2014-12-09 16:10:23

Vdiq kardinali argjentinas Mejía, ngushëllimet e Papës


Vdiq mbrëmë, në Romë, kardinali argjentinas Jorge Maria Mejía. Ishte 91 vjeç.
Në një telegram ngushëllimi, drejtuar vëllait të Kardinalit të ndjerë, Papa Françesku kujton besnikërinë dhe kompetencën me të cilat kardinali Mejía i shërbeu për shumë vjet organeve të ndryshme të Selisë së Shenjtë. Papa siguron se lutet e se ndjehet pranë atyre, që qajnë për vdekjen e këtij bariu, i cili ia kushtoi gjithë jetën misionit ungjillëzues. Na lidhte një miqësi e gjatë”, shton Françesku në telegram.
I lindur në Buénos Ájres, më 31 janar 1923, prelati i lartë qe i sëmurë prej kohe.
Më 16 nëntor, pas takimit me një grup besimtarësh argjentinas në Vilat Papnore të Kastel Gandolfos, Papa Françesku e pati vizituar kardinalin Mejía, në Klinikën romake Piu XI, ku qe shtruar për mjekime.
Mesha e Dritës për të ndjerin do të kremtohet të enjten, më 11 dhjetor, në orën 11.30, në Elterin e Katedrës të Bazilikës së Vatikanit. Liturgjinë e salikimeve do ta kryesojë kardinali Angelo Sodano, dekan i Kolegjit Kardinalor. Në përfundim të kremtimit mortor, Papa do të kryesojë ritin e Ultima Comendatio - Lëshimit në dorë të Zotit dhe të Valedictio – Lamtumirës së fundit.
Arkivist dhe Bibliotekar nderi i Kishës së Shenjtë Romake, Jorge Maria Mejía u krijua kardinal nga Shën Gjon Pali II, në Koncistorin e vitit 2001. Pikërisht gjatë papnisë së Karol Vojtilës, pati përgatitur vizitën e Papës në sinagogën e Romës e, pastaj, edhe takimin me liderët fetarë në Asizi, të dyja, ngjarje të mëdha të vitit 1986. Ndërmjet detyrave të tjera, që kreu, kujtojmë atë të zëvendës-kryetarit të dikasterit të Drejtësisë e Paqes, të sekretarit të Kongregatës për Ipeshkvijtë e, së fundi, të Arkivistit e Bibliotekarit të Kishës së Shenjtë Romake (1998-2003).Me vdekjen tij, Kolegji Kardinalor përbëhet nga 208 kardinaj, nga të cilët, 112 zgjedhës e 96, jo zgjedhës.







All the contents on this site are copyrighted ©.