Në këto ditë të mëdha, në atmosferën Krishtlindjes 2007, me qindra herë kemi dëgjuar
në radio, në televizion, në Kisha, pranë Betlehemit, tingujt dhe fjalët e këngës së
famshme “Stille Nacht” - “O e qeta Natë”. Po cili është historiku i krijimit
të kësaj kënge, ndër më të famshmet e më të përhapurat në mbarë botën? Fjalët qenë
shkruar natën e Këshëndellave 1818, nga meshtari Joseph Mohr (1792-1848), ndihmës
famullitar në Oberndor të Salcburgut (Austri). Në të njëjtën natë qenë muzikuar nga
Franc Xavier Gruber (1787-1863), organist i qytezës së afërme, Arsndorf. Sipas dëshirës
së Mor, motivi muzikor qe punuar për dy zëra, shoqëruar nga kori dhe kitara. Mor e
këndoi vetë këngën dhe e shoqëroi me kitarrë, ndërsa Gryber bëri pjesën e basit. Fjalët
dhe melodia u përhapen menjëherë, aq sa kënga u bë “Himn i përbotshëm i Krishtlindjes”. Autorët
e këngës nuk figurojnë në asnjë enciklopedi të madhe, ndoshta sepse “Stille Nacht”
është i vetmi krijim i tyre. Por shumë muzikantë të shquar, emrat e të cilëve gjinden
në të gjitha encikolopeditë, kanë deklaruar se do t’i jepnin me gjithë zemër të gjitha
kryeveprat e tyre, për të qenë autorë të kësaj ninulle hyjnore, melodia e së cilës
është e njohur nga njerëz të të gjitha moshave, të të gjitha kombësive. Shumë shpejt
kjo këngë nisi të këndohej edhe ndër shqiptarë. Ishte fillimi i shekullit, kur Atë
Vinçenc Prennushi, françeskan, i prekur thellë nga bukuria e këngës, e përktheu dhe
“O e qeta Natë”, dhe u këndua për herë të parë në Kishën françeskane të Gjuhadolit
në kremtimin e Krishtlindjes së vitit 1920. Po ju njohim me tekstin e Atë Vinçencit,
një nga përkthimet më lirike e më prekëse të këngës: Flej, o Qielluer, Zojës
në krahnuer. Flej, mos kjáj, ndale at’ váj. Gjumi t’vjen, por ty s’t’bahet
me fjetë, pse n’do kashta t’rrin trupi Ty p’shtetë.
Jezus për p’shtim
të gjithë neve, Jezus për p’shtim të gjithë neve.
Ty Zoja Mri, Ty gjithë
dashtëni, rrin tuj t’ruejtë, ambël prujtë,
Ditë do t’vinë, o Shelbues,
me u mekë; Ka me të ra mbi një krygjë ty me dekë ! Jezus për p’shtim të gjithë
neve, Jezus për p’shtim të gjithë neve! Ishte përkthim krejt i lirë i tekstit.
Ndërkaq jezuiti Atë Pjetër Meshkalla e përktheu duke i qëndruar shumë më besnik
tekstit gjermanisht, që nisi të këndohej në kishat e etërve jezuitë e këndohet edhe
sot: Nat’ e qetë, Nat’ e shejtë, Krishti i lum sot ka le; Shih si qeshet
e bukura f’tyr’, Me sy t’ambel mbar shekullin k’qyrë’ Flej, o i bukuri, flej Flej,
se shpresa je Ti.
Nat’ e qetë, Nat’ e shejtë Krishti f’mijë i Zoj’s Mari Qe,
në prehen sa mir’ po i rri, Ejt’këndojnë me brohori: Erdh i lumi Mesi Erdh
i lumi Mesi.
Nat’ e qetë, Nat’ e shejtë, Me shpejti vijnë barijt Me shikue
k’te bukuri, Me adhrue njik’te fëmijë Krishti plot dashuni, Krishti plot
dashuni!