Koha e Ardhjes, kohë e pritjes, e përtëritjes. Meditime për çdo ditë: 19 dhjetor
Gëzimi, i mundshëm Mungojnë vetëm gjashtë
ditë, për të arritur tek Krishtlindja. Mendojmë për festën e në shpirt na jehon një
fjalë: “Gëzim”. Betlehemi ngjall shpresa të reja në shpirt, e Krishtlindja, në
prag, është pritje e ditës, që na mbush me gëzim. Me lumturi. Pra qenka e mundur
ta gjesh lumturinë? Pyetja duket se del nga zemra e të gjithëve, në çdo kohë, në
çdo vend. E bën mbarë njerëzimi, në rrjedhë shekujsh. Disa e mbyllin këtë pyetje
në heshtjen e shpirtrave të tyre, të tjerë, kërkojnë mënyra nga më të ndryshmet për
të gjetur gjegjen, e, sidomos, për ta jetuar lumturinë, për ta përjetësuar. Me çdo
kusht. Për të gëzuar jo një çast të vetëm lumturie, por lumturinë e përjetshme. Mendoj
se lumturia lind nga ekulibri. Njeriu i lumtur mund të krahasohet me foshnjën në
krahët e nënës. Etja e tij për lumturi i ngjet mallit, që ngjallet nga kujtimi i kohës
së artë, kur përkundej, krejt i çkujdesur, në prehërin e ngrohtë. Përtej çdo lloj
shpjegimi të kësaj natyre, për fenë, vendi ku gjindet lumturia e vërtetë, e plotë,
është jeta mbitokësore. Një jetë tjetër, shumë më e mirë. Larg ëndrrash të përlyera
prej djerse e gjaku. Vendtakim i dëshiruar e i shpresuar me Atë, që është fillimi
e mbarimi i të gjitha jetëve. Lumturia e vërtetë është pasojë e pranimit, mirëpritjes,
shkrirjes së plotë të krijesës me Krijuesin, pa asnjë kusht, pa asnjë pengesë. Gjithsesi
besimi në amshimin, që na pret, ndikon fuqimisht mbi gjithë jetën tonë, duke na dhuruar
vazhdimisht iskra lumturie, deri te lumturia e pambaruar. Iskër lumturie është
mirëpritja dashamire e tjetrit. Pavarësisht nga çdo papërsosuri, na zgjon në shpirt
ndjesinë e ekulibrit të brendshëm, të paqes. Është shenjë e së ardhmes. E logjikës
së dashurisë që, e jetuar në të sotmen, e përshpejton dhe e realizon lumturinë e
nesërme. Prej zgjimit, në zgjim! Me rrahje zemre milionash, në kërkim të një Emri,
ecim drejt Betlehemit. Shkojmë për të takuar Foshnjën, nga e cila buron paqja e lumturia!
E përfytyrojmë mbi grazhd: në ligështinë e brishtësinë e Krishtit Fëmijë të gjithë
mund të njëjtësohemi e të këndojmë njëzëri “Gloria”, himn i lumturisë, që nuk e humb
kurrë melodinë galduese.
“Sikurse Ati më deshi mua, ashtu edhe
unë ju desha ju. Qëndroni në dashurinë time. Nëse do t’i mbani urdhërimet e mia, do
të mbeteni në dashurinë time, ashtu si unë i mbajta urdhërimet e Atit e jam në dashurinë
e Tij. Jua thashë këtë, që gëzimi im të jetë në ju e gëzimi juaj të jetë i plotë” Ungjilli
i Shenjtë sipas Gjonit (Gjn 15. 9-11)