2014-12-25 12:42:24

Thirrje për paqen nga Betlehemi; mijëra shtegtarë në Tokën Shenjte


Një thirrje e fuqishme për paqen u lartua mbrëmë nga Bazilika e Lindjes së Krishtit, në Betlehem, ku patriarku latin i Jeruzalemit, Fuad Tual, kremtoi Meshën e Natës së Krishtlindjes. Imzot Tual uroi që hebrenj, myslimanë e të krishterë “të jetojnë në barazi e me respekt reciprok”. Mijëra shtegtarë ishin të pranishëm në Tokën Shenjte për këtë festë të madhe. Betlehemi është ende i rrethuar me mure e, megjithatë, të krishterë e myslimanë e jetojnë së bashku këtë Krishtlindje, siç i jetojnë bashkë ditët e vështira, ngarkuar me një mori ndalesash, që i japin vendit pamjen e burgut. Sivjet, në qytetin-djep të Jezusit ishin të pranishëm shumë të krishterë të Gazës, të pajisur me 770 leje, lëshuar nga autoritetet izraelite. Të pranishëm, edhe rreth 25 mijë të krishterë të Çisjordanisë. Janë shumë më tepër se vitet e tjera, shpjegon imzot Shomali, ipeshkëv–ndihmës i Jeruzalemit e mëkëmbës patriarkal për Palestinën. U lidhëm telefonikisht me Betlehemin, prej nga na flet atë Vincent Bosko, mëkëmbës i Shtëpisë së salezianëve:RealAudioMP3

Përgjigje: - Të gjithë e dimë atë që ndodhi këtë vit: luftë e shumë gjëra të tjera, kështu që 25 dhjetori na sjell vërtet shpresë për njerëzit, që jetojnë këtu. Rast për ta kremtuar, kështu, Krishtlindjen bashkë. E të jesh bashkë është vlerë tejet e rëndësishme. Të shikosh njerëz që vijnë nga anë e anës, të mbush me gëzim. Betlehemi, “shtëpia e bukës” na mbledh të gjithëve, në emër të Jezusit, në një vend ku të krishterët vijojnë të pakësohen. Por, pavarësisht nga kjo, lindja e Krishtit sjell shpresë; e shpresa, për ne të krishterët, është pritje. Unë, si meshtar, lutem për të gjithë, që ta pranojnë njëri-tjetrin. Sot në mëngjes shkova në vendin ku lindi Jezusi e pashë se kishin ardhur edhe myslimanë, që duan ta ndajnë gëzimin e festës me ne.

Pyetje: - Edhe pse muri vijon të jetë, e edhe të rritet, besoj se nuk e shlyen shpresën, që buron nga Lindja e Krishtit. Është kështu?
Përgjigje: - Ç’mund t’i ofrojë krishterimi një shoqërie, që vuan kësisoj? Gëzim e shpresë! Ja, Krishtlindja na e sjell këtë. Sigurisht muri ekziston, por edhe ne, si të krishterë, rrezikohemi të ngrejmë mure, secili nga ne, në zemër të vet. Duhet t’i rrënojmë këto mure, duke i hapur udhën tjetrit për të hyrë në zemrat tona. Lutem që të gjithë popujt, këtu, në Betlehem, ta ndjejnë paqen, shpresën e të marrin frymë më lirisht, në atmosferën e gëzimit të festës. U uroj mbarë popujve, jo vetëm të Betlehemit, por të gjithë botës, që kjo të jetë vërtet Krishtlindje shprese e gëzimi!







All the contents on this site are copyrighted ©.