Atë B. Palaj: Tradita e Krishtlindjes, Nata e Buzmit!
Kombit shqiptar kur kaloj nga paganizmi në krishtërim, Nata pagane Buzmi bëhej Nata
e krishterë e Sh’Këndellës - Nata e lindjes së Krishtit, që vjen për të kndellë gjithçka.
Ta përkujtojmë ‘Natën e Buzmit’ e brohorinë e saj: “Po vjen buzmi bujar me dushk
e me bar, me gjâ e me mall e me gjith të mirat e Zotit!”.
“Tri ditë mbassi
të kthejë moti mbarë bjen kjo natë, në të cilën do të lutet shtëpi për shëpi të knellunt
e jetës me nje ceremoni të veçantë për rreth buzmit bujar, mbas ritualit mâ të pastër,
ruejtë ndër malet e Dukagjinit deri ndër ditë t’ona. Asht nata e buzmit! Nepër
të tana katundet e Shqipnís së Veriut duhet me djegë buzmat në ketë natë, ke fillon
të knellunt e jetës së ré. Buzmat janë trí copa drû arre dy–vjeçe. Paradite nje
burrë shtëpije, mbassi të jét la shtetsh 1 , pse nuk bân me i nxjerrë buzmat pa u
lám, shkon në mal për me i nxjerrë dhe i bjen te shtëpija. I pështetë përjashta murit
të shtëpís në nji vend ku mos t’i prekë kerkush deri të vijë koha e darkës. Kur
të bâhet koha e darkës, i zoti i shtëpís gaton zjarmin e ri. Dy burra tjerë dalin
jashta shtëpije dhe i marrin ata buzma për dy skâjesh tue ndejë njâni mbas tjetrit
e ashtu u ngjiten shkallvet deri te praku i derës. Aty i thrrasin të zotit të shtëpís,
si t’ishin miq të largët: - O i zoti i shtëpìs! - Askush nuk u a dredhë gjegjen. Thrrasin
së dyti; prap heshtim i plotë prej mbrendanit të shtëpís; kur të thrrasin së treti
- Hojjaa! Përgjigjet i madhi i familjes prej së mbrendanit. - Po vjen buzmi bujar
me dushk e me bar, me gjâ e me mall e me gjith të mirat e Zotit! - Mirë se u bjen
Zoti ! Pastu prù ora me nafakë ! – pergjegjë i zoti i shtepís mbrendë Tue hym buzmi
mbrendë, të gjith misat e shtëpís çohen në kambë; hjekin kapuçat, e ndërsa i zoti
i shtepís njéh uratime, 2 dikush blegron si delme, tjetri virrë si dhì, kush pallë
si lopë e kush brylekë si kau, fëmija ndjekin me zâ kingjat, edhat e viçat e vathit
e kështu s’ prâjnë tue ndjekë me zâ të gjitha shtâzët shtëpiake deri sa të vendohen
buzmat në zjarm prej të zotit të shtëpís, i cili me mâ të madhin nderim i mbulon me
shpuzë zjarmi, tue i ruejtë mos të digjen skâjesh, pse ato una duhen nesër për me
bâ lamin. Atëherë ulet treveza e vihet pija; por përpara do të kryhet edhe një
flijim i veçantë. Në nji quk 3 të zgavrruem manakali 4 në trup të buzmit, i zoti i
shtëpís qet farën e të gjith sendit shka t’i prodhojë toka, tue i a lypë Zotit emën
për emën me i a falë secilen farë qi qet n’atë gropëz. Atëherë merr gotën e rakís.
Robët e shtëpís rrijnë gjithnji në kambë, ndersa i zoti i shtëpís me gotë të pijes
në dorë kështu i falet buzmit bujar, ku kqyrin të gjith pjestarët e familjes: Të falemi
buzmi bujar ! Unë po të falem me krezhmi; ti m’u fal me bulshí e me gjith të mirat
e Zotit; ti me na i falë e me na i bâ nafakë ! - e gotën e parë i a derdh buzmit n’at
quk. Mun në ketë kohë e zoja e shtëpís, qi gjindet në tjetrën anë të votrës, qet edhe
kjo n’at vrimë të buzmit pak tlynë e pak djathë, tue i u lutë Zotit e buzmit me i
a falë bylmetin shtëpís. Baríjt atëherë qesin përmbi buzma do pipa lejthije për mos
me u dalë dybëza 5 dhivet. Zjarmi do të ruhet gjith natën deri të bâhet lami, e
askush s’do të frŷjë n’at zjarm, për mos me thyem era pemët në verë. Mandej ulen të
gjith në tryezë për me darkuem. Ne ketë natë, nuk ka shtëpí sado e vogël ajo të
jét, qi nuk gaton fërlikun e buzmit – nji laknuer petash të grujta e arrash. – Para
se me nisë bukën, i zoti i shtëpís i bjen lehtë me sup të krahut të majtë shoqit qi
ka për brî, tue uruem me këto fjalë: Ar m’arë si duejt n’arë; e ashtu si janë të gjith
rreth treveze përsërisin këto fjalë me rend, tue ndeshë shoqishojnë me supa të krahut.
Si të kryhet e ndeshuna e parë, fillon prap i zoti i shtëpís, por në krah të djathët
e vetëm mbassi të kryhet kjo ceremoní, hahet darka”.