2014-12-23 16:06:38

Praga përgatitet për Takimin e Taizé-së


Praga përgatitet të presë mijëra të rinjtë nga e gjithë Evropa, që do të “dynden” në kryeqytetin çek, duke filluar nga 29 dhjetori për të marrë pjesë në Takimin tradicional të Bashkësisë së Taizé-së për Vitin e Ri. Më të shumtët do të jenë nga Polonia, Ukraina, Italia, Gjermania, Franca, Kroacia e Bjellorusia, por si çdo vit, do të ketë pjesëmarrës edhe nga Shqipëria. Tashmë janë bërë mëse 20 vjet që shqiptarët ndjekin jo vetëm këto takime, por edhe ato në fshatin e vogël në jug të Francës gjatë verës, për një javë lutjeje e reflektimi së bashku me vëllezërit ekumenikë të Bashkësisë.
Mikpritja në famulli, shkolla, familje
Për të dhënë një ide mbi përmasat e Takimit të Vitit të Ri, disa shifra: do të marrin pjesë mëse 30 mijë vetë, nga 65 vende të ndryshme, pa llogaritur gati 2 mijë vullnetarët, që do të mbërrijnë në Pragë dy ditë para 29 dhjetorit për të organizuar mikpritjen. Vërtet, pjesëmarrësit do të strehohen në mëse 150 vende të ndryshme, në famulli, kisha e shkolla të rajonit, por sidomos nëpër familje. 17 kisha të qendrës historike të Pragës do të hapin portat për lutjen e së martës në mesditë dhe gjatë gjithë së mërkurës, 31 dhjetor.
Vendet e lutjes në Pragë
Në çdo kishë do të jetë kryqi i Taizé-së, i pikturuar gjatë këtyre javëve nga një grup artistësh, nën drejtimin e Matej Forman. Një tendë në Parkun e Ekspozitave të Letnany-së mund të mbajë rreth 4.500 të rinj. Më 1 janar, lutja e orës 19, në katedrale do të transmetohet drejtpërdrejt nga televizioni çek, së bashku me lutjen e mbrëmjes më 30 dhjetor.







All the contents on this site are copyrighted ©.