2014-12-16 07:30:44

Françesku siro-katolikëve: fe guximtare, përballë çnjerëzimit


Afërsi dhe ikurajim për shumë e shumë të krishterë që, në Siri e në Irak, po provojnë mbi kurrizin e tyre çnjerëzimin më të padurueshëm, duke u detyruar, më në fund, të ikin nga sytë këmbët: e shprehu Françesku gjatë takimit me bashkësinë katoliko-siro-antiokene, mbledhur në Romë, për Sinodin e saj, mbajtur jashtë territorit patriarkal, për shkak të luftës. Delegacionin siro-katolik e kryesoi patriarku Ignace Youssuf III Younan.

Në qendër të fjalimit të Papës, situata dramatike e bashkësisë së krishterë në Lindjen e Mesme.
Përmes jush, mund të bëj, që përshëndetja ime të arrijë tek bashkësitë tuaja, të përhapura në mbarë botën, duke u shprehur inkurajimin tim, posaçërisht atyre të Irakut e të Sirisë, që po pësojnë vuajtje të mëdha, të pushtuar gjithnjë nga frika, përballë vijimit të pandërprerë të dhunës.
Në Sinodin e siro-katolikëve u bënë përpjekje për t’u dhënë përgjigjje urgjente pyetjeve më të mprehta në gjirin e kësaj Kishe si dhe shpresave aktuale të besimtarëve. Posaçërisht u diskutua reforma e Liturgjisë Hyjnore, në shërbim të një hovi të ri të devocionit të tyre. Kjo punë, nënvizoi Papa, kërkon thellim të vazhdueshëm të Traditës si dhe shumë arsyetim, duke e ditur mirë sa e ndjeshme është asambleja ndaj dhuratës së madhe të Fjalës së Zotit dhe të Eukaristisë:
“Situata e vështirë në Lindjen e Mesme shkaktoi e vijon të shkaktojë në Kishën tuaj zhvendosje të besimtarëve drejt Heparkive të diasporës, e kjo ju vë përballë kërkesave të reja baritore”.
Është sfidë e dyfishtë, vërejti Papa, nga njëra anë t’i qëndrosh besnik origjinës, e nga ana tjetër, të radhitesh në kontekste të ndryshme kulturore, duke u vënë në shërbim të shpëtimit të shpirtrave e të së mirës së përbashkët. Kjo lëvizje e besimtarëve kah vendet, që i shikojnë si më të sigurta, e varfëron praninë e krishterë në Lindjen e Mesme, tokë e profetëve, e predikatarëve të parë të Ungjillit, e martirëve dhe e shumë shenjtorëve, djep i vetmitarëve e i jetës murgare. E gjithë kjo, pohoi Papa, kërkon barinj e besimtarë të guximshëm, të aftë për ta dëshmuar Ungjillin në ballafaqimin, shpesh jo të lehtë, me njerëz të etnive e feve të ndryshme.
Shumë kanë ikur për të shpëtuar nga një çnjerëzim, që flak në rrugë të madhe popullsi të tëra, duke i lënë pa asnjë mjet jetese. Së bashku me Kishat e tjera, përpiquni t’i koordinoni përpjekjet për t’iu përgjigjur nevojave humanitare si të atyre që mbeten në atdhe, ashtu edhe të atyre, që ikin në vise të tjera.Papa Françesku e nxiti, në përfundim, Kishën siro-katolike të vijojë misionin e saj të shpresës, në shërbim të kësaj bashkësie të lashtë të krishterë.







All the contents on this site are copyrighted ©.