2014-12-14 19:51:50

Lutje, falënderim Zotit e ndihmë të tjerëve: këtë kërkoi Papa për Krishtlindje, duke vizituar famullinë romake të Shën Jozefit


“Kisha, në këtë të diel, e përshpejton pakëz gëzimin e Krishtlindjes, prandaj quhet e Diela e gëzimit”.RealAudioMP3 Me këto fjalë e nisi Papa homelinë, në Meshën e kremtuar për besimtarët e famullisë së Shën Jozefit, në Aurelio, duke kujtuar edhe pse sot në të gjitha Kishat hiqen petkat meshtarake ngjyrë vjollcë, për t’u zëvendësuar me ato ngjyrë rozë. Hiqen, që të lulëzojë kudo gëzimi i Krishtlindjes, shpjegoi. Gëzim krejt i posaçëm, për gjithë jetën e të krishterit. Gëzim, që bëhet paqe edhe në çastet më të vështira, sepse dhuratë e Hyjit. Shumëkush i gëzohet drekës së festës, po ky nuk është gëzimi, për të cilin flasim sot; është tjetër gjë. Kisha dëshiron që të gjithë ta kuptojnë ç’është ky gëzim, vijoi Papa, duke shpjeguar më pas se gëzimin e krishterë e gjejmë në lutje, e gjejmë kur falënderojmë Zotin. Por, vijoi me qortim, ka edhe njerëz, që nuk dinë ta falënderojnë Zotin, që ankohen gjithnjë, për gjithçka. E këtu Françesku kujtoi shembullin e një murgeshe shumë të mirë, por që ankohej aq, sa në kuvend e thërrisnin “motër Ankimja”. Po i krishteri nuk mund të jetojë kështu, pohoi. Nuk duhet ta ketë fytyrën e njeriut gjithnjë të pakënaqur, njeriut, që s’gjen kurrë paqe. I krishteri duhet t’u ngjajë shenjtorëve, që e patën gjithnjë gëzimin në sy. E sidomos, të kujtojë martirizmin e Jezusit: ai kishte paqe në fytyrë e edhe në atë çast, shqetësohej për të tjerët. Për Nënën, për Gjonin, për hajdutin...
Për ta pasur këtë gëzim të krishterë, së pari, duhet të lutemi, së dyti, ta falënderojmë Zotin për gjithçka të mirë, që na dhuroi në jetë. E kjo të mbush me gëzim.
Më pas, duke shpjeguar Leximin e parë, Papa kujtoi një përmasë tjetër, që të ndihmon të jesh i gëzuar: t’ua përcjellësh edhe të tjerëve Lajmin e Mirë. E kujtoi edhe se fjala “i krishterë” vjen nga “Krishti” e Krisht do të thotë i vajuar. Edhe ne, nënvizoi, jemi të vajuar për t’u çuar Lajmin e Mirë të mjerëve, për t'u lidhur plagët të sëmurëve, për t’u shpallur lirinë skllevërve, për t’u zgjidhur zinxhirët të burgosurve, për të shpallur vitin e hirit të Hyjit. Kjo është thirrja e Krishtit dhe e të krishterëve: të shkojnë tek të tjerët, tek ata, që kanë nevoja shpirtërore a materiale e për t’u çuar paqen.
T’i lutemi, prandaj, Zotit: “Premto, o Zot, që t’i jetoj këto Krishtlindje me gëzimin e vërtetë. Jo me gëzimin e konsumizmit, që na bën të shkojmë kah data 25 dhjetor gjithë ankth, sepse na mungon kjo e ajo! Por me gëzimin e të krishterit”.
Mungojnë vetëm pak ditë nga Krishtlindja: në këto ditë, të lutemi! Të lutemi për gëzimin e Krishtlindjes. E ta falënderojmë Zotin për një mori sendesh, që na ka dhuruar: së pari, për fenë, hir i madh. E të mendojmë edhe ku mund të shkojmë për t’u çuar paqe atyre, që vuajnë. Lutje, falënderim e ndihmë të tjerëve: kështu do të arrijmë tek lindja e të Vajuarit, Krishtit, të vajuar me hir, me lutje, me veprim hiri e ndihmë ndaj të tjerëve.
Zoja e Bekuar ju shoqëroftë në këtë rrugë drejt Krishtlindjes, ishte urimi i fundit i homelisë së Papës, mbajtur gjatë vizitës në famullinë romake të Shën Jozefit në Aurelio, në lagjen popullore romake të Primavalle-s.
