Kisha kremton festën e Familjes Shenjte, model për të gjitha familjet.
Në festën e Familjes Shenjte të Nazaretit, Kisha na paraqet Familjen e Virgjërës Mari,
të Shën Jozefit e të Krishtit Fëmijë, si model të virtyteve njerëzore e të mbinatyrshme
për të gjitha familjet, e në mënyrë të veçantë, ato të krishtera. Duke hyrë në misterin
e kësaj familjeje kaq të veçantë, mund të fitojmë vlera e të marrim mësime që sot,
më shumë se kurrë, janë të domosdoshme për t'i siguruar shoqërisë njerëzore themele
të shëndosha: mësimet e paqes, të pajtimit e të dashurisë. Sa do të dëshironim
që paqja, pajtimi e dashuria e Shtëpisë së Nazaretit të mos i mungojnë asnjërës prej
familjeve të sotme. Lutemi, prandaj, që të gjithë prindërit e krishterë të jenë të
vetëdijshëm për detyrën e tyre të pazëvendësueshme, si ndaj fëmijëve, ashtu edhe ndaj
shoqërisë, sepse nga ata pritet një dëshmi e vërtetë dhe e fuqishme ungjillore. Sot
familja e krishterë është e thirrur të japë shembullin e saj bindës, lidhur me mundësinë
e një martese të jetuar plotësisht në përkim me planin e Zotit dhe me kërkesat e vërteta
të njeriut: kujdesin e bashkëshortëve për njëri-tjetrin e sidomos për fëmijët. Familja
e bashkuar, që ndjek këto parime, i kapërcen më lehtësisht provat e vështirësitë që
ndesh në rrugën e saj e i ngjan Familjes Shenjte të Nazaretit!