2014-12-24 13:56:23

Françesku u dërgon koreanëve urime për Krishtlindje


Vijon jehona e vizitës së Françeskut në Kore, ku ishte gushtin e kaluar. Papa e kujtoi sot këtë vizitë, duke u dërguar, përmes një videomesazhi, të gjithë koreanëve, urimet e tij të përzemërta për Krishtlindje. Videomesazhi u transmetua nga Tv publike jugkoreane Sbs.

“Të dashur vëllezër e motra koreanë! Me kënaqësi të madhe ju drejtoi urimet për Krishtlindjen e Shenjtë, duke kujtuar me gëzim e mirënjohje shtegtimin në vendin tuaj, gushtin e kaluar. Kremtimi i madh për nder të Martirëve, takimet me të rinjtë, por edhe çaste të tjera të vizitës, do të mbeten gjithnjë të freskëta në kujtesën time”.Koreja, tokë e agimeve të qeta, në gusht foli me një gjuhë të vetme: atë të paqes e të shpresës. Shtegtimi i Françeskut krijoi mundësitë për të shikuar përtej paralelit 38-të dhe për të shpresuar, më në fund, për një vend të bashkuar. Me rastin e Krishtlindjes, Ati i Shenjtë deshi t’i kujtojë, përmes videomesazhit drejtuar koreanëve, të gjitha etapat më domethënëse të 100 orëve, kaluar në vendin aziatik. Njëqind orë lutjesh, takimesh, dëgjimi të heshtur, ishin farë e hedhur, që sot po nxjerr në dritë fryte të begata. Qeveria e emëroi Shenjtëroren e Solmoes “Thesar Kombëtar”, ndërsa vendi ku qe vendosur çadra për takimin e Atit të Shenjtë me të rinjtë, tani quhet “Parku i Papës Françesku”. Deri Shoqëria koreane e trenave të shpejtë, vendosi që paratë e biletës për të shtegtuar në vendin ku qe ulur Papa, të përdoren për të ndihmuar nevojtarët. Në trungun shumëshekullor të Kishës koreane, shtegtimi i Papës Françesku është tashmë një degë e kërthndeztë, që premton shumë filiza të rinj. E këta filiza të kujtojnë pikërisht të rinjtë, të cilët Papa i ftoi të zgjohen, të mos kenë frikë e ta çojnë urtinë e fesë në çdo fushë të jetës shoqërore.







All the contents on this site are copyrighted ©.