2014-12-10 15:30:40

“Lineamenta” e Sinodit për Familjen 2015: të mos fillojmë nga zero


Kisha është vënë për udhë drejt Asamblesë XIV të Përgjithshme të Sinodit të Ipeshkvijve me temë “Thirrja dhe misioni i familjes në Kishë dhe në botën bashkohore”. Ipeshkvijtë do të mblidhen nga 4 deri më 25 tetor 2015, por “Lineamenta”-t e këtij takimi të rëndësishëm u publikuan dje. Kësaj radhe ato nuk janë argumente të përcaktuara më parë, por një sërë pyetjesh mbi dokumentin përfundimtar të Sinodit të jashtëzakonshëm, që u mbajt në tetor të këtij viti, bashkangjitur me vetë dokumentin, apo “Relatio Synodi”. Përgjigjet e ipeshkvijve duhet t’i paraqiten Sekretarisë së Përgjithshme të Sinodit brenda 15 prillit 2015, për t’i dhënë asaj mundësinë të përgatisë “Instrumentum Laboris”, pra listën e argumenteve mbi të cilat do të diskutohet në Sinod.
Është e rëndësishme, shkruhet në dokument, “të udhëhiqemi nga ndryshimet në baritori, që filluan të përvijohen në Sinodin e jashtëzakonshëm” e të bëhet ç’është e mundur për të mos filluar nga e para, por nga ajo pikë, ku e la çështjen ky Sinod. Sekretaria e Përgjithshme, e kryesuar nga kardinali Lorenzo Baldisseri, u kërkon organizmave të ndryshme kishtare të përshkruajnë hollësisht gjendjen e familjes në shoqërinë ku jetojnë dhe aspektet, që duhen vënë në dukje. Ndërsa Popullit të Zotit i kërkohet të reflektojë mbi mënyrën më të drejtë për t’iu përgjigjur sfidave të shekullarizimit, për t’i përkrahur familjet në përballimin e kontradiktave kulturore, që karakterizojnë botën e sotme. Si t’i përfshijmë – pyetet në dokument – bashkësitë kishtare në formimin e meshtarëve të ngarkuar me punën baritore me familjet e si t’i mbështesim familjet në misionin e tyre ungjillëzues, si “Kisha shtëpiake”? E më pas: si t’i ndihmojmë familjet e brishta, problematike; si të promovojmë më mirë vlerat e dëshmuara nga familjet e krishtera , gëzimin e tyre?
Pyetjet e dokumentit prekin të gjitha fushat e jetës kishtare e përvijojnë një bashkëpunim gjithnjë e më të madh të klerit me laikët. Siç doli edhe nga Sinodi i jashtëzakonshëm, çështjet më të vështira e më të ndërlikuara janë, pa dyshim, ato, që kanë të bëjnë me të divorcuarit e rimartuar dhe me familjet, të cilat kanë në gjirin e tyre njerëz me prirje homoseksuale.
Koncili II i Vatikanit dhe Ungjilli i Familjes janë busullat për t’u orientuar në kuptimin e vlerave të martesës së pazgjidhshme e fekonde, në vlerësimin e problemeve të moslindjes së fëmijëve, në formimin e vetëdijes për transmetimin dhe mbrojtjen e jetës. “Lineamenta”-t vënë theksin edhe në pyetjet mbi përmirësimin e përgatitjes së çiftit të ardhshëm, mbi mënyrën e afrimit të atyre, që i qëndrojnë larg Kishës pas marrjes së Sakramenteve të para e, edhe të atyre, që nuk janë të pagëzuar, mbi përfshirjen e bashkëpunimin me institucionet shoqëroro-politike në nivelin lokal dhe ndërkombëtar.
Me rastin e festës së Familjes Shenjte, që kremtohet më 28 dhjetor, Sekretaria e Përgjithshme e Sinodit të Ipeshkvijve i fton të gjitha bashkësitë kishtare të luten e të kremtojnë meshë për familjen dhe për asamblenë e ardhshme sinodale, duke përdorur për këtë qëllim lutjen e shkruar nga Papa Françesku enkas për Sinodin e Familjes.








All the contents on this site are copyrighted ©.