2014-12-14 14:53:23

Papa në Engjëllin e Tënzot: me Jezusin erdhi gëzimi për të gjithë


“Nuk është më nevoja ta kërkojmë tjetërkund. Jezusi erdhi për të na sjellë gëzimin të gjithëve e përgjithmonë e jetës”. E kujtoi Papa Françesku në lutjen e Engjëllit të Tënzot, në praninë e 50 mijë besimtarëve, mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, në këtë të Diel të tretë të Kohës së Ardhjes, që na çon drejt Krishtlindjes. Sipas traditës, Papa bekoi edhe shtatoret e Krishtit Fëmijë që, në mesnatën e madhe, do të vendosen mbi grazhdin akoma të zbrazët të Shpellave të Betlehemit. Ishin në duar të njoma, që ngriheshin lart, kah dritarja, prej nga zbriste bekimi i Papës. Më pas Ati i Shenjtë u dhuroi të gjithëve nga një libërth lutjesh.

Jezusi nuk është personalitet i së kaluarës. Është Fjala e Hyjit, që sot vijon t’ia ndriçojë udhën njeriut. Gjestet e Tij, domethënë Sakramentet, janë shprehje e dhimbsurisë, e ngushëllimit, e dashurisë së Atit për çdo njeri.
Në të Dielën e tretë të Kohës së Ardhjes, Papa Françesku reflektoi për gjendjen shpirtërore me të cilën duhet ta presim ardhjen e Zotit, sipas porosive të liturgjisë së sotme: me gëzim, sepse, theksoi - duke lexuar afishet në duart e besimtarëve në Sheshin e Shën Pjetrit – “me Jezusin gëzimi është i shtëpisë”.
“Nuk është dëgjuar kurrë të flitet për një shenjt të trishtuar, ose për një shenjte me mort në fytyrë. Kurrë! Do të ishte fare pa kuptim. I krishteri është njeri me zemër plot paqe, sepse di ta gjejë gëzimin në Zotin, edhe kur kalon çaste të vështira në jetë. Të kesh fe, nuk do të thotë të mos kesh edhe çaste të vështira, por të kesh forcë për t’u bërë ballë, duke e ditur mirë se nuk jemi kurrë vetëm. E kjo është paqja, që Hyji u dhuron bijve të vet”.
Zemra e njeriut, shpjegoi Ati i Shenjtë, e dëshiron gëzimin: prandaj çdo familje e çdo popull synon të jetë i lum. Gëzimi, që i krishteri është i thirrur ta jetojë e ta dëshmojë, është ai që vjen nga afërsia e Zotit, nga prania e tij në jetën tonë. Qëkur Jezusi hyri në histori, duke lindur në Betlehem, njerëzimi mori farën e Mbretërisë së Hyjit.
“Nuk duhet më të kërkojmë tjetërkund. Jezusi erdhi për t’ua sjellë gëzimin të gjithëve e përgjithmonë e jetës. E jo vetëm gëzimin e shpresuar, që do ta gëzojmë më vonë në Parajsë: “Këtu, mbi tokë jemi të trishtuar, por në Parajsë do të jemi plot gëzim!”. Jo, jo! Nuk është ky, por gëzimin e prekshëm, që e ndjejmë tani, sepse vetë Jezusi është gëzimi ynë, e shtëpia jonë me Jezusin, është vetë gëzimi, siç thotë edhe afishja juaj: “Me Jezusin gëzimi është i shtëpisë”. Të pagëzuarit, vijoi Papa, janë të thirrur ta presin gjithnjë sërisht praninë e Hyjit mes nesh e t’i ndihmojnë edhe të tjerët ta zbulojnë e ta rizbulojnë, kur e kanë harruar”.
Është mision tejet i bukur, i ngjashëm me atë të Gjon Pagëzuesit: t’i drejtosh njerëzit nga Krishti, jo nga vetja, sepse është Ai caku, drejt të cilit priret zemra e njeriut, kur kërkon gëzim e lumturi.
Sipas shembullit të Shën Palit, mund të jemi misionarë të gëzimit, duke u lutur me ngulm, duke e falënderuar gjithnjë Hyjin, duke shkuar pas Shpirtit Shenjt, duke kërkuar të mirën e duke u larguar nga e keqja:
“Nëse do të jetë ky stili i jetës sonë, atëhere Lajmi i Mirë mund të hyjë shtëpi më shtëpi e t’i ndihmojë njerëzit e familjet të rizbulojnë se shëlbimi është në Jezusin. Në Të mund të gjindet paqja shpirtërore e forca për të përballuar çdo ditë situatat e ndryshme të jetës, edhe ato më të rëndat e më të vështirat”.
Më pas, lutja drejtuar Marisë, shkasi i gëzimit tonë, për të na bërë gjithnjë të gëzuar në Hyjin, që vjen të na çlirojë nga të gjitha skllavëritë e shpirtit e të botës.
Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Françesku përshëndeti, ndërmjet tjerësh, besimitarët polakë që, në këto orë ndezin qiriun e Krishtlindjes, të cilin vetë Papa e tregoi nga dritarja e Pallatit Apostolik: kështu pohojnë, kujtoi, impenjimin e solidaritetit, posaçërisht në këtë “Vit të dashurisë së krishterë”, që kremtohet në Poloni.
Pastaj u uroi Krishtlindjen të vegjëlve, ardhur në Sheshin e Shën Pjetrit për bekimin tradicional të shtatoreve të Krishtit Fëmijë, organizuar nga Qendra e Oratoreve Romake. Edhe atyre u drejtoi ftesën të luten;
“Lutja është frymëmarrja e shpirtit: ka rëndësi që, gjatë ditës, të gjesh çaste për t’ia hapur zemrën Zotit, edhe me lutje të thjeshta e të shkurtëra të popullit të krishterë”.
Prandaj, shpjegoi, Papa mendoi t’u dhurojë të pranishëmve në Shesh, një librec xhepi, që përmbledh disa lutje për çaste të ndryshme të ditës e për situata të ndryshme të jetës:
“Mbajeni përherë me vete, si ndihmë për ta jetuar gjithë ditën me Zotin” – porositi Françesku.











All the contents on this site are copyrighted ©.