2014-12-19 13:42:08

Kardinali Parolin: roli i Papës Françesku, vendimtar në dialogun Kubë-SHBA


Angazhimi i Vatikanit për dialogun e Kubës me SHBA-të, ka nisur qëkur, që nga mesazhi i Gjonit XXIII, për të vijuar me shtegtimet e Gjon Palit II e të Benediktit XVI e me impenjimin e nuncave në vend. Por cili ishte, kohët e fundit, roli i posaçëm i Papës Françesku? Ç’rëndësi ka fakti se është Papa i parë nga Kontinenti latino-amerikan? Përgjigjet sekretari i Shtetit të Shenjtërisë së Tij, kardinali Pietro Parolin, në një intervistë për Radio Vatikanin:RealAudioMP3

Përgjigje: - Po, më pëlqen të kujtohet puna e kryer gjatë shumë viteve. Sepse është e qartë që çdo vendim, e posaçërisht çdo vendim i këtij tipi, me këtë peshë e këtë rëndësi ka një mori veprimesh, që duhen bërë me punë, me përpjekje, me durim, me hapa të vegjël. Ju kujtuat, pikërisht, personat që kontribuan, por ka pasur edhe shumë të tjerë, që natyrisht dhanë kontributin e tyre për të arritur në këtë përfundim, Sigurisht roli i Papës Françesku ishte vendimtar, sepse ai e mori nismën t’i shkruante të dy presidentëve, për t’i ftuar, pikërisht, që t’i kapërcenin vështirësitë ekzistuese ndërmjet dy vendeve e për të gjetur pikën e marrëveshjes, pikën e takimit. Natyrisht kjo lidhet edhe me faktin që Papa vjen nga ky rajon e, prej këndej, e njeh thellë problematikën, prandaj e gjeti edhe mënyrën më të drejtë, siç mund të shprehemi, për të dhënë ndihmesën e vet në kapërcimin e distancës e në afrimin ndërmjet të dyja palëve.

Pyetje: - Kardinal Parolin, a mund të thuhet se “kultura e takimit”, për të cilën Papa flet shpesh, gjen këtu një zbatim e një rezultat posaçërisht të rëndësishëm?

Përgjigje: - Më duket se po, më duket se po. Përgjigjja, në një farë mënyre, dihej. Papa e ka thënë shumë herë e mua po më pëlqen ta përsëris; kur ka probleme, atëhere aty duhet zbatuar metoda e dialogut, e sa më shumë probleme të ketë, sa më shumë vështirësi të ketë, aq më shumë duhet të ketë edhe dialog. E ky dialog, nëse është i sinqertë, ka gjithnjë si qëllim, si objektiv, t’i bëjë njerëzit të takohen, pavarësisht nga ndryshimet, e t’i bëjë edhe të bashkëpunojnë. Prandaj më duket se ky është një shembull shumë, shumë domethënës i kësaj kulture të takimit, për të cilin Papa i fton njerëzit, grupet e vendet e botës së sotme.

Pyetje: - Ç’e karakterizon sot angazhimin diplomatik të Selisë së Shenjtë? Me çfarë synimesh të posaçme ushtrohet e sidomos, si u ushtrua në këto bisedime?

Përgjigje: - Angazhimi i Selisë së Shenjtë është ai, që Papa e përcaktoi në fjalimin e parë drejtuar Trupit Diplomatik, pas zgjedhjes së tij. Kujtoi tri pika: pikën e paqes, që është gjithnjë karakteristikë themelore e veprimit të Selisë së Shenjtë dhe e diplomacisë së Selisë së Shenjtë në epoka të ndryshme të historisë: për sot, kujtoi luftën kundër varfërisë: e pastaj “ndërtimin e urave”. Ja, pra, ky është angazhimi i diplomacisë kishtare. Në këtë rast, ndërtimi i urave u shpreh përmes lehtësimit të dialogut ndërmjet dy palëve. Selia e Shenjtë, pra, siç kujtohet edhe në komunikatën për shtypin, ofroi mjedisin asnjanës, që të dyja palët të mund të takoheshin e të mund të arrinin edhe në një përfundim fatlum të këtij angazhimi nga ana e të dyjave. Është, pra, një funksion tipik për diplomacinë, ofrimi i mjedisit asnjanës, që ndonjë problem të ketë përfundimin e dëshiruar.

Pyetje: - Ju e njihni shumë mirë zonën, sepse deri pak kohë më parë keni qenë nunc në Venezuelë. Besoni se do të ndikojnë pozitivisht mbi gjithë rajonin latinoamerikan këto marrëdhënie të reja të SHBA-ve me Kubën?

Përgjigje: - Besoj dhe shpresoj. Besoj, sepse një hap i kësaj natyre do të ketë pa dyshim ndikime pozitive në të gjithë zonën latinoamerikane; e shpresoj, sepse më duket që ka situata për t’u përmirësuar e për të gjetur rrugëzgjidhje të reja. Ky fakt mund të shërbejë edhe si model, sepse kemi të bëjmë me dy shtete, që kanë pasur shumë probleme, shumë vështirësi në marrëdhëniet ndërmjet tyre, por që, falë vullnetit të mirë të liderëve, patën edhe guximin të arrijnë në këtë përfundim. E theksoj këtë, sepse mund të frymëzojë edhe lider të tjerë të kenë po këtë guxim e të kërkojnë rrugën e dialogut dhe të takimit.

Pyetje: - Hirësi, kjo risi a do të ndikojë pozitivisiht edhe mbi Kishën në Kubë?

Përgjigje: - Dëgjova se në Kubë ranë të gjitha këmbanat në festë, e kjo do të thotë se edhe Kisha ka marrë pjesë me gëzim në këtë ngjarje. Besoj se ky do të jetë një hap i ri, që do ta ndihmojë Kishën ta kryejë gjithnjë më mirë funksionin e vet në gjirin e shoqërisë kubane, për ndërtimin e një jete gjithnjë më solidare. Dëshiroj të rikujtoj se për ta arritur këtë qëllim, pati shumë bashkëpunime, prandaj duhet ta falënderojmë Zotin për këtë hap. Është shenjë e mirë, lajm i mirë, ndërmjet shumë lajmeve të botës së sotme që, për fat të keq, janë të kundërta. Na kujton se është e mundur, ajo që Papët në përgjithësi, e Papa Françesku në veçanti, e kanë thënë dhe e kanë theksuar: mirëkuptimi mund të arrihet, palët mund të kuptohen, mund të arrihet bashkëpunimi e mund të gjinden rrugëdaljet nga vështirësitë, që na ndajnë.







All the contents on this site are copyrighted ©.