2014-12-12 19:34:04

Younan: të krishterët në Lindjen e Mesme, plojë e indiferencës


Mbi takimin me Papën dhe situatën e bashkësisë së krishterë në Lindjen e Mesme, të dëgjojmë patriarkun e Antiokisë së Sirëve, Ignace Yossif III Younan, në mikrofonin tonë:

Përgjigje: - Jemi të prekur thellësisht nga ky takim. Është hera e parë që Kisha jonë e vogël mundi të mbledhë 400 besimtarë, rregulltarë e rregulltare, priftërinj, ipeshkvij e patriarkë. Për ne kjo ishte ngjarje e madhe historike, në kuadrin e vizitës sonë ‘ad Limina apostolorum”. Jam i sigurt se gjithçka shkoi shumë mirë: Ati i Shenjtë, me vetvetishmërinë e tij atërore, ia fitoi zemrën mbarë bashkësisë.


Pyetje: - Papa foli për dhunën çnjerëzore mbi bashkësitë tuaja: cila është situata, që po jetoni?

Përgjigje: - Po jetojmë një situatë alarmante. Është hekatombë, plojë e vërtetë, kjo që na ra mbi kokë. Kisha jonë, në rrjedhë të historisë, ka njohur shumë epoka persekutimi, çrrënjosjeje, si në vitin 1915, njëqind vjet më parë, po këtë herë po përballon një situatë shtazarake, të tmerrshme, sepse në shekullin XXI u çrrënjos e gjithë bashkësia nga Mosuli dhe nga Rrafshi i Ninives: ipeshkvij, priftërinj, rregulltarë, rregulltare, dhjetra-mijëra besimtarë, nga të cilët disa janë ende pa asnjë strehë të denjë. Po të shprehemi me gjuhë njerëzore, jemi para një katastrofe, që po vijon, në sa bashkësia ndërkombëtare bën sehir e hesht.

Pyetje: - Ç’kërkoni nga bashkësia ndërkombëtare?

Përgjigje: - E kemi thënë gjithnjë: ne, të krishterët e Lindjes së Mesme nuk jemi njerëz, që emigruam në këto vise; janë trojet e paraardhësve tanë. Mbetëm besnikë të Ungjillit, të Krishtit, e prandaj edhe na persekutojnë. Nga ana tjetër, u dëbuam nga tokat tona të Irakut, jo pse kishim armë, pse deshëm të përmbysnim qeveritë, a se kishim armiq aty-këtu; ne u çrrënjosëm thjesht sepse jemi të krishterë. Nësa janë grupet e fanatikëve, të ashtuquajtur xhihadistë, si Dabiq, Isis e al Kaeda, ashtu edhe al Nusra, që duhen zhdukur, sepse ata nuk duan t’ia dinë fare për tjetrin e nuk duan as ta dëgjojnë fjalën dialog.
Ndërsa të pushtetshmit e kësaj bote vijojnë politikën e tyre hipokrite, për shkak të petrolit, të pasurive të kësaj zone e për të realizuar projekte të tjera gjeopolitike, në interes të tyre. Ne e dimë mirë këtë dhe e themi hapur, por duhet ta dinë e ta denocojnë, siç kanë nisur ta bëjnë, edhe autoritetet politike e fetare të shteteve të tjera, siç ndodhi, për shembull, në takimin e Universitetit al-Azhar të Kairos, javën e kaluar. Autoritetet islamike po e pranojnë se këta grupe duhen dënuar, sepse, sipas asaj që thonë, nuk e përfaqësojnë Islamin.












All the contents on this site are copyrighted ©.