2014-12-15 14:58:17

Koha e Ardhjes, kohë e pritjes, e përtëritjes, meditime për çdo ditë: 15 dhjetor


Ndërmjet mallit e besimitRealAudioMP3
Kanë kaluar 14 ditë, që kur e kemi nisur shtegtimin drejt Betlehemit.
Nganjëherë na merr malli për kohët e kaluara: mall, që na e rrëmben krejtësisht kujtesën. Po ne nuk dëshirojmë që koha e kaluar të bëhet zot i së sotmes sonë, ta pushtojë e ta kthejë mbrapsht, në kohë që më s’janë.
Malli mund të bëhet plagë aq e thellë, sa vështirë të shërohet. Vetë fjala është e ngarkuar me një barrë, që rëndon tepër mbi mendjen e mbi zemrën. Rëndon e të sëmur. Është sëmundja e dëshirës për t’u kthyer prapa, për t’i parë përsëri viset e braktisura të së kaluarës: fytyrat, që deshe; ndjenjat, që provove.
E të duket se koha e kaluar të pushton, pa të lënë të mendosh për të sotmen. Ta shlyen të sotmen. Ta humb besimin në ditën e re, në lindjen e një dielli të ri, edhe në jetën tënde, që duket se ka humbur shtigjeve të errta të së kaluarës, pa kthim.
Gjithçka tretet në kujtimin e së kaluarës që, si pushtues i paepur, kërkon të rikthehet, duke të krijuar shpresën e kotë të gëzimit e të kënaqësisë.
Por jeta jonë nuk duhet të pushtohet nga e kaluara. Na duhet më shumë besimi në të sotmen. E syri, që kërkon flakën e fshehtë të së nesërmes.
Po ta kultivojmë, besimi bëhet ilaç i çmuar për t’iu kundërvënë kthimeve të kota përmbrapa, në përpjekjen për të rijetuar atë, që nuk mund të jetë kurrë, ashtu siç ishte.
Feja e besimtarit është si drita, që rilexon të kaluarën, përtërin shpresën për të sotmen e rikrijon të nesërmen. Plot etje për të shkelur shtigjeve të parrahura.
Së kaluarës dua t’i them faleminderit; së sotmes, eja; së nesërmes, të pres, deri te drita!

“Ndihmomë ta përhap kudo erëmirën tënde, Jezus. Kudo që të shkoj! Përmbyte shpirtin tim me shpirtin tënd, jetën time, me tënden. Bëhu ti, zotëria i qenies sime, në mënyrë aq të plotë, sa e gjithë jeta ime të mos jetë tjetër, veçse rrezatim i sates. Kështu çdo shpirt që të më afrohet, të mund të ndjejë praninë tënde në shpirtin tim. E, nësa m’i ngul sytë, të mos më shikojë mua, por Ty, në mua. Kështu do të ndriçoj me dritën tënde e të bëhem dritë për të tjerët!”.
(Nënë Tereza e Kalkutës)








All the contents on this site are copyrighted ©.