2014-12-17 14:49:04

Sapë: Kisha katolike thirrje për t’u kujdesur për të varfërit


E Diela e tretë e kohës liturgjike të Ardhjes, në Shqipëri ishte Dita e Karitasit Kombëtar. Kjo nismë e Kishës katolike të Shqipërisë për t’i sensibilizuar besimtarët dhe qytetarët ndaj njerëzve të varfër e nevojtarë në shoqërisë shqiptare, u shënua edhe nga dioqeza e lashtë shqiptare e Sapës me kremtime e nisma të ndryshme humanitare e solidariteti. Më hollësisht nga Vau-Dejës na njofton Violeta Marashi....... RealAudioMP3


KREMTIMI I DITËS SË KARITASITE vendosur nga Konferenca Ipeshkëvnore e Shqipërisë, prej vitesh, e Diela e tretë e Ardhjes kremtohet edhe si dita e Caritasit Kombëtar. Me këtë rast Caritasi Dioqezan Sapa me stafin e tij, organizoi këtë fundjavë një sërë kremtimesh fetare, bamirësie dhe kulturore, ku secili eveniment pati rëndësi më vete.
Vigjilja e kësaj feste filloi me koncertin polifonik të bamirësisë, me protagonistët e korit që priti Papa Françeskun gjatë vizitës së tij në Tiranë, orkestrën e harqeve, dhe me të madhin, artistin e merituar z. Mirush Kabashi. Ky koncert u mbajt në Katedralen Nënë Tereza në Vau-Dejës dhe ishte i pari i këtij lloji në këtë qytet dhe në mbarë Dioqezën; Interpretimi i vargjeve të Nënë Terezës sjellë nga Mirush Kabashi përcolli një emocion të jashtëzakonshëm. Paraqitja dinjitoze e këtyre artistave i mahniti të gjithë spektatorët e pranishëm. E gjithë kjo ishte një sukses i arritur, duke hapur kështu një fletë të re historie për dioqezën tonë, në fushën e muzikës së kësaj rryme.
Te dielen, 14.12.2014, dita e Karitasit filloi me kremtimin e Meshës Shenjte në Katedralen e Sapës, kryesuar nga Shkëlqesia e tij, Imzot Lucjan Avgustini në bashkëkremtim me delegatin e Karitasit Dom Simon Kulli. Gjatë fjalës së tij, ipeshkvi u ndal në rëndësinë e këtij institucioni, i cili shpjegoi se është një organizëm Baritor i Kishës lokale që ka detyrën e formimit dhe te kuptimit më të thellë të bamirësisë, me synim drejtësinë shoqërore, paqen dhe zhvillimin njerëzor, duke i dhënë përparësi më të varfërve. Ai tha se, të bëhemi dëshmitarë të Shëlbuesit, Krishtit Zot mund të realizohet në forma të ndryshme. Dhe një prej mundësive është që të kemi zemër për më të varfrit në mesin tonë, për ata që kanë më shumë nevojë.
Menjëherë pas meshës u hap edhe panairi me simbolet e festës së Krishtlindjes dhe Vitit të Ri, punuar nga personat me aftësi të kufizuar. Është tashmë një projekt i ri i Caritasit, përmes së cilit është hapur qendra ditore pranë famullisë së Shën Nikollit në Vau-Dejës, ku personat me aftësi të kufizuar punojnë në laboratorin e tyre punime dore të ndryshme.
Në mbyllje të të gjitha kremtimeve, për të tretin vit radhazi Caritasi organizoi edhe Darkën e Bamirësisë. Nën moton “Një familje njerëzore ushqim për të gjithë”, ishin të ftuar biznesmenë, pushtetare vendorë dhe njerëz vullnetmirë, që me kontributin e tyre të shprehur në nevojat e veprimtarisë bamirëse, ndihmojnë në fenomenin e varfërisë. Edhe Imzot Lucjan Avgustini, në emrin e tij personal dhe në emër të të varfërve, i falënderoi përzemërsisht të gjithë të pranishmit që vazhdimisht i përgjigjen thirrjes për bamirësi. Këtë mbrëmje e bënë më të gëzueshme edhe prania e artistave të mëdhenj të skenës shqiptare, këngëtarët Frederik Ndoci dhe Shpresa Gashi, të cilët ofruan falas dhuratën e marrë prej Zotit, “zërin e tyre të bukur”. Gjatë kësaj ceremonie Bashkia Vau-Dejës nderoi misionarët italianë Antonio dhe Vera Ferreti me titullin “Qytetar Nderi” të Vau-Dejësit me motivacionin: “Për kontributin e dhënë në ndihmë të njerëzve në nevojë si dhe në ringritjen e kishave dhe institucioneve fetare në bashkinë Vau-Dejës, në shërbim të vlerave njerëzore, fetare dhe kulturore në Dioqezën e Sapës dhe më gjerë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.