 09:58:32

Familja Shenjte e Martirët e Pafajshëm në fjalët e Papës: fëmijët, viktima të Herodëve të sotëm


Sot Kisha Katolike kremton festën e Familjes Shenjte, por edhe atë të Martirëve të Pafajshëm. Fëmijët e Betlehemit, të cilët u vranë nga Herodi, që bashkë me ta të vdiste edhe Jezusi Foshnjë i adhuruar nga Mbretërit Dijetarë, na kujtojnë të gjithë ata që derdhën gjakun për Zotin e për Qengjin e Hyjit. Së bashku me shën Shtjefnin e me shën Gjonin ungjilltar, i përkasin kortezhit të mbretit mesianik e u japin dinjitet të gjithë fëmijëve në Kishë.
Pikërisht sot paradite, Papa Françesku u takua në Sallën Pali VI në Vatikan, me familjet me shumë fëmijë. 7000 vetë, prindër e fëmijë, u mblodhën rreth Atit të Shenjtë për të dëshmuar rëndësinë e familjes në shoqërinë e sotme, sipas modelit të Familjes Shenjte të Nazaretit. Në orën 12.00, Papa Françesku tha, si zakonisht, lutjen e Engjëllit të Tënzot.
E së bashku me Atin e Shenjtë Bergoglio nuk mund të mos kujtojmë fjalët e Mesazhit tij papnor “Urbi et Orbi”, që Papa ia drejtoi Romës e botës, mesditën e Krishtlindjes së kremtuar:
“Jezus, shpëtoji fëmijët e panumërt, viktima të dhunës, të shndërruar në sende në duart e matrapazëve e të tregtarëve të njerëzve, ose të detyruar të shërbejnë si ushtarë; fëmijë, shumë fëmijë të shpërdoruar… O Krishti Fëmijë, mendimi im shkon tek shumë fëmijë, sot të vrarë e të keqtrajtuar, si ata, që u vranë para se ta shohin dritën, të privuar nga dashuria bujare e prindërve të tyre e të varrosur nga egoizmi i një kulture, që nuk e do jetën; ashtu edhe fëmijët e shpërngulur për shkak të luftërave e të persekutimeve, të shpërdoruar e të shfrytëzuar nën sytë tanë e heshtjen tonë bashkëfajtore; e fëmijët e masakruar nën bombardimet, edhe atje, ku lindi biri i Hyjit. Edhe sot e kësaj dite heshtja e pafuqishme bërtet nën teh të shpatës së Herodëve. Mbi gjakun e tyre shquhet hija e Herodëve të sotëm”.







All the contents on this site are copyrighted ©.