2014-12-22 16:32:20

Koha e Ardhjes, kohë e pritjes, e përtëritjes. Meditime për çdo ditë: 23 dhjetor


Nuk është kurrë tepër vonë
Kalojnë ditët, kalojnë… Po si?
Kujtimi i tyre është dhuratë e tundim.
Tundohemi t’i lëmë të hapura portat e kujtesës, për t’i gjykuar çastet e vështira që kemi jetuar, rrëzimet, dështimet e për ta vlerësuar vetveten. Punë fort e rëndë e shpesh e paarsyeshme.
Tundohemi, por edhe presim me krahë hapur dhantinë e ndjesës, të përtëritjes, të besimit, të mundësisë për të shtuar gjithnjë faqet të reja në librin e jetës.
Faqe të reja, të paprekura presin ditët që do të vijnë, ngarkuar me gëzime e shqetësime. Ditë të pajetuara ende, që nuk e dimë ku do të na çojnë, si do të lindin e si do të perëndojnë.
Por një gjë e dimë me siguri: nuk është kurrë vonë për të rifilluar nga e para, për të pritur plot shpresë bekime të reja e për t’i ndarë edhe me të tjerët. Nëse dështuam, mund të nxjerrim mësime për një fillesë të re. E nëse galduam, ta rrezatojmë dritën e galdimit mbi skutat e errëta të botës. T’i ndjekim ditët që do të vijnë njëra pas tjetrës me besim e qëndresë. Ditët, të mira a të vështira, na ndihmojnë të fitojmë sigurinë të cilën, pastaj, mund t’ua dhurojmë edhe të tjerëve.
Çdo ngjarje ka në vetvete një mundësi, që e mban gjallë përgjegjësinë tonë. E edhe dëshirën për t’i parë me sy të ri vitin, që kaloi e atë, që po e presim. Duam t’i shikojmë të dy me syrin e Jezusit! Zoti, që than lotët në sytë tanë. Që shuan ngashërimin. Që na lëshon në dorë, veprat e dorës së Tij.
Male, pyje, lumenj , fshtara, qytete milionshe rrinë zgjuar e presin të ndrisë mes tyre drita e syrit të Shëlbuesit.


“E mirë, unë po ju them: ‘Lypni e do t’ju jepet, kërkoni, e do të gjeni; troklloni, e do t’ju çelet.
Sepse kush lyp, xjerr, kush kërkon, gjen; e atij që trokllon, i hapet porta.
Cili baba ndërmjet jush, po t’i lypë djali një peshk, i jep një gjarpër në vend të peshkut? Ose i lyp një vezë, e ai i jep një akrep?
Nëse, pra, ju, duke qenë të këqinj, dini t’u jepni sende të mira bijve tuaj, aq e më tepër Ati juaj qiellor do t’u japë Shpirtin Shenjt atyre, që ia lypin!”.
Luka, 11, 9, 13








All the contents on this site are copyrighted ©.