2014-12-09 13:37:01

Jezuiti Casalone i përgjigjet Veronezit: “Zoti nuk vepron në mënyrë arbitrare, ose magjike në histori”


“Zoti nuk vepron në mënyrë arbitrare, ose magjike në histori, pa marrë parasysh lirinë e njerëzve, apo duke i zgjidhur problemet automatikisht. Mënyra me të cilin Hyji bëhet i pranishëm në histori është solidariteti me njerëzit, që vuajnë nga të këqiat e kësaj bote”. Jezuiti Carlo Casalone, pedagog i Teologjisë morale në Fakultetin Papnor Teologjik në Italinë e Jugut, me profesion mjek para se të hynte në Shoqërinë e Jezusit, u përgjigjet në mikrofonin tonë argumentimeve të onkologut të shquar italian Umberto Veronesi, me të cilat ai përpiqet të provojë se Zoti nuk ekziston. Kohët e fundit, Veronesi ka publikuar një libër, që quhet “Zanati i njeriut”.
I rritur në një ambient katolik, shumë të përshpirtshëm, Veronesi tregon se kontakti me luftën dhe me sëmundjen e ka bërë ta humbasë fenë. Në mënyrë të njëjtë me Aushvicin, edhe kanceri, shkruan mjeku italian, u bë për mua prova se Zoti nuk ekziston. Atë Casalone, pavarësisht se e kupton gjendjen shpirtërore të onkologut, shpjegon arsyet e fesë:
“Vullneti i Zotit nuk u shkakton të këqia njerëzve. Është e vërtetë se në historinë e mendimit të krishterë ka pasur dyshime, që e konsideruan të mirëqenë tezën se fatkeqësia është udhë për shëlbim, se dhimbja është vlerë, rrugë për shlyrjen e mëkateve e për t’u pranuar në Mbretërinë e Hyjit. Por ky është mendim i gabuar”.
Në traditën e mendimit të krishterë, vazhdon shpjegimin atë Casalone, çështja është paraqitur si alternativë e formuluar në këtë mënyrë: ose Zoti është i mirë, ose është i gjithpushtetshëm. Meqë vërejmë se ekziston e keqja, edhe pa ndonjë arsye të veçantë, nxjerrim përfundimin se Hyji s’mund t’i ketë të dyja atributet e atëherë, pohojmë se Zoti nuk ekziston. E ky është edhe rezultati i Veronezit: nëse nuk është i mirë, çfarë Zoti është ky? E arsyetimi tjetër: nëse Hyji është i mirë, por nuk mund t’i ndryshojë gjërat, atëherë është i parëndësishëm, nuk ka asnjë lloj ndikimi mbi ngjarjet njerëzore, pra, nuk është i gjithpushtetshëm. Si ta zgjidhim këtë dilemë? Jezusi, shpjegon jezuiti, na sjell një këndvështrim të ri mbi realitetin:
“Shkrimi i Shenjtë nuk pyet ‘nga vjen e keqja?’, por pyet të kundërtën, ‘ç’duhet të bëjmë përballë të keqes?’. Del në pah një fuqi e re e Zotit. Karkateristika e saj më e rëndësishme është dhimbsuria, solidariteti i plotë, që Jezusi na e zbulon. Kjo do të thotë se Hyji ndan vuajtjen e provuar nga njeriu gjatë jetës së vet, që nga lindja deri në vdekje”.
Në fund të fundit, vazhdon atë Casalone, njeriu s’bën tjetër veçse humbet gjithnjë e më shumë situata e gjendje të rehatshme për të. Që kur del nga barku i nënës, ai e humbet mbrojtjen e rehatinë e foshnjës së palindur, por edhe më vonë, humbet rrethin familjar për ta zgjeruar atë me familjen e vet të re, humbet nënën e babain e kështu me radhë. Humbjet janë mundësi për t’u rritur e pjekur:
“Zoti i ndan me ne të gjitha këto ngjarje, në zhvillimin e tyre të natyrshëm, edhe atëherë kur marrin formën konkrete të së keqes që e mundon njeriun; e bën të vetën këtë të keqe, në vend që ta shumëfishojë e ta shpërndajë edhe ndër të tjerët. Pra, pushteti i tij është i një natyre tjetër. Është ai i një Zoti të mirë, gjithpushteti i të cilit nuk qëndron në shkatërrimin e jetës së njeriut, me arsyen se është i keq, por në mëshirën e dhimbsurinë”.
Pra, përfundon atë Casalone, risia që na zbulon Jezusi është se Zoti nuk është vetëm atëror, por edhe amnor; nuk është ai që i rregullon punët për ne, por ai që na shoqëron. E mrekullia? Ç’vend zë? Në Ungjill, shpjegon jezuiti teolog, ka efekt të përkohshëm, sepse askush nuk i shpëton vdekjes. Mrekullia është shenjë për t’i treguar botës fytyrën, drejt së cilës duhet të kthehet shikimi ynë, fytyrën e Zotit të jetës.








All the contents on this site are copyrighted ©.