Ati i Shenjtë arriti në mjediset e famullisë pak para orës 16.00. Takimi i parë, me fëmijët e katekizmit, prindërit dhe katekistët e tyre. Këtu dy fëmijë i drejtuan disa pyetje, të cilave Papa iu përgjigj me shumë dashuri, duke kujtuar Kungimin e tij të parë, para 70 vjetësh, më 28 tetor 1944 e duke theksuar rëndësinë e katekistëve, si motra Dolorez, që e pati përgatitur për takimin e parë me Jezusin e që Papa, pastaj, i ndenji tek koka në çastin kur ndërronte jetë.
Më pas, takimi me një grup përfaqësues të romëve, që jetojnë në rrugën Tenuta Piccirilli e vijnë këtu për të parë meshë çdo të diel e ditë feste të urdhëruar. Po këtu i pagëzojnë edhe fëmijët e tyre e trokasin sa herë kanë nevoja shpirtërore e materiale. Françesku u la pas fjalën “shpresë” që, nënvizoi, nuk të zhgënjen kurrë. E edhe u kërkoi të luten shumë, të luten për paqen në familje.
Bashkë me ta, me Papën u takuan edhe 25 përfaqësues të rreth 600 familjeve në gjendje të vështirë ekonomike, që jetojnë në një strehë për familjet në nevojë, jo larg nga famullia e ndiqen nga të rinjtë e projektit “Ma zgjat një dorë!”, në bashkëpunim me bashkësinë e Shën Egjidit.
Pas këtyre takimeve, Papa shkoi në kapelën e Oblatëve të Shën Jozefit, me që kisha famullitare ngrihet në trojet e shtëpisë së përgjithshme të Kongregatës. Aty, për ta pritur Atin e Shenjtë kishin dalë 60 të sëmurë, të ndihmuar nga vullnetarët. Françseku i përshëndeti një për një, duke pohuar: “Pa ju, Kisha nuk do të ekzistonte, sepse një Kishë pa të sëmurë, nuk do të shkonte përpara”. E akoma: “Ju jeni forca e Kishës”.
Së fundi, takimi me fëmijët e pagëzuar vitin e kaluar dhe prindërit e tyre, rreth 100 vetë: “Fëmijët janë ardhmëria e gëzimi”- u tha Papa - e pastaj nënvizoi: “Vaji i foshnjës është zëri i Zotit, mos i dëboni kurrë nga Kisha!”.
Pastaj Papa Françesku kaloi në sakresti, ku rrëfei pesë pendestarë të bashkësisë.
Rreth orës 18.00 ishte në Kishë, për Meshën, bashkëkremtuar nga kardinali-mëkëmbës, Agostino Vallini; kardinali Giuseppe Bertello, kryetar i Governatoratit të Vatikanit, e autoritete të tjera kishtare.
Famullia, që shtrihet në Rrugën romake Boccea, u ndërtua në vitin 1970 nga arkitekti Ildo Ivetta e iu kushtua Shën Jozef Marelos. U lartua në rang famullie më 19 qershor 1961 dhe iu besua kujdesit të Oblatëve të Shën Jozefit të Astit, që janë edhe pronarë të truallit. Famullitar i sotëm është atë Sebastian Giuseppe Lai.
Kisha ka një navatë qëndrore e disa navata të vogla anësore. Në absidë ruhet një sixhade e ardhur nga laboratori i restaurimit të sixhadeve në Vatikan, realizuar më 1915, ku parqitet Shën Jozefi me Krishtin Fëmijë. Në kishë ka edhe disa vepra të vona pikture e skulpture, kryesisht basorelieve qeramike të zmaltuar. Shumica të kujtojnë ngjarje nga jeta e Shën Jozefit dhe e Jezusit.
Në Kishë është edhe një Udhë Kryqi me 14 basorelieve prej qeramike të zmaltuar, vendosur në të gjithë perimetrin e navatës, përuruar nga Gjon Pali II në vitin 1981.
Këtu e kremtoi Papa Meshën shenjte dhe i komentoi liturgjinë e së dielës turmës së besimtarëve të famullisë, që kishin rendur për këtë takim të jashtëzakonshëm me Françeskun.
Kujtojmë se rregulltarët e Shën Jozefit Marello, që njihen me emrin jozefinë, janë të pranishëm prej kohe në Shqipëri, posaçërisht në Administraturën e Shqipërisë së Jugut.








All the contents on this site are copyrighted ©.