2014-12-12 18:42:49

Papa kremton meshën për Zojën e Guadalupes e i lutet të vazhdojë t’i mbrojë popujt e Amerikës Latine


Lutja drejtuar Pajtores së Amerikës Latine, Zojës së Guadalupes, u lartua sot nga Bazilika e Shën Pjetrit në Vatikan, ku Papa Françesku kremtoi meshën për nder të saj, në ditën e festës liturgjike, e cila përkujtohet jo vetëm në Bazilikën- Shenjtërore të saj në Qytetin e Meksikos, por edhe në gjithë kontinentin amerikan, nga Alaska në Tokën e Zjarrtë. Që nga ora 16.45, në Bazilikën e Vatikanit hynë të gjithë flamujt e vendeve të Amerikës Latine, homazh për Pajtoren; më pas u tha “Rruzarja Guadalupjane” dhe Lutja e Kohës së Ardhjes, shoqëruar nga këngët e traditës amerikanolatine. Mesha u shoqërua me këngët e “Misa Criolla” e kompozitorit argjentinas Ariel Ramìrez. U ekzekutua nga grupi muzikor argjentinas i dirigjuar nga i biri, Facundo Ramìrez, gjë që i dha ngjyra akoma më gazmore meshës e festës.
Papa Françesku, pasi kujtoi devocionin e thellë të amerikanolatinëve për Zojën e tyre të Guadalupes, vuri në dukje lidhjen e saj të pazgjidhshme me figurën e shën Huan Diegos, aztek i kthyer në katolicizëm, vegjent, të cilit iu duk Zoja në vitin 1531. Sipas traditës, figurja e saj u stampos në mantelin e Huan Diegos, i cili u mbyll për 17 vjet me radhë, derisa vdiq, në një qelë pranë bazilikës së ndërtuar në vendin e mrekullisë, për t’iu kushtuar krejtësisht Zotit. E kaloi jetën në lutje. Ati i Shenjtë përmendi diçka nga këto episode, duke theksuar se qe pikërisht Zoja, “misionarja e madhe, e cila solli Ungjillin në Amerikë”:
“Nëna e Shenjtë e Zotit jo vetëm i vizitoi këta popuj, por deshi të rrinte me ta. La të stampuar në mënyrë të mistershme figuren e saj të shenjtë në ‘tilma’-n e lajmëtarit të saj, që ta kishim mirë parasysh, duke u bërë kështu simbol i aleancës së Marisë me këta popuj, të cilëve u jep shpirt e ëmbëlsi. Përmes ndërhyrjes së saj, feja e krishterë filloi të bëhej thesari më i pasur i shpirtit të popujve amerikanë, perla e çmuar e të cilit është Jezu Krishti: një trashëgimi, që transmetohet e duket deri sot në pagëzimin e shumë e shumë njerëzve, në fenë, në shpresën e në bamirësinë e shumë të tjerëve, në vlerësimin e përshpirtërisë popullore e, edhe në atë ‘ethos’ të popujve, që dëshmohet në vetëdijen për dinjitetin e njeriut, në pasionin për drejtësinë, në solidaritetin për më të varfërit e më të vuajturit, në shpresën, nganjëherë, kundër çdo lloj shprese”.
Homelia e Papës u kthye në lavd drejtuar Zotit për mrekullitë që ka bërë në gjirin e popujve amerikanë. Duke iu referuar “Magnificat”-it, që pikërisht shën Maria i këndon Zotit, për ta falenderuar që e zgjodhi të ishte Nëna e Shëlbuesit të njerëzimit, Ati i Shenjtë komentoi:
“Duke pështjelluar gjykimet e botës, duke shkatërruar idhujt e pushtetit, të pasurisë, të suksesit me çdo kusht, duke denoncuar mburrjen, kreninë dhe mesianizmat e shekullarizuara që largojnë nga Zoti, kënga mariane rrëfen se Hyjit i pëlqen t’i përmbysë ideologjitë dhe hierarkitë e kësaj bote. Larton të përvuajturit, ndihmon të varfërit dhe të vegjlit, mbush me të mira, bekime e shpresa ata, që e lenë veten në duart e mëshirës së Tij nga brezi në brez, ndërsa i rrëzonnga froni të pasurit, të pushtetshmit dhe dominatorët”.
“Magnificat”-i, vazhdoi Papa Françesku, na bën të hyjmë në botën e lumnive ungjillore, që do të predikonte më vonë Jezu Krishti. E duke pasur në mendje pikërisht lumnitë, Ati i Shenjtë kërkoi që e ardhmja e Amerikës Latine të planifikohet për të varfërit, për të vuajturit, për të përvuajturit, për ata që kanë uri e etje për drejtësi, për të mëshirshmit, për të pastërtit në shpirt, për ata, që punojnë për paqen, për të persekutuarit në emër të Krishtit, “sepse e tyre do të jetë Mbretëria e Qiellit” (shih Mt 5,1-11):
“E bëjmë këtë kërkesë, sepse Amerika Latine është ‘kontinenti i shpresës’, sepse për të shpresohen modele të reja zhvillimi, që bashkojnë traditën e krishterë me përparimin civil, drejtësinë dhe barazinë me pajtimin, zhvillimin shkencor e teknologjik me urtinë njerëzore. Vuajtjen fekonde me gëzimin shpresëdhënës. Është e mundur ta ruajmë këtë shpresë vetëm me doza të mëdha të vërtete e dashurie…”.
Për të gjitha këto, me shpresë e besim në Zotin e në Birin e tij Jezu Krishtin, Papa Françesku iu lut Zojës së Guadalupes të ndërhyjë për popujt e Amerikës Latine:
“I përgjërohemi të Shenjtnueshmes Virgjërës Mari, në vokacionin e saj guadalupjan – Nëna e Zotit, Mbretëresha, Zoja ime, vajzukja ime, vogëlushja ime, siç e quante shën Huan Diego, e me të gjitha emrat e dashur me të cilët Asaj i drejtohet përshpirtëria popullore – që të vazhdojë t’i shoqërojë, t’i ndihmojë e t’i mbrojë popujt tanë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.