Llogoret kundërshtare ishin tepër pranë e ushtarët vuanin njëlloj; e njëlloj e prisnin
Krishtlindjen, me frikën e vdekjes e mallin e pashuar për traditat, për ardhjen e
Krishtit, që sjell paqen. Paqen aq të dëshiruar në mes të tmerreve të Luftës I Botërore.
Njëqind vjet më parë. Në Fiandër të Belgjikës, në frontin perëndimor të Luftës së
madhe. Pikërisht këtu, një natë të largët Krishtlindjeje, ushtarët anglezë e gjermanë,
shpallën një armëpushin të papritur e të pashoq, pa menduar fare për komanda e urdhëra,
përveç urdhërit të dashurisë, që u erdhi papritmas nga lart, ku engjëjt i këndonin
“Lumni Zotit në qiejt e larta e paqe mbi tokë njerëzve vullnetmirë”. I ulën armët
e nisën të bisedonin, t’i shtrëngonin dorën njëri-tjetrit, të përqafoheshin, nga llogorja
në llogore. Madje kremtuan edhe një Meshë të përbashkët, duke dalë nga dheu, ku kalbeshin
së gjalli prej kohe. Atëherë nisi shkëmbimi i urimeve, tingujt e këngëve të përmallshme
të vendeve të tyre të krishtera. Studiuesit e kësaj ngjarjeje të pazakontë, shikojnë
në të “Rrënjët e krishtera të Evropës”, që nisën të lulëzojnë paprimtas në mes të
tmerrit të luftës, ku humbën jetën më se 9 milionë luftëtarë e 7 milionë viktima civile.
Rrënjë, një pjesë e mirë e të cilave u dëmtua rëndë nga Lufta I Botërore. Disa
nga letrat e familjeve të ushtarëve anglezë, që e dëshmojnë këtë episod, u botuan
në vëllimin “Armëpushimi i Krishtlindjes-letra nga fronti”. Mund të lexohen në faqen
e internetit . Mësim i çmuar, 100 vjet pas Luftës së Madhe, në një botë ku ka shpërthyer
prej kohe lufta e tretë, për të cilën flet aq shumë Papa Françesku.