2014-12-18 10:59:10

Koha e Ardhjes, kohë e pritjes, e përtëritjes. Meditime për çdo ditë: 18 dhjetor


Të afrohemi me respekt RealAudioMP3
Shikoj rishtas shumë fytyra, që i takova në ditët e mia e në udhën time.
Ngushëllohem kur kujtoj sjelljen ndaj tyre, ndaj miqve, njerëzve të dashur, të afërt a që i takova rastësisht.
Shpesh sillemi në mënyra krejt të ndryshme me tjetrin.
Herë e trajtojmë tjetrin me arrogancë, herë, me indiferencë. E jo rrallë, sillemi ftohtë, pa dëshirë për t’u afruar. Madje presim të largohemi sa më shpejt nga tjetri, me shpresë se nuk do ta shohim kurrë më.
E kjo sjellje mund të kuptohet lidhur ngushtë me larminë e situatave e të njerëzve, me ndjesinë e sigurisë vetjake ose me marrëdhëniet e ndryshme në rrjedhën e vrullshme të jetës.
Të kuptosh kush është i afërmi yt e ç’duhet të bësh për të lidhur miqësi me të, nuk është aftësi, që mund të fitohet, pa u takuar drejtpërdrejtë. Ta tregon këtë Ungjilli i Samaritanit të Mirë, duke përshkruar gjestet e thjeshta, veprimet konkrete, kujdesin për të afërmin, që të ngjet aq shumë. Nuk flet për arsye të posaçme, të mbinatyrshme, engjëllore.
I afërmi, siç përfundon shëmbëlltyra, është ai, që e trajton tjetrin, qoftë i njohur qëkur ose i takuar rastësisht, me të njëjtin kujdes, me të njëjtën vëmendje, me të cilën do të dëshironte të trajtohej edhe ai vetë.
Sa i thjeshtë e i kuptueshëm është mësimi i Ungjillit: i afërmi yt është ai, që të ngjet si dy pika uji: afroju me të pa frikë.
Duke e dashur tjetrin, do vetveten. Ja drejtimi, që na tregon Mësuesi. Duhet përshkuar gjithnjë, për të arritur tek caku. Qielli.
Shndërrimet nisin nga zemra. Kur hapet porta e shpirtit, nëpër të kalon më shumë jetë. Të afërm të tjerë mund të përfitojnë nga porta e hapur Mund të ndërrojnë rrugë. E ta kapërcejnë pragun. Mos harro! Tjetri nuk është kundërshtar. Nuk të shqetëson, por të krijon rastin për të rigjetur vetveten. Në tjetrin është vetë Zoti!

“Duket i vështirë
Urdhërimi i dashurisë…
Jashtë forcave tona…
Sepse askush me urdhër
nuk mund të duhet!
S’buron nga urdhëri,
dashuria, por nga feja.
Të duash do të thotë
ta marrësh seriozisht
dëshirën e zjarrtë të së mirës
që tjetri e ka në shpirt.
Do të thotë t’ia zbulosh
mirësi e dëshirë.
Të duash, do të thotë
ta bësh tjetrin më të mirë!

(Anselm Grün)








All the contents on this site are copyrighted ©.