2014-12-11 13:32:34

Koha e Ardhjes, kohë e pritjes, e përtëritjes. Meditime për çdo ditë: 11 dhjetor


Sa hire ke marrë?RealAudioMP3
Njeriu mund ta ushtrojë kujtesën, për t’i rijetuar jo vetëm të papriturat e padëshiruara të jetës, por edhe të mirat e hiret, që janë dhanti e Zotit: rastet e favorshme, takimet prekëse me miqtë, sukseset e papritura, rezultatet pozitive, arritjet me vlerë, sinjalet e shndërrimit, hapat e kthesës, shenjat e Provanisë. Një listë e gjatë, sa ditët e jetuara...

Priremi të kujtojmë më shumë ditët e zeza, sesa të bardhat, të këqijat, sesa të mirat. E kjo ndodh sepse, shpesh herë, duke besuar se jemi ne autorët e hirit, nuk i vlerësojmë ngjarjet e bukura, nuk dimë t’i shikojmë si burim gëzimi e mrekullie.
Po sot duam të ndalemi pikërisht tek të mirat, që patëm në jetën tonë. E t’i japim përgjigje pyetjes: nga na erdhën? Prej nga na zbritën?
Sikur të ishim aq fatlumë, sa ta shikonim mirësinë hyjnore gjithnjë në veprim, shpirti ynë do të galdonte nga gëzimi e nga mirënjohja. E do të kujtoheshim kush është autori i të mirave tona e do ta falënderonim për provaninë e tij, për kujdesin ndaj nesh, për mrekullitë, që vijon t’i bëjë në rrjedhën e kohës pa cak.
E ne duam t’i kujtojmë sot e ta pyesim veten: “Sa herë u mrekulluam në shpirt? Sa herë u çuditëm, para së papriturës së dëshiruar? Sa herë, përmes lutjes, ndjemë sesi ngjarje tejet të dhimbshme, që dukeshin të pashmangëshme, përfunduan papritur ashtu si dëshironim? Sa herë ndjemë mbi shpirtin tonë dikimin e hirit hyjnor? Sa herë morëm forcë, për të falur e për të propozuar paqen?
Ti, o Zot, ringjall dëshirën për jetë, rijep guxim, ndez një dritë, që nuk buron thjesht nga mendja. Dritë që ndizet misteriozisht në zemër.
Nganjëherë të duket sikur Zoti e fsheh praninë e tij e mrekullitë e tij, në pritje të kohës së përshtatshme. E kur kjo kohë mbërrin, njeriu e prek me dorë mrekullinë e ndjen dëshirën e pakundërshtueshme për t’ia kthyer Zotit të mirën, me lavde e vepra dashurie të krishterë. E për t’iu përgjigjur mrekullisë hyjnore, me mrekulli njerëzore. Sepse, me hirin e Zotit, edhe njeriu mund të bëjë mrekulli.

“O i gjithëpushtetshmi e i gjithëshenjtnueshmi Zot!
Tejet i larti Hyj, tejet i miri!
Mirësia e kulluar, pambarim:
Premto që ta lartojmë Ty çdo lumni
e çdo lavdi e çdo hir e çdo nderim,
edhe urimet e bekimet të gjitha
e gëzim edhe paqe e mirësi. Fiat! Fiat!”.Shën Françesku








All the contents on this site are copyrighted ©.