2014-12-09 16:14:22

Koha e Ardhjes, kohë e pritjes, e përtëritjes. Meditime për çdo ditë: 9 dhjetor


Edhe ligështia është mundësi

Ndërsa ec, zbuloj se jam vetë ligështia. Po kjo nuk më shtyn të dredhoj rrugë.
Ligështia mund të shndërrohet në dëshirë për të luftuar e për të ndryshuar, për të kërkuar e për të gjetur.
Tani e kuptoj se pikat e ligshta, ato që i quajmë plagë, mungesat, tronditjet, kur i mendon thellë, shndërrohen në shtytje për t’i mjekuar, për t’i rishikuar, bëhen thirrje për ndihmë, për lutje e, së fundi, shkollë, ku merret dija e ngjarje, që rrezatojnë dritë.
Por, të shfletojmë një çast Ungjillin. A nuk ishin pikërisht verbëria e një varfanjaku të zhgërryer përdhe, gjymtimi i një çalamani, përdredhimi i një gruaje, që gjykohet si mëkatare publike; e edhe ethet e vjehrrës së Pjetrit, e deri vdekja e të birit të vejushës së Nainit, raste për t’u takuar me Zotin?
Pa hirin e mëshirën e Hyjit, mjerimet personale, tonat e ato të shoqërisë, e ndalin rrjedhën e veprimit e bëhen amulli, mjerim, shtypje, varfëri. Atëherë dinjiteti shkelet nën gjithfarë këmbësh. E njeriu mbyllet brenda një rrethi terri. I shtrydhur nga dora e huaj. Jetim, mes njerëzve.
Nga ana tjetër, të jetuarit me frikë ose mosnjohja e ligështive dhe e plagëve, mund të na i verbojë të dy sytë aq, sa të mendojmë se jemi të përkryer, se s’ka si ne. Atëherë nisim t’i shikojmë të tjerët e botën nga maja e malit të vetvetes e na duken bubrreca, që enden nëpër jetë fare kot. Në kërkim të thërrimeve.
Ndërsa vetëdija e papërkryerjes sonë, na vë shpesh para së papriturës: ajo që duket e kotë, që nuk meriton të tregohet, që duhet flakur - me e për hir të Hyjit - shndërrohet në një fillesë të re, plot me dritë. Ngrihesh përsëri në këmbë, me shikimin e ngulur përpara, vëren rrethin e ëndrrave e gjen fillin e humbur në dritën e agut, që shkrep në horizontin e së sotmes sate.
Shërimi nis sot, në çastin kur ti e pranon se je plot me plagë, me cene, njëherësh me britmën drejtuar atij, që i bën të reja të gjitha sendet.
“Vëllezër, të keni të njëjtat ndjenja, të cilat ishin në Jezu Krishtin.
Jezu Krishti, megjithëse me natyrë hyjnore
nuk e mbajti porsi visar të fshehur njësimin e vet me Hyjin,
por e zhveshi vetveten e mori gjendjen e shërbëtorit
duke u bërë i ngjashëm me njerëz;
i paraqitur në formën njerëzore,
e përuli veten, duke iu shtruar dëgjesës deri në vdekje,
e në vdekjen e kryqit.
Për këtë arsye Hyji e lartoi
e i dha një emër,
i cili është mbi çdo emër tjetër:
që në emër të Jezu Krishtit të përkulet çdo gju,
në qiell, mbi tokë e nën tokë;
e çdo gjuhë të shpallë
se Jezu Krishti është Zoti,
për lumní të Hyjit, Atë”.

Prej Letrës të Shën Palit apostull drejtuar Filipianëve (Fil 2, 5-11)








All the contents on this site are copyrighted ©.