2014-12-12 12:00:56

Koha e Ardhjes, kohë e pritjes, e përtëritjes. Meditime për çdo ditë: 12 dhjetor


Rri e dëgjo!
Një e mirë e çmuar, tejet e rrallë në ditët tona, është ajo e dëgjimit.
Të dëgjosh: sjellje e shkollë, që kërkon shumë. Të dëgjosh e të heshtësh.
Ulem sot në bankën e parë të kësaj shkolle, që të mësoj si heshtet.
Nis, kështu, ushtrimi i gjatë e i vështirë i heshtjes.
Duke e jetuar, mësohesh ta qetësosh stuhinë e mendjes, ta fashitësh vorbullën e zemrës e të numërosh figurat e panumërta, brenda teje. Arrin, kështu, të dallosh e të vlerësosh shuarjen e ngadaltë të zërave e të zhurmave të botës, që shpesh ta shurdhojnë shpirtin e trazuar. E zbritjen e heshtjes.
Heshtja është udhë e çmuar për të dëgjuar zërin e zemrës. Na nxit ta hapim horizontin në të cilin zënë e përvijohen kujtimet, ndjesitë, fytyrat e fjalët që dukeshin si të shkuara e të harruara.
E gjithë kjo gjeratore figurash nuk duket si pamje e huaj, e largët, por si hapësirë familjare, në të cilën nuk kujtojmë më gjëra të vdekura. Ajo që dukej e vdekur, zë ringjallet papritur në shkollën e heshtjes e të kujtimit.
Tepër shpesh kemi prirjen ta pushtojmë doemos të sotmen me fjalë e me punë, pa i lënë vetes kohë për të dëgjuar jehonën dhe rezonancat e asaj, që jetuam. E e sotmja na e mban zemrën pezull.
Këmbëngulja për t’i treguar botës pushtetin që kemi mbi të, mbi njerëzit, mbi sendet, na mbyll në burgun e shurdhërisë, na e sos vetëdijen, duke na varfëruar, sepse nuk jemi më në gjendje të dëgjojmë e të rrokim kuptimin e ngjarjeve. E aq më pak, zërin e Zotit, që nuk i flet zhurmës, po heshtjes së shpirtit. Kështu, në heshtje të thellë, njeriu rrok mallin e pamort. Që e fton të kthehet i kulluar te caku i zanafillës:

“Sa më shumë marrim në lutjen tonë të heshtur,
aq më shumë mund të japim kur ecim nëpër jetë.
Kemi nevojë për heshtjen,
që të arrijmë tek shpirtrat.
Gjëja kryesore nuk është ajo që themi,
por ajo që thotë Zoti për ne e përmes nesh”
Nënë Tereza







All the contents on this site are copyrighted ©.