2014-12-15 14:58:08

Françesku: i krishteri është i mëshirshëm, rreptësia është shenjë e zemrës së ligshtë


Jezusi na bën të mëshirshëm ndaj njerëzve, ndërsa kush e ka zemrën të ligshtë, sepse pa themel në Krishtin, rrezikon të jetë i rreptë në disiplinën e jashtme, po hipokrit e oportunist përmbrenda: këtë theksoi Papa në homelinë e mëngjesit, mbajtur gjatë kremtimit të Meshës, në Shtëpinë e Shën Martës.RealAudioMP3

Në qendër të homelisë, Ungjilli i ditës, në të cilin krerët e priftërinjve e pyesin Jezusin me çfarë autoriteti i kryen veprat e Tij. Është një pyetje, shpjegoi, që flet vetë për zemrën hipokrite të këtyre njerëzve: këtyre nuk u interesonte fare e vërteta, kërkonin vetëm interesat e tyre e shkonin nga frynte era. Shkonin nga u leverdiste: andej e këndej…Ishin tregtarë flamujsh, eh? Të gjithë! Të gjithë”. Pa qëndrueshmëri. Kishin zemër të paqëndrueshme. E kështu tregtonin gjithçka: tregtonin lirinë shpirtërore, tregtonin fenë, tregtonin atdheun, gjithçka, përveç dukjes. Atyre u interesonte vetëm të hidhnin gurin e të fshihnin dorën. Ishin oportunistë: përfitonin nga situata.
E pra, ndokush mund të më thotë: “Por, o Atë, këta njerëz ishin ndjekës të ligjit: të shtunën nuk ecnin më shumë se njëqind metra, a kush e di sa duheshin bërë. Nuk shkonin kurrë, kurrë në sofër, pa larë duart e pa marrë avdes. Ishin njerëz shumë, shumë të saktë në respektimin e dokeve e të zakoneve. Po, është e vërtetë, por këtë e bënin vetëm për t’u dukur. Ishin të fortë për sy e faqe. Ishin të ngrirë në allçi. Zemra e tyre ishte tejet e ligshtë, e as ata vetë nuk e dinin në çka besonin. Prandaj jeta e tyre, në anën e jashtme, ishte krejt e rregullt, por zemra u luhatej sa andej, këndej: zemër e ligshtë, lëkurë allçie, e fortë, e ngrirë. Jezusi, përkundrazi, na mëson se i krishteri duhet ta ketë zemrën të fortë, të qëndrueshme, zemër që rreh mbi shkëmb, mbi Krishtin, e pastaj të ecin me urti: “Në këtë rast bëj këtë, në atë rast, atë…”. Është mënyra si ecin përpara, por pa e nxjerrë zemrën në treg, sepse nuk mund të tregtohet zemra, nuk mund të nxirret në treg shkëmbi. Shkëmbi është Krishti e nuk mund të tregtohet!”.
Kjo është drama e hipokrizisë së këtyre njerëzve. E Jezusi nuk e tregtonte kurrë zemrën e Tij prej Biri, që i përkiste Atit, por ishte i çiltër me njerëzit, kërkonte rrugët për t’i ndihmuar. “Por kjo nuk mund të bëhet; disiplina jonë, doktrina jonë thotë se nuk mund të bëhet”, thoshin . “Pse dishepujt e tu hanë grurë në arë, kur ecin, ditën e shtunë? Nuk mund të bëhet kjo!”. Ishin tepër të ngurtë në disiplinat e tyre: “Jo, disiplina nuk preket, është e shenjtë”.
Françesku kujtoi, më pas, Piun XII, që i liroi të krishterët nga kryqi i rëndë i agjërimit eukaristik.
Disa nga ju ndoshta e kujtojnë, vijoi Papa. Nuk duhej pirë asnjë pikë ujë. Asnjë pikë. E për të larë dhëmbët, duhej pasur kujdes të mos e gëlltisje ujin. Unë vetë, kur isha fëmijë, shkova e u rrëfeva, nga që besoja se para Kungimit kisha gëlltitur një pikë uji. E vërtetë kjo, apo jo? E vërtetë. Kur Piu XII e ndryshoi disiplinën, farizenjtë bërtitën: “Herezi! Nuk preket disiplina e Kishës!”. E u shkandulluan. Sepse Piu XII kishte bërë si Jezusi. Kishte parë nevojat e njerëzve. Po këta njerëz të varfër, me gjithë këtë vapë!”. E pastaj, meshtarët, që kremtonin tri meshë, të fundmen në orën një, pas mesdite, agjërueshëm. Për të respektuar disiplinën e Kishës. E këta farizenj ishin kështu. Mbronin disiplinën. E kishin lëkurën e fortë, apo, si thoshte Jezusi, i kishin zemrat të prishura, të ligshta, të ligshta, deri në kalbësirë. Të errët në zemër.
Kjo është drama e këtyre njerëzve. E Jezusi denoncon pikërisht hipokrizinë, oportunizmin e tyre. “Edhe jeta jonë mund të bëhet kështu, edhe jeta jonë. E nganjëherë, ju rrëfej një gjë, kur kam parë ndonjë të krishterë kështu, me zemër të ligshtë, pa qëndresë, pa forcë mbi shkëmbin Jezus e krejt të ashpër përjashta, i kam kërkuar Zotit: “Po, o Zot, hidhja një lëkurë bananeje përpara, që të rrëshqasë e të rokulliset e të turpërohet se është mëkatar e kështu të të takojë Ty, që je Shpëtimtari’. Eh, nganjëherë mëkati të bën të turpërohesh shumë e të takohesh me Hyjin, që të fal, si ata të sëmurët, që shkonin te Zoti për t’u shëruar.
Por njerëzit e thjeshtë, vërejti Papa, nuk gabonin, pavarësisht nga fjalët e doktorëve të ligjit, nga që njerëzit e dinin, e kishin nuhatjen e fesë.
Papa e përfundoi homelinë me një lutje: “I kërkoj Zotit hirin që zemra jonë të jetë e thjeshtë, e ndritshme, për të parë të vërtetën, që Ai na e jep, e kështu të mund të jemi të ëmbël, të falim, t’i kuptojmë të tjerët, ta kemi zemrën të gjerë, plot me mëshirë. Të mos dënojmë kurrë! Kurrë! Nëse të merr malli të dënosh, dëno vetveten, se një farë arsyeje e ke gjithnjë, eh? T’i lutemi Zotit të na e japë këtë dritë shpirtërore, që na bind se vetëm Ai është shkëmbi, e jo storet, që shpesh nuk kanë pikë rëndësie. Është Ai, që na tregon udhën. Ai që na shoqëron në udhë. Ai, që na zgjeron zemrën, për të hyrë aty problemet e njerëzve e Ai, që na e jep hirin, të cilin ata njerëz nuk e kishin: ta ndjejmë veten mëkatarë.









All the contents on this site are copyrighted ©.