2014-12-09 13:25:25

Papa: Kisha është nënë, nuk duhet gjë organigrama e përkryer


Kisha e gjen gëzimin e përkryer, kur e ndjen veten nënë, kur shkon t’i kërkojë delet e humbura. Ky ishte pohimi kryesor i Papës sot, gjatë Meshës së mëngjesit, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës. Françesku nënvizoi se Kishës nuk i duhet gjë organigrama, apo struktura organizative e përkryer, nëse, pastaj, është e trishtuar, e mbyllur, sepse nuk e ndjen veten nënë. Prej këndej, ftesa për të qenë të krishterë plot gëzim e plot ngushëllim, që buron nga dashuria e Jezusit.

“Hapjani portat ngushëllimit të Zotit!”. Papa e mori shtytjen, për homelinë, nga Leximi I, në të cilin Isaia Profet flet për përfundimin e vuajtjes së Izraelit, pas internimit në Babiloni. Populli, komentoi, ka nevojë për ngushëllim. Është vetë prania e Zotit, që e ngushëllon. E ky ngushëllim, shtoi, ndjehet fort edhe në vuajtje. Megjithatë, vërejti në vijim, ne shpesh ikim nga ngushëllimi; dyshojmë, jemi më rehat ndërmjet sendeve tona, nuk shqetësohemi aq fort për mungesat tona, nuk na trazojnë mëkatet tona. Kjo, shtoi Papa, është toka jonë. Ndërsa, vijoi të theksonte, kur vjen Shpirti Shenjt, e me Të, edhe ngushëllimi, na krijon një gjendje tjetër, të cilën nuk jemi të aftë ta kontrollojmë: e kjo gjendje është pikërisht lëshimi i plotë në krahët e ngushëllimit të Zotit.
Françesku nënvizoi edhe se ngushëllimi më i fuqishëm është ai i mëshirës dhe i faljes. E kujtoi, në vijim, fundin e Kapitullit XVI të Ezekielit, kur, pasi radhit listën e gjatë të mëkateve të popullit, me gojën e Zotit, thotë: “Po unë nuk të braktis; unë do të të jap edhe më shumë, e kjo do të jetë hakmarrja ime: ngushëllimi e falja”. Kështu është Hyji ynë! Prandaj, vijoi, është mirë të përsërisim: lëreni Zotin t’ju ngushëllojë, është i vetmi që mund të na ngushëllojë. Edhe pse jemi mësuar të japim ngushëllime të vogla, të stisura sipas mënyrës sonë, që pastaj nuk i duhen gjë kujt. Prej këndej, Papa u ndalua tek Ungjilli i sotëm, shkëputur nga Mateu, që rrëfen shëmbëlltyrën e deles së humbur:
Unë pyes ‘cili duhet të jetë ngushëllimi i Kishës?’. Ashtu si ngushëllohet njeriu, kur ndjen mëshirën e faljen e Hyjit, kështu edhe Kisha bën festë, është e lumtur, kur del nga vetvetja. Në Ungjill, ai bariu që del, që niset e shkon të kërkojë delen e humbur, mund t’i kishte bërë llogaritë edhe si tregtar i mirë: e po, kur i ke shëndosh e mirë 99-tat, s’u bë qameti se humbe një të vetme; bilanc… fitim e humbje… E po, mirë, mund të vijohet edhe kështu… Por jo! Ai ka zemër bariu, niset ta kërkojë delen e humbur. E kërkon, derisa e gjen, e atëherë bën festë, mbushet plot me gëzim”.
Gëzimi i daljes për të kërkuar vëllezërit e motrat, që janë larg: ky, nënvizoi Françesku, është gëzimi i Kishës. Në këtë gëzim Kisha bëhet nënë, bëhet pjellore:
Kur Kisha nuk e bën këtë, kur Kisha ndalet në vetvete, mbyllet në vetvete, edhe pse mund të jetë e organizuar mrekullisht mirë, me një organigramë të përsosur, me gjithçka në rregull, gjithçka të pastërt, i mungon gëzimi, i mungon festa, i mungon paqja, e kështu bëhet Kishë e ligshtë, e ankthshme, e trishtë, Kishë që duket më shumë si nënole, sesa si nënë. E kjo Kishë nuk i duhet gjë kujt, është Kishë që i ngjet më shumë muzeut. Kisha gëzohet kur lind bij: gëzohet, kur del jashtë vetvetes, për të dhënë jetë. Kisha është e gëzuar, kur del për t’i kërkuar delet e humbura; e gjen gëzimin pikërisht në dhimbsurinë e bariut e në ngrohtësinë e nënës”.
Në fundin e fragmentit, shkëputur nga Isaia, shpjegoi Papa, gjejmë pikërisht këtë figurë: Zoti e kullot grigjën si bari; me krahun e vet të shpërvjelur, e mbledh tufë, me shtagën, e mbron! Ky, nënvizoi edhe një herë Papa, është gëzimi i Kishës: të dalë nga vetvetja e të bëhet nënë me prehrin plot:
Zoti na dhëntë gëzimin të punojmë, të jemi të krishterë gazmorë në pjellorinë e Kishës nënë e të na ruajë të mos sillemi kurrë si të krishterë të trishtuar, të paduruar, të ligshtë, të ankthshëm, të trishtë, që e kanë gjithnjë në rregull Kishën, por nuk kanë ‘fëmijë’. Zoti i ngushëlloftë me ngushëllimin e një Kishe nënë, që del nga vetvetja e ngushëllohet me ngushëllimin e dashurisë së Jezusit, të mëshirës së Tij në faljen mëkateve tona”.








All the contents on this site are copyrighted ©.