2014-12-14 11:49:12

Pesë veprat të reja të Papës Françesku


Janë pesë, veprat e reja të Papës Françesku, që dolën nga Shtëpia Botuese e Vatikanit, për t’u dukur në vitrinat e librarive: “Mesazhi i shpresës e i bashkimit”; “Letra apostolike drejtuar gjithë rregulltarëve me rastin e Vitit të Jetës së Përkushtuar”; “Homelitë e mëngjesit 4”; “Mëshira ta ndryshon zemrën”; “Në fe e në dashuri”.

“Mesazhi i shpresës e i bashkimit” përmbledh fjalimet e mbajtura nga Papa në Parlamentin evropian dhe në Këshillin e Evropës, gjatë vizitës së tij në Strasburg, më 25 nëntorin e kaluar. Përfundon me konferencën e shtypit, mbajtur në avion, gjatë fluturimit drejt Romës.

Botimi i Letrës apostolike drejtuar gjithë rregulltarëve me rastin e Vitit të Jetës së Përkushtuar, veç Letrës së Papës, përfshin edhe Mesazhin e tij për fillimin e Vitit, më 30 nëntorin e kaluar si dhe Dekretin e Pendestarisë Apostolike “me të cilin vendoset vepra që duhet kryer për të marrë dhuratën e ndjesëve, me rastin e Vitit të Jetës së Përkushtuar”.

“Homelitë e mëngjesit 4” përmbledh fjalët e shqiptuara nga Françesku, duke komentuar Leximet e Ungjillit gjatë Meshëve të kremtuara mëngjeseve, në orën 7, në Kapelën e Domus Sanctae Marthae, në Vatikan, në periudhën që shkon nga 7 korriku deri më 27 nëntor 2014, ashtu siç dalin çdo ditë në gazetën vatikanase “L’Osservatore Romano”.

“Mëshira ta ndryshon zemrën” përmban fjalët e Papës nga lutja e Engjëllit të Tënzot të së dielës, 6 korrik 2014, në audiencën e përgjithshme të së mërkurës, 26 nëntor. Gjithsejt janë 38 tekste, ndërmjet të cilave, katekizmi i audiencave pas shtegtimeve apostolike në Kore e në Shqipëri, cikli i katekizmave kushtuar Kishës, Engjëlli i Tënzot në Solemnitetin e Gjithë Shenjtorëve dhe në përkujtimin e gjithë besimtarëve të vdekur.

“Në fe e në dashuri” përfshin fjalimet e Papës gjatë shtegtimit të tij apostolik në Turqi (Ankara e Stamboll), më 28 deri më 30 nëntorin e kaluar. Nis me përshëndetjen drejtuar gazetarëve në konferencën e shtypit gjatë fluturimit Romë-Ankara, për të përfunduar me atë të kthimit, duke pëfshirë, ndërmjet këtyre dy konferencave, takimet me autoritetet turke, vizitën tek kryetari i Departamentit për punët fetare, Meshën në katedralen katolike të Shpirtit Shenjt në Stamboll, lutjen ekumenike, liturgjinë hyjnore dhe deklaratën e përbashkët me Patrikun ekumenik Bartolomeun.
Tre vëllimet e fundit bëjnë pjesë në kolanën “Fjalët e Papës Françesku”, me njëmbëdhjetë tituj të tjerë: “Ju kërkoj të luteni për mua”; “Mos lejoni t’jua rrëmbejnë shpresën”; “Gëzimi i ungjillëzimit”; “Është gjë e bukur për ne të jemi këtu”; “Homelitë e mëngjesit 1”, “Përshkojmë rrugët e paqes”, “Homelitë e mëngjesit 2”, “Jezusi na pret gjithnjë”, “Tek burimet e fesë” dhe “T’i hapim zemrat!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.