Ati i Shenjtë, fëmijëve të Veprimit Katolik: me Jezusin, gjithçka është e mundur
Me Jezusin përkrah në jetë, gjithçka është e mundur. Sidomos, është e mundur të shpenzohet
koha, energjia e shërbimi për bashkësinë, ku bën pjesë, e për të varfërit. Këtë u
kujtoi Papa Françesku rreth 50 fëmijëve të Veprimit Katolik, që i uruan sot Krishtlindjen
Atit të Shenjtë. Papa u nis nga tema e zgjedhur për këtë vit nga edukatorët “Gjithçka
për t’u zbuluar”. “Gjithçkaja”
e parë, u tha fëmijëve, është të mos dorëzohen kurrë e ta ndërtojnë jetën së bashku
me prindërit, vëllezërit, miqtë e shokët e shkollës. Së dyti, i këshilloi Ati i Shenjtë,
të interesohen për nevojat e të varfërve, të nevojtarëve, të njerëzve të vetmuar,
sepse kush e do Jezusin, nuk mund të mos e dojë të afërmin. Pastaj, të jenë apostuj
të paqes e të qetësisë në familje e kudo, sepse është bukur kur kapërcehen keqkuptimet
dhe mbretëron dashuria. Së fundi, Papa Françesku i këshilloi fëmijët të luten, të
flasin me Jezusin, sepse ai është miku i tyre më i madh, që nuk i braktis kurrë.