2014-12-27 17:04:12

Më 27 dhjetor kalendari kujton Shën Gjonin, Ungjilltar


Më 27 dhjetor kalendari Kishtar përkujton Shën Gjonin, Apostull e Ungjilltar.
Shën Gjoni, i biri i Xebedeut, vëlla me Shën Jakun Apostull e nxënës i Shën Gjon Pagëzuesit, është ndër të parët që ndoqën Krishtin. Autor i Ungjillit të katërt dhe i librit të Zbulesës, dishepull i Jezusit. Ishte i pranishëm në Mundimet e Krishtit me Marinë. E me të, thotë tradita, jetoi në Efez. Këtu vdiq pas mërgimit në Patmos. Sipas Palit, Gjoni ishte një “shtyllë” e Kishës, me Pjetrin e Jakobin.
Shën Gjoni Ungjilltar qe nxënësi më i dashur i Zotit, ai që gjatë Darkës së Mbrame mbështeti kokën në kraharorin e Mësuesit. Mik i ngushtë i Jezusit, në Ungjillin e katërt nuk thirret kurrë me emër, por “Ai që Jezusi e donte”. Pajtor i skulptorëve dhe i piktorëve e i shumë fshatrave malore në veri të Shqipërisë, ai ishte peshkatar i varfër, me prejardhje nga Betania, ashtu si edhe dy apostujt tjerë: Pjetri e Andreu.
Gjatë jetës publike të Mësuesit, Gjoni bënte pjesë në grupin e zgjedhur të Apostujve, të pranishëm në ringjalljen e së bijës të Gjairit, që kundrojnë Krishtin e shndërruar mbi mal, që e rrethojnë në orën e agonisë në Gjetseman. Në çastin e kapjes së Jezusit edhe Gjoni ikën, por më pas, së bashku me Pjetrin, rikthehet mbrapsht dhe e ndjek Mësuesin deri në fund të fundit, deri te këmbët e kryqit, ku Krishti i lë amanet Nënën e tij.
I thirrur nga Jezusi “biri i bubullimës” Gjoni, me temperament të zjarrtë, ishte armik i kompromiseve e i lëvdatave. Ai shkroi njërin nga ungjijtë, duke u përqendruar plotësisht tek hyjnia e Krishtit, në të cilin dha përkufizimin më të lartë të Hyjit: “Zoti është dashuri!”.

E në Ungjillin e tij, ashtu si shqiponja – simboli i Gjonit – që në rrahjen e parë të krahëve, ngrihet në lartësitë marramendëse të misterit të të Shenjtnueshmes Trini: “Në fillim ishte Fjala, e Fjala ishte pranë Zotit, e Fjala ishte Zoti!”. Shën Gjoni shkroi edhe Librin e Apokalipsit – apo të Zbulesës, libri i fundmë i Besëlidhjes së Re. Vdiq në Efez në vitin 101.
Papa: Shën Gjoni Apostull e Ungjilltar është dishepulli që shpalli se ‘Zoti është dashuri”.
Sot me 27 dhjetor Kisha përkujtoi Shën Gjonin Apostull e Ungjilltar, të cilit Benedikti XVI i kushtoi tre katekizma gjatë verës së vitit 2006.
Shën Gjoni Ungjilltar – pohon Papa – nuk është teorik: e takoi Jezusin, Zot të vërtetë e njeri të vërtetë, e këtë përvojë konkrete dëshiron t’ua komunikojë edhe të tjerëve. Ai është i pushtuar nga dëshira paradoksale për të bërë të dukshme të padukshmën, prandaj nuk mund të heshtë e të mos flasë për ç’ka parë e dëgjuar, edhe përballë atyre që e persekutojnë
Pikërisht kjo çiltërsi në dëshmimin e fesë, mbetet shembull për të gjithë ne e na kujton se duhet të jemi përherë gati për ta dëshmuar burrërisht bashkimin tonë të patundur me Krishtin, duke ia kundërvënë fenë çdo llogarie e interesi njerëzor.
Gjoni, me intuitë shkreptimtare, shpall se Zoti është dashuri, dashuri që Hyji e shprehu konkretisht në Jezusin.
E Krishti nuk u mjaftua me fjalë, por kaloi nga fjalët, tek veprat, duke e paguar me kokë, impenjimin e tij, ashtu siç shkruan edhe Shën Gjoni: “Hyji e deshi aq shumë botën, dmth të gjithë neve, sa të dhuronte Birin e tij të vetëm (Gjn. 3, 16). E dashuria e Hyjit për njerëzit konkretizohet e dëftohet në dashurinë e vetë Krishtit. E Gjoni vijon të shkruajë: “Jezusi, pasi i deshi të tijtë që ishin në botë, i deshi deri në fund të fundit”. … Ja deri ku arriti dashuria e Jezusit për ne: deri në derdhjen e gjakut të vet për shëlbimin tonë! I krishteri, duke kundruar këtë provë të dashurisë, nuk mund të mos e pyesë veten se si duhet t’i përgjigjet.
Gjoni flet për urdhërimin e ri të Jezusit: ‘Duajeni njëri-tjetrin, ashtu si ju desha unë. Kështu – nënvizon Papa - dashuria bëhet vërtetë e krishterë, sepse është dashuri për të gjithë, pa kurrfarë dallimi e edhe sepse arrin deri në pasojat më të skajshme, duke mos pasur masë tjetër, veçse mungesën e çdo lloj mase.

Këto fjalë të Jezusit: ‘Siç ju desha unë’- na ftojnë e njëkohësisht na shqetësojnë: janë cak kristologjik që mund të duket i paarritshëm, por njëkohësisht janë edhe nxitje që nuk na lë të biem në plogështi, të kënaqemi me veteveten, por na shtyn të ecim vazhdimisht drejt këtij caku.
Papa flet për Gjonin, autorin e ‘Zbulesës’, që na zbulon kuptimin e gjithë historisë e cila, përndryshe, do të mbetej e pakuptuar: vegimtari i Patmosit i shkruan vegimet e tij të mëdha: themelor është vegimi i Qengjit të therur, që qëndron drejtë në këmbë, në mes të fronit, ku është ulur vetë Hyji.
Jezusi, Biri i Hyjit, në këtë tokë është Qengj i pambrojtur, i plagosur, i vdekur. E megjithatë, qëndron drejt në këmbë, para fronit të Hyjit dhe merr pjesë në pushtetin hyjnor. Ai e ka në dorë historinë e botës. E kështu vegimtari dëshiron të na thotë: “Kini besim në Jezusin, mos u trembni nga pushtetet kundërshtare, nga persekutimet. Qengji i plagosur e i vdekur fiton! Ndiqeni Qengjin Jezus, besojini Jezusit, merrni rrugën e tij! Edhe pse në këtë botë është vetëm një Qengj, që duket i ligshtë, ai është fitimtari!
Papa na fton t’i ngjasim Gjonit, i cili mbështet kokën mbi kraharorin e Mjeshtrit gjatë Darkës së Mbrame:“Zoti na ndihmoftë të ulemi në bankat e shkollës së Gjonit për të nxënë mësimin e dashurisë, për ta ndjerë se Krishti na do ‘deri në fund të fundit’ e për ta shkrirë jetën për të.







All the contents on this site are copyrighted ©.