2014-12-10 15:29:46

Papa: Sinodi nuk e ka prekur të vërtetën e martesës së krishterë


Kurrfarë cenzure, transparencë në kulm, respekt absolut për të vërtetat themelore të Sakramentit të Martesës. Ky, e jo ai që u paraqit në shkrimet gazetareske, të cilat e shoqëruan, ishte Sinodi kushtuar familjes, kremtuar tetorin e kaluar. E pohon qartë Françesku në audiencën e sotme të përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, në të cilën Papa nisi një cikël të ri katekizmi, kushtuar pikërisht jetës familjare.RealAudioMP3
Natyrisht televizioni, interneti, shtypi e ndoqën me shumë vëmendje Sinodin, ndonëse secili sipas mënyrës së vet. Si të ishte kronikë sportive, që i stërmadhon përplasjet ndërmjet skuadrave kundërshtare. Ose duke folur për fraksione, për konservatorë e progresistë e duke e katandisur ballafaqimin, në një sërë manovrash politike. Po Sinodi mbi familjen nuk ishte kështu! Papa Françesku niset prej këndej, prej begatisë së informacionit, kufizimeve të tij kulturore e gjuhës së përdorur në media lidhur me ngjarjen, që duhej përshkruar, për të treguar me gojën e vet si shkuan, në të vërtetë, punët e ç’rezultate pati takimi i ipeshkvijve, në tetorin e kaluar.
I tërë katekizmi është përpjekje për të pastruar fushën nga shtrembërimet e paragjykimet, është pohim i së vërtetës dhe i thelbit të fjalëve, që thanë ipeshkvijtë në këto dy javë, duke nisur nga mënyra si u thanë, domethënë, me lirinë e plotë të shprehjes:
Mbi të gjitha, u kërkova Etërve sinodalë të flasin me sinqeritet e guxim e të dëgjojnë me përvujtëri. Ta thonë pa ngurrim gjithçka kanë në zemër. Në Sinod nuk pati cenzurë paraprake, por secili mundej, madje duhej, ta thoshte atë, që kishte në zemër, atë që mendonte sinqerisht. Gjithnjë, kur kërkohet vullneti i Zotit, në një asamble sinodale, ka disa këndvështrime të ndryshme, ka edhe diskutime, e kjo nuk është aspak gjë e keqe! Mjafton të bëhet me përvujtëri e me shpirtin e shërbimit, në asamblenë e vëllezërve”.
Aspak cenzurë, shumë dëgjim e fjalë, të cilat Papa i quajti “të urta”, duke pasur parasysh mënyrën si u shprehën. Françesku i falënderoi të gjithë, posaçërisht Etërit sinodalë, që qenë me të vërtetë shumë të aftë, para se të prekte një pikë delikate, që gjatë ditëve të sinodit u interpretua në një mori mënyrash, e shpesh, edhe me tone dyshimtare ose polemike:
Asnjë diskutim nuk e vuri në dyshim të vërtetën themelore të Sakramentit të Martesës, domethënë, të pazgjidhshmërisë, të unitetit, të besnikërisë e të dëshirës për t’i hapur udhën jetës së re”.
Papa përshkroi saktësisht fazat e ndryshme të Sinodit, të pasuara nga ballafaqimi në sallë: Relacionin pas-diskutimit të kardinalit Erdë, vlerësimin e tij nga katër grupe të ndryshme gjuhësore, Relacionin përfundimtar, pasuruar nga kontributi i grupeve, hartimin e Mesazhit përfundimtar. Françesku arriti, kështu, në përfundim, duke pohuar se “Mesazhi përfundimtar”, “Dokumenti përfundimtar” dhe “Fjalimi përfundimtar i Papës”, janë të vetmet dokumente zyrtare të Sinodit e nuk ka të tjera:
“Disa nga ju mund të më pyesin: ‘U grindën Etërit?’. Sigurisht jo, nuk u grindën. Folën me zë të lartë, është e vërtetë. Po kjo është liri, liri, që ndjehet fort në Kishë. Gjithçka ndodhi “cum Petro et sub Petro”, domethënë, në praninë e Papës, që është garanci lirie e besimi për të gjithë, e edhe garanci e ortodoksisë”.
Mendimi i fundit, para se t’ia besonte Zojës së Bekuar kohën ndërmjet dy sinodeve, e të lutej për ndriçimin nga lart të fjalës, që u duhet thënë të gjitha Kishave, Papa i shpjegoi edhe një herë botës çfarë është sinodi, por edhe çfarë nuk është. Për shembull, nuk është strukturë parlamentare:
“Sinodi është hapësirë e mbrojtur, që Shpirti Shenjt të mund të veprojë në të: nuk pati ndeshje ndërmjet fraksioneve, si në parlament, ku kjo gjë është e lejueshme, por ballafaqim ndërmjet ipeshkvijve, pas punës së gjatë përgatitore, që tani do të vijojë me një punë tjetër, për të mirën e familjeve, të Kishës e të mbarë shoqërisë. Është proces, udhë normale sinodale”.
Gjatë përshëndetjeve, pas përmbledhjes së katekizmit në gjuhë të ndryshme, Papa u kujtoi besimtarëve Kohën e Ardhjes, duke uruar që kjo kohë t’i ndihmojë ta kenë sa më pranë Ungjillin, të jenë solidarë me vëllezërit e të rizbulojnë shpresën e krishterë, që ndihmon për t’i jetuar me guxim edhe situatat më të vështira. Në përfundim, Papa ia besoi të rinjtë Zojës së Loretos, festa liturgjike e së cilës u kremtua sot.









All the contents on this site are copyrighted ©.