Papa u telefonon refugjatëve të Irakut: ju jeni si Jezusi
Ankawa, pranë Erbilit, në Irak. Telefonata u bë e mundur falë lidhjes me rrugë satelitare
vendosur nga “TV2000”. Fjalët e Papës, përhapur nga emitentja, u përkthyen në arabisht
nga një prift vendas:
“Mirëmbrëma, tha Papa, ju përshëndes ju në këtë Natë
të Krishtlindjes! Mirëmbrëma juaj, që jeni gati të kremtoni Meshën e unë bashkohem
me ju të gjithë në këtë kremtim. Ju përqafoj e ju uroj Krishtlindje të Shenjtë”. Ju
uroj të gjithëve Krishtlindjen e Shenjtë, një Krishtlindje me Jezusin, sepse ju jeni
si Jezusi natën e Lindjes së Tij: për të nuk kishte vend e ai u dëbua e iu desh të
ikte në Egjipt për të shpëtuar. Ju jeni si Jezusi sonte e unë ju bekoj shumë e jam
pranë jush. Mendoni se jeni si Jezusi në këtë situatë, e kjo më bën të lutem edhe
më shumë për ju”. E Papa shtoi: “Të dashur vëllezër e motra, jam pranë jush, shumë
pranë, këtë natë. Pranë jush me gjithë zemër e i lutem Jezusit t’ju përkëdhelë me
dhimbsurinë e Tij e Zojës, t’ju japë shumë dashuri. Jam shumë pranë jush”. Më pas
lidhja telefonike me rrugë satelitare u ndërpre e Papa vijoi dialogun me drejtuesin
televiziv, në studion e TV2000 që, më pas, ia përmblodhi refugjatëve fjalët e Papës:
“Afërsi e dhimbsuri; mendo se Krishtlindja është festa e afërsisë së Hyjit me ne e
dhimbsuria, ajo përmes së cilës dëftohet Hyji: dhimbsuria e një Foshnjeje dhe e një
Nëne. Jezusi e thotë këtë në dy fragmente të Ungjillit, ku është e gjithë jeta e krishterë:
në Lumnitë, e pastaj edhe në Ungjillin e Mateut, 25: Ti shko e tako të sëmurët, të
burgosurit, skamnorët, kujdesu për të vejat, për atë që nuk ka të hajë e shko e vizitoje,
kujdesu për nevojtarët, që janë korpi i Krishtit. Kjo quhet dhimbsuri”. Papa përfundoi
me fjalët: “Sonte vjen Jezusi, vjen si fëmijë, i njomë, i pafajshëm. Si fëmijët, që
janë mes jush, fëmijë të vdekur, fëmijë të shfrytëzuar. Të mendojmë për fëmijët: Krishti
fëmijë vjen mes nesh, është dashuria e dhimbsuria e Hyjit. Zoti ju dhëntë hirin ta
merrni me shumë dashuri. E mendoj edhe për gjyshat, për pleqtë, që jetuan një jetë
të tërë e tani vuajnë këtë kryq. E uroj që të moshuarit të na japin ne të githëve
urtinë e jetës së tyre. Në zemrën time sonte janë fëmijtë e pleqtë. E tani, ju të
gjithëve, posaçërisht fëmijëve e pleqve, ju bekoj me gjithë zemër!”.