2014-12-24 14:36:20

Pizzaballa: Letra e Françeskut, inkurajim për të gjithë


Letra e Papës drejtuar të krishterëve, është thirrje drejtuar bashkësisë ndërkombëtare, thirrje për ta ndaluar të keqen, pasojë e terrorizmit, si dhe kërkesë drejtuar të gjithë liderëve fetarë, për të mbajtur qëndrim kundër fundamentalizmit. Letër e bukur, nxitje për gjithë të krishterët, kometon rojtari i Tokës së Shenjtë, atë Pierbattista Pizzaballa:

Përgjigje: - Është shkrim, që më preku shumë, sepse i qartë, shumë i qartë, në mënyrën si e përshkruan situatën që jetojnë të krishterët, megjithatë, pa pesimizëm, duke i dhënë zemër bashkësisë së krishterë në misionin e saj, në dëshmimin e fesë me shenjtërinë e jetës, në guximin për ta quajtur të keqen me emër, domethënë, terrorizëm, që duhet dënuar. E pasur, pastaj, edhe me elemente të tjera, shumë të rëndësishme, si dialogu ekumenik e ndërfetar. Nuk ka rrugë tjetër, e thotë qartë Papa. Prej këndej, duhet refuzuar çdo formë anësie, që është dënimi i kësaj toke. E në sa flasim për dialogun ndërfetar, duhet t’u kërkojmë vëllezërve tanë myslimanë t’i dënojnë format e zvetënimit të Islamit, përndryshe dialogu nuk do të kishte në bazë të vërtetën. Kjo është shumë e rëndësishme, siç është e rëndësishme të mos biem në disfatizëm, në ndeshje ndërmjet qytetërimeve, në kushtrime për të rrokur armët, sepse këto janë rrugë të verbta, që çojnë në vdekje.

Pyetje: - Sipas jush, si po e presin të krishterët Letrën e Papës?
Përgjigje: - Besoj se Letra, në vetvete, është gjest shumë i rëndësishëm, që flet për vëmendje. Prej këndej, shumë e mirëpritur. Përballë dramave të forta, që po jetojmë, ishte i nevojshëm një orientim, e njëkohësisht thirrje e fortë, thënë nga një zë me autoritet ndërkombëtar. Pikërisht për këtë kishim nevojë!







All the contents on this site are copyrighted ©.