2014-12-26 13:34:16

Porosia e imzot Dodë Gjergjit për Krishtlindjen


“DRITA SHNDRITI NË ERRËSIRË” (Gjn 1, 5a)
Të dashur vëllezër e motra,
Gjatë kohës së Ardhjes, e kemi kundruar praninë e Zotit në lutje dhe meditim. Po ashtu, me gëzim jemi përgatitur për festën e Krishtlindjes, kur Hyji u dëftua në Foshnjën e Betlehemit. Kisha, që atëherë, i fton njerëzit të këndojnë së bashku me engjëjt: “Lavdi Hyjit në më të lartin qiell e paqe mbi tokë njerëzve, që i ka për zemër!” (Lk 2, 14).
Kërshëndellat janë dhuratë e madhe gëzimi për secilin prej nesh, sepse festojmë lindjen e Jezusit, që është Krisht, Shëlbues. Ai është Zoti me ne.
Sa e pasur është dëshmia biblike për këtë ngjarje kaq madhështore, për mbarë njerëzimin. Sa të shumta janë dëshmitë e nxënësve, por edhe burrave e grave të shenjta, për këtë dashuri kaq të madhe, të cilën Hyji e dëftoi në Krishtin. Njashtu, jeta e Kishës, deri në ditët tona, dëshmon se Jezu Krishti është Drita që e shndritë errësirën, dhe rruga që na shpie drejt shpresës dhe gëzimit.
Bibla na mëson se Hyji, nëpërmjet Engjëllit Gabriel, e dëftojë përfundimisht dashurinë për krijesën e vet, duke lajmëruar mishërimin e Fjalës së Amshuar, prej së cilës “u bë çdo gjë e pa Të nuk u bë asgjë. E çdo gjë që u bë, e pati në Të jetën.” (Gjn 1, 3-4a). Kurse nëpërmjet Virgjërës Mari, njeriu, me përvujtëri dhe me dëgjesë, i nënshtrohej Hyjit krijuesit të vet. Duke pohuar me bindje dhe pa as një hezitim: “Unë jam shërbëtorja e Zotit: Më ndodhtë siç the ti!” (Lk 1,38,b).
Hyji, krijuesi i qiellit dhe i dheut, i madhërishëm, i amshuar, i gjithëpushtetshëm, për t’i mbet besnik premtimit të vetë dhe i shtytë prej dashurisë së përkryer që ka për ne, u bë Foshnje e pafuqishme, që do t’i dorëzohet pushtetit të përkohshëm, hyri në vdekje, dhe nga atje na thirri në jetë, “prandaj ky Fëmijë do të jetë i shenjtë - Biri i Hyjit.” (Lk 1, 35b). Ne që besojmë, gjithnjë e falënderojmë Hyjin, Atin tonë, në Krishtin Zot, nëpërmjet Shpirtit Shenjt që banon në ne sepse “vetë Shpirti Shenjt dëshmon bashkë me shpirtin tonë se jemi fëmijët e Hyjit” (Rom 8,16).
Kur e shohim të jetuarit tonë dhe e prekim realitetin në të cilin jetojmë, atëherë forcohemi edhe më shumë në fe, ndaj edhe e shohim se kemi nevojë më të madhe për Zotin. Sepse, pas një çerekshekulli, përpjekjesh dhe arritjesh, disi të gjithëve na ka mbulua një hije zhgënjimi, madje, shumëkënd, edhe dëshpërimi. Dëgjojmë gjithandej për ngatërresa familjare, padrejtësi sociale, konflikte për fajde, vetëvrasje, ikje masive të të rinjve nga vendi, dhe shumë gjëra tjera që shkurajojnë të drejtët, zhgënjejnë entuziastët dhe dëshpërojnë të pa mbrojturit.
Këtë gjendje e rëndon edhe më shumë, siç kam thënë edhe herëve tjera, strukja e të drejtëve, heshtja e të mirëve, lakmia e të diturve dhe korruptimi i të aftëve. E gjithë kjo vjen si pasojë e mohimit të së vërtetës, përbuzjes së vlerave, mungesës së moralit shoqëror, keqmenaxhimit të paqes, paaftësisë kolektive për të respektuar liritë dhe mungesa e përgjegjësisë individuale dhe grupore e bartësve të detyrave shoqërore.
Kush do të na ngushëlloj në këtë gjendje, përveçse Perëndia, dashuria e hyjnore që na ofrohet nëpër Jezusin - Zoti me ne! Këndej, s’duhet të pushojmë kurrë duke iu lutur që t’i përngjajmë Atij. Këndej, ju ftoj, o vëllezër e motra, që t’i “... përqendroni të gjitha forcat tuaja që t’ia shtoni fesë virtytin, virtytit dijen, dijes përkormërinë, përkormërisë qëndresën, qëndresës përshpirtërinë, përshpirtërisë dashurinë vëllazërore, dashurisë vëllazërore dashurinë që përfshin gjithkënd. Sepse këto cilësi, nëse i keni dhe nëse përparoni në to, nuk ju lënë të papunë as të pafrytë në njohjen e Zotit tonë Jezu Krishtit.” (2 Pj 1, 5-8). Mbi të gjitha, “Ju, o vëllezër, mos u mërzitni duke bërë vepra të mira!” (2 Sel 3,13).
Vëllezër e motra, me gjithë zemër ju uroj Kërshëndellat dhe ju siguroj lutjet e mia për gjithë ju, që të keni më shumë gëzim në gjirin familjar; që të keni më shumë dashuri për njeriun në nevojë; që të keni më shumë shpresë te e ardhmja dhe që t’i mbeti besnik Zotit.

Po ashtu, uroj që në Vitin e Ri 2015, Kosova të ketë më pak zhgënjime dhe më shumë shpresë.
Për shumë mot Krishtlindja!
Ipeshkvi juaj
Dodë Gjergji







All the contents on this site are copyrighted ©.