2014-12-14 17:04:28

Libërth lutjesh dhuruar nga Papa besimtarëve


Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa Françesku u dhuroi besimtarëve të pranishëm një libërth lutjesh, përgatitur nga Lëmoshtaria Papnore dhe nga Shtypshkronja e Vatikanit(Lev). 50 mijë kopjet e para u shpërndanë falas në Sheshin e Shën Pjetrit. Botimi i ardhshëm do të dalë së shpejti në librari, me çmim të papërfillshëm.RealAudioMP3
Një doracak i shkurtër, por i plotë, lutjesh, të njohura e më pak të njohura, që do t’i bëjë shoqëri Ungjillit të vogël, të cilin Papa ua dhuroi besimtarëve kohë më parë, për ta mbajtur gjithnjë në xhep. Janë rreth 40 faqe lutjesh, të paraprira nga fjala e Papës. “Kur lutem, Zoti merr frymë në mua”, shkruan Papa. Një mënyrë mrekullisht e ndjerë, për të përcaktuar thellësinë e dialogut që, përmes lutjes, të thellë e intime, të heshtur a të thënë me zë të lartë, na afron tek Zoti.
Në kapak paraqitet një afresk i shekullit III, ruajtur në katakombet e Shën Prishilës, në Romë. Është njeriu, që lutet me krahë hapur, simbol i dëshirës së lutësit për t’i ngjarë Krishtit të kryqëzuar. Libërthi përmban lutje të njohura, si Atyna, Falemëria, I qoftë lumni Atit dhe formula të tjera të shkurtëra, të lehta për t’u mësuar e për të na shoqëruar në çaste të ndryshme të ditës, që të mund ta lumnojmë e ta falënderojmë Zotin: nga agimi, deri kur, para se të mbyllim sytë për prehjen e natës, i lutemi të na ruajë e të na mbrojë. Një mundësi tjetër, pra, për të ecur gjithë ditën me Zotin, duke i drejtuar Krijuesit fjalët e duhura.
Nuk mungojnë as lutjet biblike: nga Magnificat, tek Psalmet, Udha e Kryqit, Rruzarja e lutje të tjera. Por në vëllimth ka edhe lutje të hartuara nga shenjtorë e të lum, si Françesku i Asizit, Terezina e Krishtit Fëmijë, Nënë Tereza etj. etj..







All the contents on this site are copyrighted ©.