2014-12-21 12:31:20

Katolikët, në Perandorinë otomane në shekullin XVIII-XIX: “Kohë rilindjeje”


Emisioni i sotëm i ciklit, mbështetur mbi studimin: “Katolikët në Perandorinë otomane në shekullin XVIII”, fryt i pendës së historianit jezuit atë Gjon (Giovanni) Sale, botuar në revistën e mirënjohur të jezuitëve italianë “Civiltà Cattolica”, numri 3921, muaji nëntor 2013, titullohet “Kohë rilindjeje”. RealAudioMP3

Seminari i jezuitëve do të bëhej qendra e parë e madhe e zhvillimit kulturor në vend, pasuar nga Kolegja e françeskanëve. Rreth tij do të vërtitej për një kohë të tërë, ajo veprimtari që, për shtypjen e librave, i drejtohej “shtampës” së Selisë Apostolike. Dom Ejëll Radoja, ish nxënës i Kolegjit të Propagandës, ishte i pari shqiptar i kësaj periudhe, që botoi, më 1862, një libër shqip: “Jesu Criscti n'semer t'mesctaarit” (Jezu Krishti në zemër të meshtarit”, Romë, 1862). Pas Imzot Bogdanit, Ejëll Radoja është i pari shkrimtar katolik, që nis t’u japë trajtë letrare shkrimeve të tij me temë fetare. Prej këndej, duhet konsideruar si penda e parë e periudhës së dytë të zhvillimit të letërsisë katolike të Veriut. Duke u larguar nga tradita e vjetër e paraardhësve italianë, nis ta shkruajë shqipen ashtu si e flet populli, për t’u lexuar e për t’u kuptuar sa më mirë.
Në këto gjurmë ecën edhe dom Pashk Babi, një nga nxënësit e parë të Kolegjit Papnor, me veprën “Vakinat e hershme e t’Ligjs ree (Shkodër 1882), me të cilën i fali shqipes së shkruar bukuritë dhe thjeshtësinë e trajtës klasike. Më 1882, Pashk Babi shkroi edhe dramën “Biri i Çifutit”, për teatrin e Jezuitëve, ndër të parët në trojet shqiptare.
Më 1870-71 Jezuitët vënë një gur tjetër themeli në kulturën shqiptare: sjellin shtypshkronjën që latinisht quhet Typografia Immaculatae Concepptionis BMV, shqip, pas disa emërtimesh të ndryshme, “Shtypshkroja e Zojs xanun pa mkat t’rriedhshëm” e, më së fundi, Shtypshkroja e Zojës së Papërlyeme.
Që nga ai vit e deri më 1928, vetëm nga kjo shtypshkronjë dolën 411 vepra shqip, latinisht e italisht. Ishte një rekord për Shqipërinë e asokohshme.
Një gur tjetër me rëndësi të pallogaritshme për kulturën mbarëshqiptare, qe mësimi i gjuhës shqipe, si në Seminarin papnor, ashtu edhe në liceun françeskan “Illyricum” .
Që më 1868 Provinciali i jezuitëve, Atë Marcucci, dha urdhër që në Seminar të mësohej edhe gjuha e vendit. Ndërsa mësimi i rregullt i shqipes në seminar nisi më 1878. Mësuesi i saj i parë i asokohshëm ishte Atë Jungg-u, një nga misionarët nismëtarë, që kujtuam më sipër, për të cilët vendi i misionit u bë atdhe i mirëfilltë. Vendin e tij e zuri jezuiti shqiptar, Atë Anton Xanoni, që luajti një rol vërtet të shquar në lëvizjen e re kulturore shkodrane e cila, me dom Ndre Mjedjen, ndër të parët meshtarë, që botoi edhe vjersha profane, arrin një nga kulmet e mbarë letërsisë shqipe të kohës. Letërsia nis të dalë nga muret e kuvendeve dhe të lidhet me pjesën tjetër të kulturës rilindëse shqiptare. Rrugë, kjo, që nisi me françeskanin italo-shqiptar Leonard de Martino i cili, me veprën “L’Arpa d’un italo-albanese” (Venedik, 1881) u konsiderua babai i poezisë shkodrane.
Por për jezuitët e françeskanët nismat ishin si qershitë, që shikojnë njëra-tjetrën e piqen. Pas hapjes së Seminarit, mësimit të shqipes dhe shtypshkronjës, rektori i atëhershëm i jezuitëve, atë Luigi Maza, vendos të botojë një të përkohshme fetare, të frymëzuar nga revista frënge Le Messager du coeur de Jesus, e marrë si model nga shumë gjuhë të botës. Nis, kështu, botimi i asaj reviste së parë shqipe, me emër gjysëm turqisht në fillim “Elçija i Zemers t’Jezu Krishtit”, që nga viti 1914, Lajmëtari i Zemers s’ Jezu Krishtit. Ishte revista e parë, që u botua në Shqipëri, e dyta pas Dritës së Stambollit, e lënë fare në harresë, sepse me etiketën “fetare”. Pavarësisht nga kjo, me një jetë tejet të gjatë, ajo ndikoi fuqimisht në zhvillimin e kulturës veriore. Revista dilte me ‘lmoshat e do bamirsve, që ndihmojshin me harxhe t’nevojshme” (Lajmtari, 1916, ff 49-350). Duken në të emrat, që do të bëheshin të njohur në kulturën mbarëshqiptare. Nga kleri, Emzot Lazer Mjedja, Emzot Luigj Bumçi, dom Ndoc Nikaj, Atë Gjergj Fishta, Atë Vinçenc Prennushi, Dom Nikollë Kaçorri, Dom Lazër Shantoja (asokohe ende xhakon)... Nga laikët, Filip Shiroka, Mati Logoreci, Luigj Gurakuqi, Kol Thaçi, Kolë Laca... Rreth “Zemres s’Krishtit” mblidhet gjithë kleri katolik, pa dallim urdhërash, duke e bërë revistën e thjeshtë, “palestër” të shkrimtarëve të rinj, që nisën t’i japin shkëlqim të ri mbarë letërsisë shqipe. Pa harruar vijimin e veprimtarisë së misionarëve, ndërmjet të cilëve, Atë Dedë Pasi e Atë Zef Valentini.








All the contents on this site are copyrighted ©.